Projekti miliardash i Jared Kushner-it në jug të vendit ka shërbyer si shkëndijë për një lëvizje të fuqishme qytetare, që po mbush sheshet e Tiranës në shenjë revolte ndaj turizmit të luksit që përjashton vendasit. Kjo protestë paqësore ka kanalizuar lodhjen e thellë të shqiptarëve nga korrupsioni, mungesa e transparencës dhe një sistem politik që pasuron elitën në dëm të pasurive publike.
Protestat në Shqipëri janë kthyer tashmë në rutinë. Çdo mbrëmje, protestuesit mblidhen në Sheshin “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Sa më shumë nxehen ditët e verës, aq më shumë shtyhet ora e takimit fillimisht në 18:00, pastaj në 19:00, e tani diku nga ora 20:00.
Turma mblidhet dhe marshon drejt kryeministrisë. Atje zhvillojnë një tubim të shkurtër dhe mbajnë fjalime, përpara se të vijojnë marshimin rreth ministrive ose përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës. Të njëjtin ritual e përsërisin edhe të nesërmen.
Kjo gjë vazhdon prej plot 46 ditësh. Lëvizja nisi në fund të majit në Zvërnec të Vlorës, pasi rojet e një kompanie private sigurimi u përleshën me banorët vendas. Këta të fundit po protestonin kundër vendosjes së një gardhi me tela me gjemba që u bllokonte daljen në plazh.
Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush e vendosi gardhin, kjo pjesë e bregdetit është lidhur direkt me Jared Kushner-in, dhëndrin e ish-presidentit Trump. Në vitin 2024, Kushner njoftoi planet për të investuar në këtë pjesë të bregdetit të Zvërnecit dhe për të ndërtuar një resort luksoz miliarda dollarësh në Ishullin e Sazanit, ku dikur ndodheshin reparte ushtarake.
Pikërisht në javën kur rojet private tërhiqnin zvarrë një protestues vendas, Ivanka Trump bashkëshortja e Kushner-it dhe vajza e ish-presidentit tregoi në një podcast se si ajo dhe Kushner e kishin “zbuluar” Sazanin gjatë një xhiroje me varkë.
“Përveç ishullit, kemi edhe rreth 8 km vijë bregdetare përballë tij. Është një gadishull i mrekullueshëm, me një lagunë në njërën anë dhe detin në anën tjetër, me plazhe fantastike me rërë të bardhë”, i thoshte Ivaka moderatorit David Senra.
Por kjo lagunë është pjesë e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, një ligatinë shtegtimi për shpendët dhe një habitat kritik për rreth 70 specie në rrezik zhdukjeje. Grupet mjedisore kanë vite që luftojnë kundër planeve për të ndërtuar në këtë zonë.
Ndërhyrja e dhunshme në Zvërnec u kthye shpejt në simbolin e një rrëmbimi toke jotransparent dhe pa asnjë llogaridhënie. Prej këtu shpërtheu ai që po quhet “Revolucioni i Flamingove” si një homazh për shpendët që popullojnë lagunën e rrezikuar.
Kjo lëvizje ka kanalizuar zemërimin e thellë dhe lodhjen e publikut nga një sistem politik i kalbur dhe i korruptuar. “Është thjesht ajo ndjenja që ne, si shqiptarë, nuk jetojmë dot më në vendin tonë; që Shqipëria po kthehet në parajsë për të huajt dhe në ferr për vendasit”, thotë Arilda Lleshi, një nga aktivistet e përfshira në protesta.
Kur protestat u zhvendosën në Tiranë, Lleshi u çudit tek pa që çdo ditë e më shumë njerëz po dalin në shesh. Nuk ishin më vetëm protestuesit e zakonshëm, por familje të tëra, që nga të moshuarit e deri te fëmijët e vegjël.
Si aktiviste e vjetër, ajo ishte mësuar që tubimet të shuheshin apo të fashiteshin shpejt. “Kjo energji nuk duket se do të ndalet lehtë”, thotë ajo. Ky marshim po kthehet në një nga mobilizimet më të mëdha, më jetëgjata dhe më paqësore që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990.
“Është një protestë shumë paqësore dhe mendoj se kjo është arma jonë më e fortë”, thotë Xhemal Xherri, aktivist dhe mbrojtës i mjedisit nga PPNEA, organizatë që po lufton për mbrojtjen e Vjosë-Nartës.
Në një cep të sheshit, fëmijët pikturojnë dhe përgatisin pankarta. Shpirti i flamingove është kudo: në pankarta, vizatime apo figura kartoni që ngrihen mbi turmë. Kryeministri Edi Rama i ka sulmuar ashpër protestat, duke fajësuar që nga ndërhyrjet e huaja e deri te ndjenjat globale anti-Trump.
Ai ka qëndruar evaziv mbi statusin real të projektit në Sazan, por i ka mbrojtur me forcë këto lloj investimesh. “Shqipëria s’duhet t’i trembet një projekti kaq të jashtëzakonshëm, ku partnerë kaq seriozë bëhen bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, ka thënë Rama, sipas Al Jazeera-s.
“Nuk ka asnjë shans që ky investim të ndalet për sa kohë që unë jam këtu”, theksoi ai. Edhe pse dorëheqja e Ramës është një nga kërkesat kryesore, zemërimi i protestuesve drejtohet ndaj të gjithë klasës politike, nga partia në pushtet e deri te lideri i opozitës, Sali Berisha.
Një nga parullat më të dëgjuara në shesh është: “Rama në burg, Berisha në burg”. Migen Qiraxhi, aktivist nga OJQ-ja Qëndresa Qytetare, thotë se njerëzit janë lodhur duke parë udhëheqësit që “i mbajnë të gjitha përfitimet për vete, në vend që ato të shpërndahen tek pjesa tjetër e shoqërisë”.
