
Ukraina duket se është gati për të nisur kundërofensivën e shumëpritur. Një ushtar ukrainas, i cili përdor pseudonimin Artur, i tha CNN se brigada e tij është tanimë e përgatitur dhe po pret vetëm urdhrin për nisjen e kundërofensivës.
"Ne jemi gati dhe kemi pritur një kundërofensivë për një kohë të gjatë. Kemi përfunduar furnizimin tonë dhe po presim", tha ai në një mesazh.
Brigada e tij e 46-të e cila ndodhet në drejtim të rajonit jugor të Zaporizhzhia, është mbështetur nga vullnetarë që kanë dhuruar para për drone, kamera, veshje dhe madje edhe makina.
"Ne e dimë se komanda jonë është në gjendje të kryejë një kundërsulm - operacionet pranë Kievit dhe Kharkivit janë një shembull i mirë. Kjo është arsyeja pse ne besojmë në komandën. Dhe gjëja kryesore është se ne do të çlirojmë atdheun tonë, gjë që na jep forcë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha ai.
Por Artur vuri në dukje se disa aspekte të kundërofensive të mundshme shkaktojnë shqetësim për shokët e tij ushtarë.
"Para së gjithash. Ne nuk do të kemi një element befasie. Sepse çdo smartphone po bërtet për këtë kundërofensivë. Pra, [rusët] mund të mos e dinë se ku do të jetë, ose ndoshta e dinë. Dhe nëse e dinë, do të jenë përgatitur”, tha ai.
Artur tha se forcat ruse kanë qenë në gjendje të mbledhin rezerva pasi Presidenti Vladimir Putin njoftoi një "mobilizim të pjesshëm" në shtator 2022, i cili gjithashtu shkaktoi protesta të rralla dhe radhë të gjata makinash për të ikur nga Rusia, pas një kundërofensivë të suksesshme ukrainase.
"Sa më shumë presim dhe grumbullojmë forca, aq më shumë ata godasin magazinat dhe vendet e dislokimit. Dhe ata vazhdimisht sulmojnë vijën e parë të mbrojtjes me avionë. Nëse vazhdojmë të ngecim, mund të mos jetojmë për të parë një kundërofensivë. Për më tepër, nëse po godasin magazinat tona, do të thotë se ata kanë informacionin”, shtoi ai.
Artur tha gjithashtu se forcat ukrainase nuk po presin më për avionë luftarakë, të cilët presidenti Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë u kanë kërkuar vazhdimisht vendeve perëndimore t'i ofrojnë.
"Ne po mësojmë si të luftojmë me atë që kemi. Tanket dhe HIMARS-i duhet ta bëjnë punën," tha ai./CNN
Lini një Përgjigje