
Shuplaka e BE, aferat e Frida Krifcës mbajnë të bllokuar grup-kapitullin e fundit...
Shqipëria ka hapur sot grup-kapitullin e katërt të negociatave me Bashkimin Europian. Ky zhvillim u trumbetua me të madhe nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si një arritje të madhe në rrugën drejt BE. Kapitulli në fjalë ka të bëjë me “Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme”.
Mirëpo ajo që nuk na thotë kryeministri është fakti se grup-kapitulli i fundit është ende i bllokuar.
Për të qenë më korrektë, deri tani janë hapur:
• Grup-kapitulli 1: Themelet e demokracisë – hapur në tetor 2024
• Grup-kapitulli 6: Marrëdhëniet e jashtme – hapur në dhjetor 2024
• Grup-kapitulli 2: Tregu i brendshëm – hapur në prill 2025
• Grup-kapitulli 3: Rritje konkurruese dhe përfshirëse – hapur në maj 2025
• Grup-kapitulli 4: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme – hapur në shtator 2025
Kapitulli që nuk është hapur ende është ai mbi “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”, pra grup-kapitulli 5.
Që në fillim të këtij muaji, "Pamfleti" paralajmëroi se BE e ka bllokuar këtë grup-kapitull për shkak të problemeve me fondet për bujqësinë. Qeverisë shqiptare i është kërkuar një raport sqarues paraprak për çështjet e bujqësisë, përfshirë edhe administrimin e fondeve të BE-së. Në bazë të këtij raporti do të vendoset nëse do të hapet apo jo grup-kapitulli përkatës.
Sipas mediave ndërkombëtare që kanë pasqyruar aktivitetin e sotëm, plani është që ky kapitull të hapet brenda vitit, por duket se këtë e ka në dorë qeveria shqiptare.
Një ditë më parë, "Pamfleti" raportoi se në Tiranë do të vijë një grup special nga BE, i cili do të verifikojë nga afër nëse qeveria ka ngritur mekanizma kontrolli për fondet që vijnë nga Brukseli.
“Shqipëria dhe Mali i Zi, si vende kandidate për në BE, po marrin tashmë fonde nga BE-ja. Ne duam të zbulojmë se si monitorohen këto shpenzime dhe të shohim vetë ndikimin e parave në terren. Për të pasur një pamje gjithëpërfshirëse, do të takohemi jo vetëm me zyrtarë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile”, tha Kryetari i Delegacionit, Niclas Herbst, përpara nisjes së misionit. Grupi do të zhvillojë takime në Mal të Zi dhe në Shqipëri në datat 16-18 shtator dhe më pas do të dalë me një konkluzion.
Zhvillimi i sotëm nxjerr zbuluar edhe kryeministrin dhe Ministrinë e Jashtme, të cilët në korrik pretendonin se Shqipëria ka hapur grup-kapitullin e fundit me BE. Por në fakt, BE i ka kërkuar Shqipërisë të paraqesë pozicionin e saj; ku ndodhet me reformat, çfarë planesh ka për të ardhmen, si i menaxhon fondet e BE-së, si qëndron me standardet, e me radhë.
Me pak fjalë Rama duhet të lëshojë Frida Krifcën. Abuzimi ndodhi kur ajo drejtonte AZHBR. Rama më pas e bëri ministre Bujqësie. Pasi shpërtheu skandali e hoqi si ministre, por e mori këshilltare, ndërkohë që SPAK nga ana tjetër ka një dosje voluminoze nga OLAF kundër saj dhe nuk vepron. /Pamfleti
As qe diskutohet qe do shitet. Rama eshte legen por i mencur. I ruan figurat e konsumuara per te ushqyer publikun e uritur