TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë16 Korrik 2026, 12:33

Si u orkestrua sulmi ndaj Gjergj Erebarës dhe BIRN-it

Shkruar nga Pamfleti
Si u orkestrua sulmi ndaj Gjergj Erebarës dhe BIRN-it
Foto ilustruese/

Gazetari Gjergj Erebara u sulmua sepse raportoi, pastaj u quajt atentator për të njëjtën arsye dhe në fund u kërcënuan donatorët e BIRN-it për një postim personal. Sulmi ndjek modelin e vjetër: deligjitimim, shpifje, presion financiar..

Sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri nuk janë kurrë të rastit. Ato ndjekin një mekanizëm të sprovuar me vite: fillojnë me një akuzë të paarsyetuar për gazetari të keqe, përshkallëzohen me shpifje personale që e nxjerrin gazetarin jashtë profesionit të tij dhe kulmojnë me presion financiar ndaj medias për të cilën ai punon. Ky model nuk synon vetëm një njeri. Ai synon të dërgojë një mesazh për të gjithë ata që mund të ndihen të inkurajuar të bëjnë të njëjtën gjë dhe për të gjitha redaksitë që mund të mendojnë se pavarësia ka një çmim më të ulët se sa ai që po paguan BIRN.

Gjergj Erebara u fut në këtë mekanizëm pa e kërkuar. Puna e tij si gazetar i BIRN-it ka qenë gjithmonë raportimi i fakteve, verifikimi i burimeve dhe mbajtja e pushtetit përgjegjës për ato që bën. BIRN nuk është një media që mbush faqet e para me tituj tronditës, por ka diçka që e bën të rrezikshme: besueshmërinë. Kur BIRN raporton, të tjerët e marrin seriozisht dhe kjo është pikërisht arsyeja që e bën të papërshtatshëm për ata që jetojnë nga gjysmë e vërteta dhe llogaritë e mbyllura.

Gjithçka nisi më 25 qershor, kur CNN transmetoi pamje nga Kakomeja dhe disa zyrtarë të lartë të mazhorancës akuzuan rrjetin amerikan se po dëmtonte turizmin shqiptar. Erebara lexoi kronikën origjinale dhe vuri re diçka që të tjerët kishin humbur në nxitimin e tyre për të akuzuar: CNN nuk e kishte lidhur pamjen me projektet turistike. Ky detaj i vogël, faktik dhe i thatë, u tha publikisht dhe ishte vërejtja e parë që prishi narrativën zyrtare për këtë çështje. Nuk ishte një deklaratë politike, ishte një korrigjim i thjeshtë, por në një klimë ku çdo zë që nuk përputhet me versionin zyrtar trajtohet si kundërshtim, Erebara u bë i papërshtatshëm.

Gjergj Luca i "lëpihet" qeverisë nga mëngjesi deri në mbrëmje, së bashku me një grusht analistësh të cilët i paguan me supe peshku dhe i rreshton çdo herë për të përsëritur të njëjtat fraza të urdhëruara nga qendra. Më 8 korrik, Luca zgjodhi të hynte në politikë  me një video ku fyen protestuesit duke u thënë se janë hiçër, sikur shqetësimet e tyre për pronat e shtetit që po grabiteshin me 1 euro të kishin më pak vlerë se sa mendimi i një biznesmeni që ushqehet nga i njëjti pushtet. Kur mijëra qytetarë iu përgjigjën me vlerësime negative në Google, Luca nuk e pranoi peshën e provokimit të tij. Vrapoi te policia, e ktheu një çështje lirie të shprehjes në një hetim penal dhe ia doli që Policia e drejtuar nga Skënder Hita të fliste për një rrjet kriminal prej 10 mijë llogarish pa paraqitur asnjë provë, por duke krijuar atmosferën e përsosur për të cilën çdo kritikë ndaj biznesit të lidhur me pushtetin të cilësohej si pjesë e një fushate terroriste.

Më 10 korrik, Reporter.al  publikoi një shkrim që nuk ishte propagandë dhe as opinion, por raportim i pastër. Katër zëra të pavarur kundërshtonin qasjen e policisë: Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare e quajti deklaratën të rrezikshme dhe joprofesionale, Orkidea Xhaferaj nga SCiDEV shpjegoi se koordinimi dhe masiviteti nuk mjaftojnë për ta bërë një veprim të paligjshëm, gazetari Isa Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë tha se pretendimi për 10 mijë llogari pa prova ishte deklaratë politike, jo institucionale. Erebara nuk shkroi asnjë fjalë të tijën, ai raportoi atë që këta njerëz thanë.

Më 11 korrik, Mero Baze e quajti Erebaren jo më gazetar, por atentator që nxit terror mbi biznesin. Shkrimi u ribotua në rrjete sociale dhe Baze pretendoi gjithashtu se BIRN mbahet nën kontrollin e një rrethi familjar dhe se Ambasada e SHBA-së i kishte ndërprerë grantet, por asnjë nga këto pretendime nuk është konfirmuar nga burime të pavarura dhe mbeten në fushën e spekulimeve të pandëshkueshme. Më 12 korrik, Luca kërkonte një falje publike nga gazetari, e quajti Erebaren pseudo gazetar dhe kërkoi që ai t'u kërkonte falje mijëra punëtorëve. Luca nuk kërkoi korrigjim të asnjë fakti, të asnjë shifre, të asnjë date. Kërkoi vetëm falje, sepse qëllimi nuk ishte të vërteta, por nënshtrimi dhe pranimi publik i fajit për një gjë që askush nuk e kishte provuar kurrë.

Kryeministri Rama e cilësoi fushatën skemë kriminale dhe deklaroi se Google po ndihmonte t'u ktheheshin bizneseve vlerësimet. Por kur Radio Evropa e Lirë i kërkoi Google përgjigje nëse kishte vërejtur aktivitet të pazakontë në Shqipëri, Google nuk u përgjigj dhe asnjë konfirmim i pavarur i tezës qeveritare nuk ekziston ende.

Më 15 korrik, Erebara postoi në llogarinë e tij personale një foto të modifikuar me AI që tallet me pamjet me dron të Taulant Ballës, duke shkruar se fotografia ishte krijim artistik dhe nuk reflektonte një postim real. Ishte satirë, humor politik dhe ushtrim i së drejtës së tij si qytetar për të kritikuar. Taulant Balla nuk iu përgjigj satirës. E quajti Erebaren falsifikator dhe kaloi te paratë. Kërkoi llogari publikisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur, nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe nga ambasadat e huaja, duke ua drejtuar atyre pyetjen se a kjo është gazetaria që ata financojnë.

Si u orkestrua sulmi ndaj Gjergj Erebarës dhe BIRN-it
Shkeputur nga profili i FB i gazetarit Gjergj Erebara/

Ky është momenti kur sulmi kaloi nga personal në institucional. Erebara u godit për një postim personal, por goditja iu drejtua donatorëve të BIRN-it. Ishte një mesazh i qartë për çdo media të pavarur. BIRN nuk ka lëshuar asnjë korrigjim gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk ka tërhequr asnjë shkrim dhe nuk është përkulur, sepse shkrimet e Erebara kanë qenë të sakta, burimet e tij të verifikuara dhe raportimi i tij i balancuar.

Erebara është gazetar në BIRN dhe njëkohësisht aktivist dhe gazetar i pavarur në platformat e tij personale, por këto dy role nuk janë në konflikt. Gazetarët kanë të drejtë të kenë opinione jashtë orarit të punës, të bëjnë satirë dhe të jenë qytetarë. Sulmi ndaj Erebara nuk e respekton këtë ndarje dhe e përzien qëllimisht për të goditur BIRN-in përmes gazetarit dhe për të kërcënuar redaksinë përmes financimit të saj. Ky sulm nuk është një përplasje e rastësishme në rrjet, por një model i njohur që po zbatohet me saktësi.

Gjergj Luca nuk është thjesht një biznesmen që u ndje i prekur. Luca është biznesmeni që provokon, pastaj qan, pastaj kërkon t'i kërkohet falje dhe pastaj bashkohet me fushatën shpifëse për ta quajtur Erebaren pseudo gazetar dhe atentator. Ai i ofendoi protestuesit duke i quajtur hiç, por kur ata iu përgjigjën, nuk pranoi peshën e asaj që kishte nisur dhe vrapoi te policia për t'u mbrojtur. Gjergj Erebara nuk është nga ata gazetarë që Luca i ul në tryezë dhe i jep leksione morali, sepse Erebara nuk ka pse t'i kërkojë falje grabitësve të pronave të shtetit me 1 euro dhe të dyshuarve për trafik ndërkombëtar droge.

Erebara doli në mbrojtje të qytetarëve që Luca i fyeu me të njëjtën lehtësi që ai përdor kur "lan këmbët" e qeverisë. Luca nuk është viktimë. Luca është pjesë e një mekanizmi që përdor biznesin si armë politike dhe policinë si mjet për të ndëshkuar ata që nuk i përkulen.

Të gjithë ata që sot po sulmojnë gazetarin e BIRN kanë një emërues të përbashkët: Edi Ramën! /Pamfleti

 

gjergj erebara birn protesta flamingo gjergj luca taulant balla

1 Komente

  1. a
    astrit

    E bukur! Më pëlqeu logjika e shkrimit.

    Lini një Përgjigje