TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë19 Janar 2025, 12:12

Nga Rama, te Berisha, Meta dhe Dumani, të gjithë nën ankthin e rikthimit të Trump!

Shkruar nga Pamfleti
Nga Rama, te Berisha, Meta dhe Dumani, të gjithë nën ankthin e
Berisha-Dumani-Rama-Meta

Çfarë do të sjellë në Tiranë rikthimi i Trump?

E gjithë bota do të jetë nesër me sytë nga Capitol Hill. Donald Trump rikthehet për herë të dytë si president i SHBA, por këtë herë me një tjetër frymë.

Mesazhet që ai dha gjatë fushatës ishin shumë të forta dhe të gjithë i janë “gjunjëzuar”. Ata që dikur e shpallën armik sot e kanë bërë mik dhe nesër në ceremoni do të jenë krah tij. Vetë Trump ka paralajmëruar një epokë të re me rikthimin e tij dhe padyshim me interes po ndiqet edhe nga Shqipëria.

Janë të shumtë politikanët shqiptarë që kanë siguruar një biletë për të qenë diku nëpër cepat e Kapitolit, për të treguar se janë mbështetës të Trump. Por ceremonia nesër do të bëhet e mbyllur dhe kjo duket se i prishi punë Këlliçit, Mediut dhe shumë të tjerëve që kërkonin me ngulm të jenë në ceremoni.

Por çfarë do të sjellë epoka e Trump dhe kush po e pret me shumë interes në Tiranë?

Kur Trump fitoi zgjedhjet, në PD u hap shampanja. Berisha një javë rresht nuk reshte në media duke përmendur rikthimin e tij. Shpresat e Berishës janë se tani ai nuk do të ketë me telashe me drejtësinë. Ish-kryeministri është nën akuzë për korrupsion dhe ka shpresa se Trump do ndikojë që ai të dalë i larë. Po ashtu shpresa e tij më e madhe është se do t’i hiqet damka e “non gratës”.

Nga ana tjetër me shpresë është edhe Ilir Meta. Kreu i PL ndodhet në qeli po për korrupsion dhe mban veten me gajret se me rikthimin e Trump do të marrë fund drejtësia e re dhe ai do ja hedhë paq.

Por teksa këta të dy nuk e fshehën gëzimin nga fitorja e Trump, ai që është gëzuar më shumë është Edi Rama. Dikur e shante Trumpin, por sot thotë fjalët më të mira për të. Teksa Berisha e Meta kanë vetëm fjalët, Rama ka pushtetin dhe pak ditë më parë dha sinjalin e parë të afrimit me Trump.

Kryeministri shpalli investitor strategjik dhëndrin e Trump, duke konfirmuar në këtë mënyrë nisjen e punës për Sazanin. Rama synon të “miqësohet” me Kushner dhe përmes tij me Trump. Kryeministri ka disa halle. Edhe ai ka drejtësinë, pasi edhe pse mburret në media, në fakt nuk e do dhe frika e tij ishte se demokratët do i hapnin punë me rastin McGonigal. Po ashtu, Rama shpreson se me fitoren e Trump do rrisë jetëgjatësinë në pushtet dhe të shtojë suksesin në arenën ndërkombëtare.

Padyshim edhe ai që po e pret me ankth kthimin e Trump është Altin Dumani. Deri më sot, kreu i SPAK ka pasur mbështetje maksimale nga SHBA. Madje ai u shpall si hero i luftës antikorrupsion. FBI, DEA, ICITA, apo USAID e kanë mbështetur fort SPAK. Falë amerikanëve sot është goditur deri në nivelet më të larta dhe ankthi është se me rikthimin e tij mund të ndryshojë diçka në këto raporte. Dihet që vetëm SHBA e ndal oreksin e politikës se po të mos jenë ata, SPAK shkrihet që nesër.

Por edhe pse kanë shpresa, Meta, Berisha dhe Rama kanë një lloj frike. Trump ishte ai që solli Yuri Kim në Tiranë. Trump ishte ai që futi sistemin “non grata” duke shpallur Adriatik Llallën të parin të padëshiruar. Ishte ai që mbështeti reformën në drejtësi dhe solli krijimin e SPAK. Pra të gjithë janë në ankth se gjithë ky gëzim mund tu kthehet në bumerang. /Pamfleti

Lini një Përgjigje