Projekti i Kushner-it është vetëm simboli i kësaj krize, por protestat po godasin pikërisht ato forca politike që e mundësuan këtë pazar. Në vitin 2024, parlamenti shqiptar miratoi Ligjin Nr. 21/2024, i cili lejoi ndërtimin e resorteve luksoze me pesë yje në zonat e mbrojtura, bashkë me të gjithë infrastrukturën shoqëruese elektrike dhe ujore.
Po atë vit, Kushner publikoi projektet e para 3D për Sazanin dhe bregdetin jugor.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për këtë rast dhe për aspekte të tjera të projektit. Këtë javë, SPAK njoftoi se po heton biznesmenin Artur Shehu, me banim në Majami, nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve të pronësisë së tokës ku planifikohet të ndërtohet resorti.
Ndonëse projekti fillimisht lidhej me firmën e Kushner-it Affinity Partners (e financuar nga miliarda dollarë nga Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet), kompania që po e menaxhon aktualisht është Sazan Real Estate Development LLC, ku bëjnë pjesë partnerë amerikanë, grupi katarian Assets Group dhe kompania shqiptare Kastrati.
Lidhur me hetimet e SPAK, një zëdhënës i Sazan Real Estate Development LLC deklaroi përmes një emaili: “Ne nuk jemi palë në këtë çështje dhe as subjekt i ndonjë hetimi. Besojmë plotësisht se blerja e tokës është bërë në mënyrë të ligjshme dhe sipas procedurave. Si gjithmonë, jemi të hapur të bashkëpunojmë me drejtësinë për çdo proces ligjor”.
Sa i përket resortit, zëdhënësi shtoi se “projekti është ende në fazën e planifikimit dhe projektimit, dhe ekipi ynë po punon për të detajuar vizionin tonë përmes një procesi të kujdesshëm që i jep prioritet mbrojtjes së mjedisit dhe nxjerrjes në pah të bukurisë natyrore të vendit”.
Megjithatë, protestat e pandalshme tregojnë se shqiptarët nuk i gëlltitin më arsyetimet e investitorëve. Siç u shprehën shumë qytetarë, njerëzit nuk janë parimisht kundër zhvillimit apo investimeve të huaja, por kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.
“Problemi nuk është se kush është investitori, por nëse respektohet shteti i së drejtës; nëse qytetarët ndihen të informuar, të konsultuar dhe të përfaqësuar kur merren vendime që prekin komunitetet e tyre dhe pasuritë publike”, shprehet Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinki-t.
Ose siç thotë Qiraxhi, premtimet për pasuri nga këto projekte përfundojnë gjithmonë në afera korrupsioni. “Nuk është se kjo qeveri ka bërë 10 kryevepra dhe qytetarët po refuzojnë të 11-tën”, shton ai.
Shqipëria mbetet një nga ekonomitë më të varfra në Evropë, me një normë të lartë emigrimi, sidomos mes të rinjve që kërkojnë punë dhe arsim më të mirë. Rama dhe zyrtarët janë përpjekur ta shesin Shqipërinë si destinacion të investimeve të huaja, veçanërisht në turizmin e luksit, me premtimin e paprovuar se këto para do të pasurojnë edhe popullin.
“Shëndetësia është katastrofë. Sistemi arsimor është katastrofë. Ndërkohë, Rama flet për marina jahtesh, resorte luksoze dhe kullën më të lartë në Tiranë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me hallet e përditshme të njerëzve, por janë tërësisht në shërbim të asaj që Bernie Sanders-i juaj do ta quante “klasa e miliarderëve”, thotë Blendi Kajsiu, politolog shqiptar dhe profesor në Universitetin e Antioquia-s në Kolumbi.
Kjo qasje rrezikon të thellojë tensionet në një sektor turizmi që tashmë po rritet me ritme të frikshme. Sipas INSTAT, në vitin 2024 turizmi pësoi një rritje prej 82 për qind krahasuar me vitin 2019, duke përbërë rreth 22 për qind të PBB-së së vendit.
Por ky hov ka sjellë shqetësime të mëdha për betonizimin e vijës bregdetare. Kostoja e jetesës është rritur, ndërsa kritikët thonë se turizmi po gllabëron burimet në dëm të nevojave të vendasve. Hapësirat publike, si plazhet, po privatizohen me shpejtësi, dhe pikërisht ky përjashtim i qytetarëve qëndron në zemër të protestave.
Pushteti publik në Shqipëri është privatizuar nga paratë dhe interesat e korruptuara, argumenton Kajsiu. “Së pari privatizohen institucionet, qeveria dhe parlamenti. Pastaj privatizohen territoret dhe nisin të vendosen gardhe rreth pronave dhe hapësirave publike”, thekson ai.
Xherri, mbrojtësi i mjedisit, sjell në vëmendje dunat e rërës në Zvërnec. U janë dashur qindra vjet për t’u formuar, por mund të shkatërrohen brenda pak orësh. Ato janë monumente natyre dhe duhet t’u përkasin të gjithë shqiptarëve.
“Nëse resorti ndërtohet, ky monument natyre dhe ky plazh do të kthehen në zona të ndaluara (praktikisht ilegale) për pjesën tjetër të popullsisë”, shprehet ai. Për momentin, punimet në Zvërnec kanë ndaluar, thotë Xherri, ndonëse e di mirë që kjo betejë nuk mbaron këtu. E megjithatë, është një arritje.
“Njerëzit janë vërtet të revoltuar me këtë qeveri dhe me arrogancën e saj. Nuk kemi fitore të mëdha, por kemi disa beteja të fituara dhe nuk do të ndalemi”, përfundon ai./Përshtati "Pamfleti", nga “America Prospect”
Lini një Përgjigje