TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2025, 15:29

Videoja virale me Barack Obama, Trump: Dukemi si njerëz që e pëlqejnë njëri-tjetrin

Shkruar nga Pamfleti

Videoja virale me Barack Obama, Trump: Dukemi si njerëz që e

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka komentuar momentin viral të bisedës së tij me Barack Obamën, në funeralin e ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter.

Trump u pyet nga një gazetar lidhur me videot që kanë bërë xhiron e rrjetit, teksa shihet me Obamën, të ulur krah për krah në funeral, duke biseduar dhe buzëqeshur.

Atmosfera miqësore e bisedës së regjistruar nga kamera me ish-presidentin demokrat bëri bujë, pasi marrëdhëniet mes dy politikanëve nuk kanë qenë asnjëherë të ngrohta, ndërkohë që disa herë ata kanë bërë edhe deklarata të ashpra për njëri-tjetrin.

“Nuk e kuptova se sa miqësore dukej biseda”, tha Trump nga rezidenca e tij në Mar A Lago, Florida.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Trump u shpreh se edhe atij i ka bërë përshtypje kur i ka parë pamjet.

“Po mendoja se dukemi si njerëz që pëlqejnë njëri-tjetrin. Dhe ndoshta kjo është e vërtetë. Ne kemi filozofi paksa të ndryshme, por ndoshta na pëlqen njëri-tjetri, nuk e di. Po kalonim mirë. Por gjithsesi kam shkuar mirë pothuajse me të gjithë”, tha Trump.

Presidenti i zgjedhur republikan refuzoi të zbulojë detaje nga biseda e tij me Obamën, ndërsa pala e ish-presidentit demokrat nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të gazetarëve.

Kjo sigurisht nuk i pengoi disa media amerikane që të përpiqeshin të zbulonin se për çfarë po flisnin ata në funeral, duke përdorur metoda si leximi i buzëve.

Sipas një eksperti të New York Post, pavarësisht gjuhës miqësore të trupit, buzëqeshjeve dhe batutave, biseda mes Trump dhe Obamës kishte një anë serioze, pasi Trump i kërkoi Obamës që më vonë të gjente një vend të qetë për të diskutuar një çështje e rëndësishme.

“Më telefononi më vonë, në holl”, tha fillimisht Trump, ndërsa Obama u shfaq duke i kërkuar që t’i tregonte atë që donte.

“Nuk mund të flas tani, duhet të gjejmë një vend të qetë. Është e rëndësishme, duhet të flasim jashtë”, vazhdon republikani, ndërsa Obama tundi kokën.

Ndonëse nuk dihet se çfarë ishte kjo çështje, detajet e zbuluara nga eksperti i fjalëve të gojës Jeremy Freeman “tregojnë” se mund të jetë një çështje ndërkombëtare.

Në një moment, Trump u përkul në anën e Obamës dhe tha: “Jam tërhequr nga kjo. Problemi janë kushtet. A mund ta imagjinoni këtë?”.

Lini një Përgjigje