TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Janar 2026, 09:53

Trump zbythet në Minneapolis

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Trump zbythet në Minneapolis
Gregory Bovino /

Operacioni federal i emigracionit shembet nën presionin publik: largohet komandanti Bovino, reduktohen agjentët dhe Shtëpia e Bardhë pranon kufijtë e forcës...

Minneapolis është shndërruar në provën më të qartë se politika e forcës federale ka kufij realë, sidomos kur përplaset me qytete të mobilizuara politikisht, institucione lokale rezistente dhe një opinion publik të ndjeshëm ndaj shkeljeve të të drejtave civile.

Administrata e Donald Trump, e ndërtuar mbi retorikën e “ligjit dhe rendit” dhe ofensivën e pamëshirshme kundër emigracionit, është detyruar të tërhiqet pjesërisht nga një operacion që synonte të demonstronte autoritet federal, por përfundoi duke ekspozuar brishtësinë politike dhe institucionale të kësaj qasjeje. Largimi i figurës drejtuese të operacionit dhe reduktimi i pranisë së agjentëve federalë në Minneapolis përbëjnë një zbythje të heshtur, por domethënëse.

Në qendër të kësaj krize qëndron Gregory Bovino, kreu i US Border Patrol dhe figura më e njohur e ofensivës së emigracionit të administratës Trump në Minneapolis. Bovino është hequr ose tërhequr nga roli i tij në qytet dhe do të kthehet në një post të mëparshëm në Kaliforni, ku pritet të dalë në pension. Ky largim, sado që u paketua zyrtarisht si “ripozicionim administrativ”, lexohet gjerësisht si një zgjidhje krize pas polemikave të forta që shpërthyen për shkak të operacioneve federale të zbatimit të ligjit në Minnesota dhe, mbi të gjitha, pas vdekjes së dy civilëve gjatë ndërhyrjeve ku u përfshinë agjentë federalë. Në politikën amerikane, këto lëvizje rrallë janë neutrale: ato janë sinjale.

Operacioni federal, i konceptuar si pjesë e një strategjie më të gjerë për të shtrirë kompetencat e forcave kufitare dhe të emigracionit në qendrat urbane, u perceptua nga autoritetet lokale dhe komunitetet si një provokim i drejtpërdrejtë. Arrestime agresive, prani e armatosur në lagje multietnike dhe një gjuhë zyrtare që shpërfillte realitetin social të qytetit ndezën reagime të menjëhershme. Protestat, refuzimi i bashkëpunimit nga bashkia dhe përplasjet politike e shndërruan Minneapolis-in në një fushëbetejë simbolike mes pushtetit federal dhe autonomisë lokale. Incidentet fatale e zhvendosën debatin nga emigracioni te dhuna shtetërore, duke rikthyer traumën kolektive që qyteti mban ende të hapur prej vitesh.

Ajo që e detyroi administratën Trump të tërhiqet nuk ishte vetëm presioni i rrugës, por edhe kostoja politike në rritje. Kritikat nuk erdhën vetëm nga kundërshtarët tradicionalë, por edhe nga ligjvënës republikanë, të cilët kërkuan hetime dhe transparencë. Në këtë kontekst, vazhdimi i ofensivës do të nënkuptonte përballje të hapur me një qytet simbol, rrezikim të rendit publik dhe përkeqësim të mëtejshëm të imazhit presidencial. Zgjidhja erdhi përmes një formule të njohur: largimi i komandantit, ulja e profilit të operacionit dhe një heshtje e kujdesshme zyrtare për fjalën “tërheqje”.

Minneapolis, në këtë kuptim, nuk e rrëzoi politikisht Donald Trump-in, por i vendosi një kufi të qartë. E tregoi se përdorimi i forcës federale në mjedise urbane të polarizuara nuk prodhon domosdoshmërisht rend, por shpesh rezistencë; nuk ndërton autoritet, por e gërryen atë. Përtej SHBA-së, ky episod ka edhe një domethënie ndërkombëtare: ai sinjalizon se edhe administratat më konfrontuese përballen me kufizime shoqërore dhe morale, të cilat nuk kapërcehen me uniforma dhe urdhra.

Në fund, zbythja e Trump-it në Minneapolis mbetet një precedent i rëndësishëm. Një qytet që rezistoi, një komandant që u largua dhe një administratë që, pa e pranuar hapur, ndryshoi kurs. Në politikë, sidomos për liderë që e ndërtojnë pushtetin mbi imazhin e forcës, këto janë momentet kur realiteti flet më fort se retorika./Pamfleti

 

trump zbythet në minneapolis

1 Komente

  1. T
    Tony

    Si nuk pashe nja afrikan nga keta por vetem te bardhe. Luan dicka fashiste me duket.

    Lini një Përgjigje