SPAK ka administruar dokumentacionin e plotë të procedurës së kontrollit në pronën e Agasit, përfshirë procesverbalet e sekuestrimit, aktet e vlerësimit financiar, filmimet dhe listën e personave të ngarkuar me ruajtjen e provave materiale...
SPAK ka marrë në dorë dosjen që lidhet me zhdukjen e një sasie vere të shtrenjtë të sekuestruar në një resort në pronësi të Ergys Agasit.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se dosja është përcjellë për kompetencë nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka arritur në përfundimin se vera dyshohet të jetë produkt i veprimtarisë kriminale ku është përfshirë Agasi.
Shishet e verës u sekuestruan gjatë kontrolleve të kryera nga SPAK në pronat e Agasit, në kohën kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin. Të dy dyshohen si drejtues të një grupi kriminal që, sipas hetimeve, rrëmbente biznesmenë dhe i detyronte të tërhiqeshin nga gara për tendera të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Pas sekuestrimit, sasia e verës iu la në ruajtje një kushëriri të Agasit. Megjithatë, kur autoritetet doganore shkuan një ditë më pas për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se shishet ishin zhdukur.
Për këtë rast, kushëriri i Agasit po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprime që dyshohet se kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, pasi nuk ka dhënë shpjegime për vendndodhjen e verës së sekuestruar.
Sipas aktit të ekspertimit, vlera e verës së gjetur në qilar arrin rreth 1.4 milionë euro. Ekspertët vlerësojnë se nëse shishet do të shiteshin individualisht në treg, vlera e tyre mund të rritej të paktën dyfish.
Ndërkohë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë nisur edhe verifikime për të zbuluar rrethanat që mundësuan zhdukjen e verës së sekuestruar. Hetimi është fokusuar në identifikimin e zyrtarëve që dyshohet se urdhëruan largimin e forcave të policisë dhe të hetuesve doganorë nga shërbimi i ruajtjes së objektit.
Sipas burimeve pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, po verifikohen veprimet dhe mosveprimet e zinxhirit drejtues të Policisë së Shtetit, nga drejtuesit e komisariatit që mbulon zonën ku ndodhet prona e Agasit, deri te punonjësit e policisë të caktuar për ruajtjen e saj.
Hetime me të njëjtin objekt kanë nisur edhe për strukturat e doganave, për të zbuluar nëse është dhënë urdhër për largimin e hetuesve doganorë nga shërbimi pranë vilës së Agasit, çka mund të ketë krijuar mundësinë për largimin e verërave të sekuestruara.
Po ashtu, nën verifikim janë marrë edhe disa zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, për të parë nëse janë respektuar detyrimet ligjore për hetimin e veprimeve të mundshme të paligjshme të punonjësve të policisë në këtë rast.
Në funksion të hetimit, SPAK ka administruar dokumentacionin e plotë të procedurës së kontrollit në pronën e Agasit, përfshirë procesverbalet e sekuestrimit, aktet e vlerësimit financiar, filmimet dhe listën e personave të ngarkuar me ruajtjen e provave materiale.
Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë dhe pjesëmarrjes në grup kriminal. Sipas hetimeve të SPAK, ata dyshohen se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe dhe e kanë detyruar të tërhiqte ankesat e tij lidhur me tenderat e AKSHI-t.
Në këtë dosje, nën masën e “arrestit në shtëpi” ndodhen ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, ndërsa ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie janë vendosur masa më të lehta sigurie. /Pamfleti
Turp me te madh nuk kishte. Mund te quhet deshtimi i pare spektakular i SPAK.
po te.jene te afte hetuesit e gjejne menjehere ku eshte fshehur vera. Ose e dine.mire ku eshte fshehur se jane ortake
Ne Surrel e kane po nuk u a mban.