Përkeqësimi i kushteve atmosferike i parashikuar për orët në vijim ka sjellë edhe reagimin e Policisë së Shtetit, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë e tyre.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën me dije se, duke filluar nga mesdita e datës 24 korrik deri në paraditen e 25 korrikut, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit nuk duhet të dalin në det të hapur jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, si edhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike.
Autoritetet u kërkojnë drejtuesve të mjeteve lundruese të marrin në konsideratë përkeqësimin e motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të personave që ndodhen në bord.
Policia apelon gjithashtu për kujdes të shtuar edhe në qarkullimin rrugor. Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve këshillohen të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, ndërsa këmbësorët të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku priten reshje dhe lagështirë në rrugë.
Njoftimi i policisë
Në bazë të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike, Policia e Shtetit njofton se, duke filluar nga mesdita e datës 24.07.2026 deri në paraditen e datës 25.07.2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, të shmangin daljet në det, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.
Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Po ashtu, nisur nga parashikimet për përkeqësimin e kushteve atmosferike gjatë ditës së nesërme, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.
Këmbësorët këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve apo lagështirës në rrugë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.
Lini një Përgjigje