
Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit nuk ka ende një afat se kur do të dalin në dritë spiunllëqet e politikës.
Autoriteti i Dosjeve ka nisur lojërat me procesin e hapjes së dosjeve të Sigurimit. Ndonëse u miratuan ndryshimet ligjore për deklasifikimin e të gjitha të dhënave, ende nuk ka asnjë zhvillim.
Pritet me shumë interes hapja e dosjeve për pushtetarët dhe veçanërisht për ish-presidentin Ilir Meta, por duket se do të duhet edhe pak kohë. Ligji ka hyrë në fuqi që në muajin dhjetor, por Autoriteti i Dosjeve deklaron se do të duhet një vit kohë për deklasifikimin e të dhënave. Pak kohë më parë Gentiana Sula premtoi se në fund të marsit do të bëhej publike dosja e spiunit Ilir Metaj, por në fakt nuk ka asnjë lëvizje. Autoriteti përmes një reagimi për mediat shprehet se do i duhet një vit kohë që të bëjë deklasifkimin e pjesës më të madhe të të dhënave.
“Autoriteti nxori vendimin me nr.31 për zbatimin e ndryshimeve ligjore. Bazuar në këtë vendim vijoi deklasifikimi sipas listës së inventarëve të dokumenteve ku prioritet për deklasifikim morën dosjet e ndjekjeve dhe bashkëpunëtorëve. Më parë deklasifikimi nga AIDSSH bëhej duke shqyrtuar fletë më fletë, ndërsa ky vendim parashikon shqyrtimin e tyre në nivel dosje. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, Komisioni i Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit, i krijuar pranë Autoritetit, deklasifikoi 609 njësi arkivore me rreth 13.300 fletë dokumente. Brenda vitit, Autoriteti ka parashikuar deklasifikimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh, që mendohet të kalojë shifrat e pesë viteve të shkuara, 2018-2022.
Sipas të dhënave statistikore nga drejtoria e Arkivit të Autoritetit, në vitet 2018-2022 janë deklasifikuar dokumente arkivore me tipologji të ndryshme: dosje ndjekjeje, bashkëpunëtorësh, fashikuj të ndryshëm, kartela, regjistra etj., në total 317.051 fletë. Po gjatë kësaj periudhe, Autoriteti ka shërbyer edhe një sasi të madhe të dokumenteve arkivore, të cilat nuk kanë patur nivel klasifikimi”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet me dije se jo të gjitha dokumentet mund të hapen. Autoriteti njofton se po përgatit ndryshimet me aktet nënligjore për përjashtimin nga deklasifikimi ose kufizimin për rastet kur mund të cenohet siguria kombëtare.
Pra me pak fjalë, nuk ka ende një afat se kur do të dalin në dritë spiunllëqet e politikës. Në AIDDSH ka një kërkesë nga deputeti Kreshnik Çollaku për të dekalsifikuar dokumentet për të gjithë politikanët, por duket se AIDSSH kërkon kohë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje