Kështu e kanë kaluar lumin gjithë prokurorët deri më sot; mirë me mafien e mirë me Amerikën.
Se mos vetëm këta.
Të gjithë politikanët, zyrtarët, kriminelët, hajdutët, pasanikët, thuaj se të gjithë milionerë nga hiçi janë, e kanë refleks refrenin e njërës prej këngëve të bukura tonat: Mirë me vjehrrën, mirë me burrin/ llafi i mirë moj zbut dhe gurin/ Merri punët urtë e but/ tërhiqe perin, mos e këput.
Kështu pra, tërhiq e mos këput, është ekuacioni me shumë të panjohura që na la Ramiz Alia e që nuk zgjidhet në asnjërën barasnatë.
Se dy janë barasnetët që diskutohen këtej, çdo vjeshtë që gjoja do të arrestohen ‘peshq të mëdhenj’, dhe çdo pranverë arabe që e nisin patronazhistët dhe e mbyllin po ata.
Në fakt, çdo 21 shtator, rrezet e diellit amerikan bien mbi SPAK e nisin ta mundin me terr mafien, por çdo pranverë, si me thënë çdo 21 mars, vjen ekuinoksi tjetër dhe u jep diell e oksigjen hajdutëve.
Që të jemi në klasën e lexuesve tanë besnikë, të flasim më kuptueshëm:
Sa herë Altin Dumani e shtrëngon “rripin” e drejtësisë në “vrimën” “askush nuk është mbi ligjin”, shqiptarët bëhen gati për arrestime të 4 Klaneve Mafioze që ambasadori Donald Lu i ka lënë me emra e mbiemra.
Në gjithë këto raste, pra në ekuinoksin e vjeshtës, 20 familjet kriminale luajnë zaret e fatit, sa në spirancën që mban lidhur varkën e Yuri Kim afër SPAK-ut, sa në spitalin partizan të Edi Ramës, ku vetë Altini lidhet me fashë si Pitkini e na shkrin gazit.
Hej miq, e dini pse Norman Uisdom, legjenda e filmave komikë britanikë, njihet e duartrokitet edhe sot më shumë në Shqipëri se sa në Angli?!
Sepse kështu na ka edukuar mafia përmes dhunës!
E dëgjuat ju atë pyetjen që u bë “nuskë” diplomatike, cilin libër keni lexuar të fundit?!
Po ç’ne të lexojnë libra këta zyrtarët e patronazhistët idiotë që nuk dinë as nga u vijnë milionat e dollarëve?!
Ata që lexojnë e diskutojnë në nivelet më elitare të botës me rregulla, liri e demokraci, nuk janë as milionerë arrogantë, as skllavë anadollakë.
Miku ynë Lu, na ka lënë të lexojmë novelën “4 Klanet Mafioze dhe 20 familjet kriminale”, libër që është futur në shtypshkronjën e rrugës së Elbasanit prej shumë vitesh, por që patronazhistët që punojnë sa në ambasadë sa tek Edi Rama apo bashkitë hajdute, nuk e nxjerrin në treg edhe sikur t’ua shkulësh mushkëritë si Covidi, apo t’ua marrësh jetën avash-avash, si ato kafetë që flitet se po eliminojnë njerëz në disa nga lokalet e Monikës.
Nëse një patronazhist, në sportelin Nr. 6 të ambasadës amerikane, ka pyetur një botues gazete prej 24 vitesh, ku i merr paratë si botues, thua se është Altin Dumani i Edi Ramës ai, pse të mos pyesim edhe këta të FBI-së për këto krimet që i di gjithë fshati.
Dilni pyetni ndonjë kamarier të Ilir Metës, apo miq të tij që kalojnë doganën e Hanit të Hotit e sjellin ampula që shkrihen në kafe e në pak muaj i kalojnë kundërshtarët në jetën e amshuar.
Fakte doni?!
Jo nuk kemi asnjë, por biseda kafenesh dhe paralajmërime, mos pini kafe në filan vend, kemi që ç’ke me të.
FBI-në e fshatit tonë, vetëm ta pyesësh ka mjaft gjurmë krimi edhe në filxhan të kafesë, me efekte disa mujore, por “vrimën” ku drejtësia e shtrëngon “rripin”, këtej e përcakton Edi Rama dhe Mafia që i shkon pas.
Ju thoni se Dumani po luan me hile?!
Normale që po, deri në momentin që të arrestojë të paktën një ministër hajdut, një deputet hajdut apo një anëtar të familjes kryeministrore, pasi secili kësish, është bërë sheik e nuk do mund të tregojë nga i erdhën milionat e dollarëve.
Në këtë stacion ku ne presim trenin e drejtësisë, pyesim, a do mundet Altin Dumani ta mbajë mirë me Mafien e mirë me Amerikën?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje