
Biznesmeni i vrarë, i përfshirë në trafik dhe pastrim parash, ka qenë i mbrojtur nga drejtori aktual i policisë, ndërsa raportet e SHISH dhe AMP tregojnë lidhje të drejtpërdrejta interesash...
Vrasja e Edmond Hykës ka nxjerrë në dritë marrëdhënien e tij të ngushtë me Ilir Prodën, drejtuesin aktual të Policisë së Shtetit. Raportet e SHISH dhe të AMP përmendin favorizime të vazhdueshme, mungesë kontrollesh dhe ndërhyrje në hetime. Hyka, pronar biznesesh të shumta që nuk janë prekur asnjëherë nga policia, është lidhur me Prodën përmes Ulian Shpatarakut, një tjetër oficer i hetuar për trafik droge. Sekuestrimi i telefonit të Prodës nga SPAK dhe dyshimet për dekonspirime të operacioneve e thellojnë më tej dyshimin se Elbasani ka funksionuar si zonë e kontrolluar nga krimi dhe jo nga ligji.
Vrasja e Edmond Hykës në Elbasan, përveçse konfirmoi se personazhe të trafikut të drogës marrin licenca, pastrojnë të ardhurat në biznese, fuqizohen ekonomikisht dhe nuk preken nga shteti, zbuloi edhe mbështetjen që ai ka pasur nga drejtuesi aktual i Policisë së Shtetit.
Në raportet e mëparshme të SHISH Antimafia, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe shërbimeve të tjera të sigurisë, rezulton se në Elbasan, viktima Edmond Hyka është trajtuar si i përkëdhelur dhe i mbrojtur i drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ilir Proda.
Lidhja e tyre filloi në fund të vitit 2021, vetëm një muaj pasi Ilir Proda u emërua zëvendësdrejtor i Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Ajo u kthye në miqësi interesash reciproke pas marsit 2023, kur Ilir Proda u emërua drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan.
Miqësia ra në sy të agjentëve të SHISH, zyrtarëve të policisë dhe qytetarëve të Elbasanit, të cilët raportuan me materiale të mbyllura te ministrat e Brendshëm, te drejtoria e përgjithshme e policisë në kohën e Muhamet Rrumkullakut dhe te kryeministri Edi Rama.
Viktimën Edmond Hyka, të përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe vepra të tjera penale, me kryepolicin Ilir Proda e lidhi Ulian Shpataraku, shefi i Anti Trafiqeve dhe Anti Narkotikëve në Elbasan, i pezulluar nga detyra dhe nën hetim për lirimin e një trafikanti.
Komisari Ulian Shpataraku e kishte Hykën subjekt gjurmimi për trafik dhe shpërndarje droge, ndërsa Ilir Proda e kishte subjekt hetimi për pastrim parash në Elbasan. Pavarësisht këtyre dy roleve, ata krijuan lidhje punësh të pista me të.
Edmond Hyka ishte pronar i “Hollywood Lounge Bar”, pikës së karburantit “Xhaxhi Oil”, shërbimeve të shitjes dhe qirasë së makinave, si edhe firmës “EL-Taxi”. Këto biznese nuk u kontrolluan asnjëherë nga policia e Elbasanit në periudhën kur drejtohej nga Ilir Proda, megjithëse ai merrte informacione të shumta për aktivitetet e tyre.
Ndoshta lidhja e tyre është forcuar nga fakti se Edmond Hyka kishte biznes për shitje dhe dhënie makinash me qira në Elbasan, ndërsa edhe Ilir Proda kishte të njëjtin lloj biznesi në Tiranë, në ortakëri me trafikantin Ylli Cara.
Emërimi i Ilir Prodës në krye të policisë është shoqëruar me akuza për rekomandim dhe këmbëngulje te kryeministri Edi Rama nga grupe të trafikut të drogës, shpërndarjes, kontrabandës dhe pastrimit të parave.
Populli thotë se ku ka zë nuk është pa gjë. Me indicie dhe denoncime të shumta për lidhjet e Ilir Prodës me grupet kriminale, SPAK i ka sekuestruar telefonin dhe po heton për dekonspirim të aksioneve policore në kohën kur ai drejtonte policinë e Elbasanit.
Ndoshta në telefonin e Ilir Prodës SPAK ka gjetur edhe bisedat me biznesmenin e vrarë Edmond Hyka. Prokurorët kanë gjetur më herët biseda të tij me trafikantë, vrasës, kontrabandistë dhe biznesmenë problematikë, kur Proda ka qenë me detyrë në komisariatet e Tiranës, Lezhës, Bulqizës, Korçës, si shef i seksionit të anti trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në Elbasan./Pamfleti
keta police nder 10 kriminele dy I arestojne ndersa me 8 te tjere bashkepunojne. Krimit mbrohet nga policia dhe deputetet