Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar protestën e zhvilluar në bulevard gjatë muajit qershor si një sinjal se qeveria duhet të ndryshojë mënyrën e qasjes ndaj qytetarëve dhe të përshtatet me kërkesat e tyre.
Ndryshe nga qëndrimet e kaluar, Rama e cilësoi protestën në bulevard si një "pasqyrë" për qeverinë, duke pranuar se pritshmëritë dhe kërkesat reale të qytetarëve tashmë janë më të mëdha se aftësia e institucioneve për t'iu përgjigjur atyre.
Në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, kreu i qeverisë tha se statistikat nuk janë më të mjaftueshme për t'iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve, të cilat sipas tij janë rritur më shpejt se ritmi i përgjigjeve të institucioneve.
Rama u shpreh se protesta, të cilën ai e quajti "bulevardi i flamingove", nuk duhet parë thjesht si një reagim qytetar, por si një moment reflektimi për mazhorancën, dukë paralajëmruar ndryshime rrënjësore.
“Mësimi i parë nga ajo protestë është që faktet tona nuk mjaftojnë më, sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më me kënaqësinë e ndryshimeve apo inkurajimin e gjërave që ndërtohen.
Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’u përgjigjur. Në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin me tension, me atë që shohin dhe me atë që kanë, herë si burim pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt.
Me fjalë të tjera, nuk mjafton më të qeverisim të tashmen me investime, arritje e integrime, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarëve, sepse zemrat dhe mendjet e tyre nuk janë më aty ku ishin dje, te çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar te pritshmëritë e tyre.
Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë, por si një pasqyrë që Shqipëria na e vuri para, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re, të cilën me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasën e saj.
Unë vetë në pasqyrën e bulevardit pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është ajo e mungesave. Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve të rrënimit dhe poshtërimit dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmija një dhurate.
Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard, jo fitore. Çdo shërbim i mirë merret si i mirëqenë dhe asnjë mungesë shërbimi nuk durohet më dot. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq. Toleranca e saj ndaj çka nuk shkon vjen duke u zvogëluar, sepse kjo epokë është “ka edhe më mirë”.
Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar një i vetëm zyrtar i lartë. Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fatalitet i një fatkeqësie kronike natyrore. Pyetjes nëse e besonin se ata do të shihnin një ditë zyrtarë të lartë para drejtësisë, i përgjigjeshin jo", u shpreh Rama.
Bëni ndryshimet në ligjin antimafia ashtu sikurse j'ua kërkoi Klodian Braho Drejtues i SPAK. Pse se përfshitë në ligjin antimafia/2009? Hetim pasuror për politikanët që kanë administruar dhe ushtruar pushtet në këto 36 vjet. Për ta dhe për gjithë soj e sorollopin e tyre.