TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 9 Maj 2026, 21:39

Dosjet e harruara/ Pas Kumbaros, a do të shkojë SPAK te çështjet e tjera të mbetura në sirtar?

Shkruar nga Pamfleti
Dosjet e harruara/ Pas Kumbaros, a do të shkojë SPAK te
Foto ilustruese

SPAK duket se ka nisur të rikthehet te dosjet e vjetra që prej vitesh kanë mbetur pa zhvillime konkrete. Marrja në pyetje e Mirela Kumbaros për shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” shihet si sinjali i parë i një vale të re hetimesh. Por pyetja që shtrohet është nëse Prokuroria e Posaçme do të shkojë deri te dosjet më të bujshme që prekin politikën shqiptare, si Gërdeci, “21 Janari”, dosja “Haklaj”, vrasja e Artan Santos apo misteri i Ervis Martinajt.

Prokuroria e Posaçme suket se ka filluar të hapë dosjet e vjetra.

Thirrja e Mirela Kumbaros pak ditë më parë ishte sinjal i qartë se prokurorët kanë nisur të shplurosin paditë e disa viteve më parë.

Kumbaro u mor në pyetje për shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” dhe prishjen e basorelievit që ishte “Monument Kulture i Veçantë i Klasit të Parë”. Ai u shemb në vitin 2016 dhe SPAK duket se e ka hapur dosjen pas afro 10 vitesh. Çështjen e ka marrë në dorë prokurori Ols Dado, ai që ka në dorë dosjen e Veliajt.

Por pyetja që shtrohet është: A do të shkojë SPAK te dosjet e tjera të bujshme që kanë vite që “flenë” në sirtar?

Padyshim, një dosje e vjetër është ajo e Gërdecit. SPAK në vitin 2023 dërgoi për gjykim Fatmir Mediun, por në atë kohë dosja u nda në dy pjesë. SPAK bëri me dije se po hetonte edhe pjesën e trafikut të fishekëve.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida. Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u regjistruar procedimi penal nr. 279/1 i vitit 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal”, shprehej SPAK. Në këtë episod ka pasur akuza ndaj Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës, si i përfshirë. Mirëpo SPAK deri tani e ka harruar këtë dosje.

Padyshim, “21 Janari” mbetet dosja më sensitive. SPAK e rihapi çështjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, madje ka pyetur edhe disa personazhe, mes të cilëve edhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, por ka 2 vite që nuk ka zhvillime konkrete.

Një dosje e fortë është dosja “Haklaj”. Familja Haklaj ka bërë dy padi në SPAK kundër Sali Berishës dhe personave të tjerë, që sipas tyre janë të përfshirë në masakrat e Tropojës. Kanë kaluar 3 vite nga padia e parë dhe mbi një vit nga e dyta dhe nuk ka zhvillime. Aishe Haklaj është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes dhe vetëm kaq.

Një dosje shumë e bujshme që pritej të sillte tërmet është ajo e vrasjes së ish-bankierit Artan Santo. Në vitin 2021, SPAK rinisi hetimet dhe pritej të zbardhej. Kanë kaluar më shumë se 5 vite dhe askush nuk e di se kush e vrau Santon. Është folur edhe për emra politikanësh të përfshirë, por hetimet kanë ngecur.

Ka edhe dosje të tjera, si koncesionet në shëndetësi, pasi vetëm ai i sterilizimit është mbyllur, ndërsa 3 të tjerët jo. Po ashtu, pritet me interes se çfarë do të zbulohet nga aplikacioni “Ghost”. Ai është përdorur nga disa grupe pas mbylljes së Sky ECC, por ndryshe nga sa ndodhi me këtë të fundit, SPAK deri tani nuk ka marrë shumë të dhëna nga partnerët për “Ghost”. Thuhet se përmes tij mund të zbulohet edhe misteri i zhdukjes së Ervis Martinajt.

Mbetet të presim dhe të shohim zhvillimet. Rasti i Kumbaros sinjalizon se po shihen edhe dosjet e vjetra, por a do të shkojë SPAK te ato që tronditin politikën? /Pamfleti

kumbaro spak dosje te vjetra

1 Komente

  1. M
    Munika

    Turp per shtetin qe lejon kete drejtesi skandaloze te tallet me viktimat e shumta. Duket se familja mafioze non grata ka mundur ta paralizoje drejtesine.

    Lini një Përgjigje