TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Shkurt 2024, 09:45

Turqia kërkon të mbetet “anadollake”, si duhet të sillet Perëndimi me të

Shkruar nga Soner Cagaptay
Turqia kërkon të mbetet “anadollake”, si duhet të
Erdogan me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama /

 

Erdoganit i pëlqen të shihet si qendra e gjërave, me botën që rrotullohet rreth Turqisë. Ai është përpjekur të shërbejë si arbitër në luftën në Ukrainë, ka luajtur një rol aktiv në Kaukazin e Jugut dhe ka projektuar fuqinë e Turqisë në Sahel, Bririn e Afrikës, Kaukazin Jugor dhe Ballkanin Perëndimor...

Në fund të muajit janar, parlamenti turk ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO, duke i dhënë fund një bllokade gati 2-vjeçare nga qeveria turke. Ankaraja e kishte penguar hyrjen e Stokholmit në aleancë, me justifikimin se Suedia ka lejuar të veprojnë në territorin e saj anëtarët dhe mbledhësit e fondeve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, një grup i listuar si terroristë në nivel ndërkombëtar, teksa po lufton prej dekadash ndaj shtetit turk.

Megjithatë bllokada u hoq pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan siguroi atë që donte vërtet: 40 avionë luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara, përmirësime të pajisjeve për flotën ekzistuese të avionëve ushtarakë turq dhe një mundësi potenciale për të takuar presidentin e SHBA-së Joe Biden.

Fakti që Uashingtoni ra dakord mbi një marrëveshje prej 23 miliardë dollarësh për blerje armësh dhe pajisjesh, nuk është diçka e parëndësishme. Sepse SHBA kishte vendosur  de facto një embargo ndaj Turqisë, që kur Ankaraja në vitin 2017 bleu sistemet ruse të mbrojtjes raketore.

Nga ana tjetër, Joe Biden është i vetmi president amerikan që nuk e ka ftuar Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë në dy dekadat e këtij të fundit në pushtet. Megjithatë Shtetet e Bashkuara janë aq shumë të interesuara të forcojnë radhët brenda NATO-s dhe të sheshojnë çdo lloj mosmarrëveshje brenda aleancës, saqë kanë pranuar t'i nënshtrohen kërkesave turke.

Dhe kjo i ka dhënë Erdoganit një fitore të madhe diplomatike. Madje zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet se Biden mund të ftojë së shpejti homologun e tij turk në Shtëpinë e Bardhë. Disa analistë e kanë interpretuar këtë marrëveshje si një rivendosje të madhe në marrëdhëniet e SHBA-së me Turqinë.

Sipas tyre lejimi i hyrjes së Suedisë në NATO, mund të sjellë ri-forcimin e lidhjeve midis Turqisë dhe Perëndimit, dhe mund të sinjalizojë përafrimin më të ngushtë të Turqisë me anëtarët kryesorë të aleancës për të gjitha çështjet. Por kjo analizë kaq e thjeshtëzuar e  keqkupton orientimin e vërtetë gjeopolitik të Turqisë.

Sepse marrëveshja pasqyron në fakt natyrën thelbësisht transaksionale të politikës së jashtme turke nën udhëheqjen e Erdoganin, që për hir të ambicieve të tij është gati ta kthejë kokën nga Lindja, Perëndimi, Veriu dhe Jugu. Në të vërtetë, brenda Turqisë po ndodh një ndryshim edhe më i thellë dhe më i rëndësishëm, i cili po e largon atë nga Perëndimi.

Themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal, i njohur gjerësisht Ataturk, e cilësoi atë një republikë laike evropiane. Shumë udhëheqës dhe elita turke e ndoqën Ataturkun në përpjekjen për ta modernizuar shtetin dhe institucionet e tij sipas modeleve evropiane.

Ata do të siguronin anëtarësimin e vendit në NATO në 1952 dhe më vonë do të përpiqeshin të bëheshin pjesë e Bashkimin Evropian. Por të paktën që nga vitet e para të këtij shekulli, elitat turke dikur me prirje perëndimore, nisën të humbnin kontrollin mbi një shoqëri që ata ishin përpjekur ta drejtonin që nga themelimi i republikës, në vitin 1923.

Erdogan e mishëron këtë ndryshim, ndonëse nuk është plotësisht përgjegjës për të. Në dallim nga Ataturku, i cili ishte me origjinë nga provincat evropiane të Perandorisë Osmane, Erdogan vjen nga Anadolli. Baza e tij politike përbëhet nga anadollakë të devotshëm, shumë prej të cilëve nuk kanë qenë asnjëherë plotësisht dakord me projektin radikal laik të Ataturkut.

Prandaj, Turqia e Erdoganit ka më pak lidhje emocionale dhe politike me Perëndimin. Turqia e re që ai ka krijuar është e ankoruar jo në Evropë, por në brendësi të Gadishullit të Anadollit. Politika e saj e jashtme përfaqëson ndjeshmëritë politike dhe kulturore të anadollakëve që janë shumë larg etikës laike të elitave që themeluan vendin.

Sigurisht, kjo s'do të thotë se Turqia do të braktisë vendin e saj në tryezën e Perëndimit. Tek e fundit, synimi i Turqisë për t'iu bashkuar Perëndim, që i ka fillesat tek përpjekjet e para për evropianizim nga elitat osmane në fillim të shekullit XVIII, është po aq i vjetër sa vetë Evropa moderne.

Por me qendrën e saj të gravitetit që gjendet tashmë në Anadoll, mund të pritet që Turqia të pozicionohet si një fuqi hibride midis Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës. Kjo sepse tani Turqia e sheh botën përmes “lentes” anadollake. Qëkur u ngjit Erdogan në pushtet, një elitë e ndryshme e biznesit, ka pasur ndikim dhe e ka formësuar axhendën politike.

Bizneset dhe miliarderët me origjinë nga Anadolli e mbështesin presidentin dhe inkurajojnë Turqinë që të heqë dorë nga angazhimi i saj ndaj sekularizmit kemalist, të mbajë lidhjet ekonomike me Rusinë dhe të rrisë ndikimin e saj politik në vendet e hemisferës jugore.

Erdogan nuk është shkaku i këtij ndryshimi. Ai është më shumë një simptomë kryesore e tij. Elitat e reja anadollake të Turqisë nuk e shohin identitetin e vendit në kushtet e përcaktuara nga Ataturku dhe pasardhësit e tij kemalistë. Këto elita, të ndikuara shpesh nga llojet më konservatore të Islamit, e shohin Islamin si element të qenësishëm të identitetit kombëtar të Turqisë.

Këto elita të reja e mbrojnë Islamin me aq energji sa Ataturku u përpoq ta shtypte atë. AKP është përpjekur prej kohësh të sfidojë dhe më pas të eliminojë lidhjen e epokës kemaliste të Turqisë me Evropën dhe Perëndimin. Sapo erdhi në pushtet, Erdogan e ka hequr ndalimin e hixhabit të epokës kemaliste, dhe ka lejuar që Islami të ketë shumë ndikim në kurrikulën arsimore por edhe në jetën politike të vendit.

Nën sundimin e Erdogan janë përmirësuar lidhejt me Rusinë. Të dyja vendet janë rivalë  historikë dhe ata kanë qenë në kampe të ndryshme në luftërat në Siri, Libi, Kaukazin e Jugut dhe Ukrainë. Madje Ankaraja i ka ofruar Kievit një mbështetje të madhe politike e ushtarake.

Por pavarësisht kësaj konkurrence, Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë pasur një lidhje të ngushtë që nga viti 2016, kur dështoi një përpjekje për grusht shteti në Turqi. Në atë kohë, aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të udhëhequra nga presidenti Barack Obama, humbën një mundësi të madhe duke mos qëndruar pranë Turqisë dhe demokracisë e saj pas përpjekjes traumatike të puçit.

Me shumë zgjuarsi, Putini e priti në Moskë vetëm 2 javë pas grushtit të dështuar, duke krijuar raportin që po zgjat ende sot. Kjo i ka dhënë mundësi Ankarasë dhe Moskës të arrijnë marrëveshje për ndarjen e pushtetit në Siri dhe Libi, ku mbështesin palë të ndryshme në konflikt.

Po ashtu ka një zgjerim të madh të lidhjeve tregtare dhe turistike. Pra 100 vjet pasi u krijua nga Ataturku, Turqia po zhvendoset në vendin e saj natyral, njëlloj si një shtëpi që rivendoset në themelet e saj: në Anadoll, në udhëkryqin midis Lindjes së Mesme, Evropës dhe Euroazisë. Kjo Turqi e sheh ende veten si pjesë e Evropës, por jo në dëm të aleancave të tjera të saj.

Tani Ankaraja ka raporte të ngushta me Iranin, Rusinë, Shtetet e Bashkuara, monarkitë e pasura të Gjirit, Evropën dhe aktorë të tjerë rajonalë dhe globalë, pa e ndjerë se duhet të zgjedhë një partner të preferuar. Aty ku udhëheqësit turq të shekullit të njëzetë kishin një lidhje emocionale me Evropën, Erdogan nuk e bën këtë.

Në këto kushte, mënyra më e mirë që Shtetet e Bashkuara t'i qasen Turqisë është të pranojnë realitetin e këtyre rreshtimeve të shumëfishta. Erdoganit i pëlqen të shihet si qendra e gjërave, me botën që rrotullohet rreth Turqisë. Ai është përpjekur të shërbejë si arbitër në luftën në Ukrainë, ka luajtur një rol aktiv në Kaukazin e Jugut dhe ka projektuar fuqinë e Turqisë në Sahel, Bririn e Afrikës, Kaukazin Jugor dhe Ballkanin Perëndimor.

Atij i pëlqen të jetë marrëveshje-bërësi në konfliktet rajonale, gjë që e forcon pozitën e tij tashmë shumë të fortë brenda vendit. Shtetet e Bashkuara duhet të merren me Turqinë, ashtu siç veprojnë me fuqitë e tjera të mesme, si India dhe Indonezia, duke pranuar se këto vende nuk shohin asnjë kontradiktë në mbajtjen e lidhjeve të forta si me Uashingtonin po ashtu edhe me kundërshtarët e tij./ Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Marrë me shkurtime

Shënim: Soner Cagaptay, drejtor i Programit Kërkimor Turk në Institutin e Uashingtonit, dhe autor i librit “Vjeshta e Sulltanit: Erdogani në përballje me forcat e papërmbajtshme të Turqisë”.

soner cagaptay turqia anadollake perëndimi

Lini një Përgjigje