26 raste kontrabande në 4 vjet; si kompania e Ergys Agasit kalonte pa u sekuestruar me dijeninë e Kryeministrit
Nga droga e cigaret te bizhuteritë e paratë e pista; kompania 'EA LOGISTICS' e Ergys Agasit dhe Alqi Bllakos u kap 26 herë gjatë 2021-2025 në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe pikat kufitare, por asnjëherë nuk u sekuestrua, nuk u raportua dhe asnjë punonjës nuk u arrestua. Pse? Sepse pas korrikut 2018, Agasi u bë 'Koordinatori' i Edi Ramës për grupet kriminale dhe emëronte e shkarkonte drejtues policie e doganash...
Lidhjet e Ergys Agasit me Alqi Bllakon u krijuan kur ata ishin pjesë e LSI-së dhe u forcuan kur u bënë pjesë e klanit të Edi Ramës, njëri si "Koordinator" mes kupolës së pushtetit dhe grupeve kriminale, ndërsa tjetri firmosës i aferave të Edi Ramës si drejtor dhe i shpërblyer me mandat deputeti.
Aq shumë i besuar u bë Alqi Bllako, sa sipas përgjimeve në Dosjen Penale Nr. 20/1, provohet se Ergys Agasi e përdorte Bllakon si përcjellës kërcënimesh për dhunë dhe pengmarrje të zyrtarëve të lartë të qeverisë, që refuzonin t'i firmosnin përfitime ekonomiko-financiare, siç veproi ndaj ish-ministrit Damian Gjiknuri.
Por lidhja mes Ergys Agasit dhe Alqi Bllakos ka qenë dhe në biznes, konkretisht ortakëri në kompaninë "EA LOGISTICS" sh.p.k., me aktivitet transportesh mallrash brenda vendit dhe ndërkombëtare, import-eksporte, shit-blerje aksionesh, letra me vlerë, transferta monetare etj.
Kompania u krijua më 27 korrik 2016 nga Edmond Bllako, babai i Alqi Bllakos, dhe nga Ergys Agasi, me nga 50% aksione secili; ndërsa më 26 korrik 2018, Ergys Agasi u bë 100% pronar, duke blerë për 50 mijë lekë aksionet e Bllakos.

Deri në shtator 2017, kur LSI kishte drejtimin e Ministrisë së Transport-Infrastrukturës, Portet Detare, Rinasin, bashkëdrejtimin e pikave doganore dhe disa struktura të SHISH dhe Kufirit, gjatë qeverisjes së përbashkët me PS-në, kompania "EA LOGISTICS" e Agasit e Bllakos kryente kontrabandë mallrash e trafiqe, por edhe prekej nga policia.
Ndërsa pas muajit korrik 2018, kur pronar i vetëm u bë Ergys Agasi, i cili braktisi Ilir Metën e u bë "Koordinator" i Edi Ramës për lidhjet me grupet kriminale dhe shef faktik i drejtuesve të Policisë së Shtetit e doganave, kompanisë së tij iu hapën plotësisht portat e kontrabandës e trafiqeve.

Sipas informacionit që "Pamfleti" ka siguruar nga burime brenda klanit të ish-Drejtorit të Doganave, Gent Gazheli, rezulton se kompania "EA LOGISTICS", tashmë me emrin "EA TOBACO" e Ergys Agasit, vetëm gjatë viteve 2021-2025, është kapur 26 herë me kontrabandë e trafiqe.
Janë konstatuar mallra akcize, bizhuteri, automjete, cigare, pije, celularë, veshje, parfume e ora të shtrenjta, sasi vlere të madhe monetare dhe sasi kokaine, të kaluara si përzierje mallrash kontrabandë në zonat doganore të Durrësit, Tiranës e Vlorës, dhe në pikat doganore kufitare Kapshticë, Kakavijë, Morinë, Han i Hotit e Murqan.
Por për asnjë rast, kompania e Ergys Agasit nuk është sekuestruar, nuk është raportuar nga Drejtoria e Doganave, dhe nuk është proceduar e nuk i është arrestuar asnjë punonjës nga Policia e Shtetit, për shkak të lidhjeve të ngushta me kryeministrin Edi Rama, por edhe sepse Agasi emëronte e shkarkonte drejtues policie e doganash.
Sipas të dhënave që kanë dalë edhe nga përgjimet, që tashmë po i gjurmon Byroja Kombëtare e Hetimit, rezulton se nëpërmjet kompanisë së transportit, Ergys Agasi ka bërë dhe trafik droge e transferta vlerash të mëdha monetare që janë nxjerrë nga Shqipëria dhe janë futur në Shqipëri për financime ndërtimesh e ilegalisht në sistemin bankar privat.
Kontrabanda dhe trafiqet që ka bërë Ergys Agasi nëpërmjet kompanisë së tij "EA LOGISTICS" sh.p.k., tashmë me emër "EA TOBACO", nuk janë penguar, nuk janë proceduar penalisht dhe janë mbajtur të fshehura, me justifikimin se kjo kompani ka qenë vetëm transportuese./Pamfleti
Eh kushedi dhe sa te tjera kane keta e do kene shkruar gabim ne QKB. Dhe kur do mbarojne hetimet se tmerr po degjojm