Sekretari Amerikan i Shtetit, dikur i njohur si një “skifter” republikan për politikën e jashtme, po përpiqet të mbrojë linjën e presidentit Trump edhe kur qëndrimet e administratës ndryshojnë nga dita në ditë.
I konsideruar për një kohë të gjatë si një republikan me qëndrime të ashpra gjatë mandatit të tij si senator i Floridës, Marco Rubio ka arritur një ekuilibër delikat: të rreshtohet me pozicionet e Donald Trump, duke lënë njëkohësisht të kuptohet se ruan edhe profilin e tij politik.
Sipas analizës së medias franceze Le Monde, Rubio po realizon një manovër të vështirë politike: të japë imazhin e një zyrtari të qetë dhe kompetent, ndërsa është pjesë kyçe e një administrate amerikane që shpesh perceptohet si e çrregullt dhe e paparashikueshme.
Të martën, më 5 maj, sekretari amerikan i Shtetit zhvilloi një dalje të rëndësishme për mediat në Shtëpinë e Bardhë, e përqendruar kryesisht te Lindja e Mesme. Duke zëvendësuar zëdhënësen Karoline Leavitt, Rubio i cili ushtron edhe detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare të presidentit Trump konfirmoi aftësinë e tij për të mbrojtur koherencën e një politike që shpesh duket kontradiktore.
Gjatë deklaratës së tij, Rubio tha se presidenti amerikan kishte “iu përgjigjur thirrjeve” të shumë vendeve për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në ngushticën e Hormuzit.
Sipas tij, objektivi i operacionit “Project Freedom” (“Projekti Liri”) ishte shpëtimi i rreth 23 mijë marinarëve civilë nga 87 vende të ndryshme, të cilët ndodheshin të bllokuar në këto anije.
Megjithatë, ky “hap i parë” drejt rihapjes së korridorit strategjik detar u vu menjëherë në pikëpyetje nga vetë Donald Trump. Presidenti amerikan pezulloi nismën, duke argumentuar se negociatat me Iranin po përparonin pozitivisht.
Sipas Le Monde, kjo lëvizje pasqyron stilin e njohur të Trumpit: ndryshim të shpejtë kursi politik nga një moment në tjetrin, ndërsa administrata vazhdon të japë sinjale të paqarta për aleatët dhe kundërshtarët.
Lini një Përgjigje