
Sipas njoftimeve, Kremlini po kërkon të bllokojë SHBA-në nga furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi që “ndryshojnë lojën” dhe shpreson që tuneli do t’i pëlqejë Trumpit…
Vladimir Putin po përpiqet ta joshë Donald Trumpin me një skemë prej 6 miliardë paund për të ndërtuar një tunel që lidh Rusinë dhe Amerikën.
Propozimi është shfaqur ndërsa shefi i Kremlinit përpiqet me dëshpërim ta pengojë Trumpin të furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk, që janë me rreze të gjatë veprimi dhe mund të ndryshojnë " lojën".
Projekti për një "tunel Putin-Trump" që mban emrat e të dy presidentëve u paraqit nga Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte [RDIF] ose fondit sovran të pasurisë, dhe një bashkëpunëtor i ngushtë familjar i vajzës gjithnjë e më të fuqishme të diktatorit rus, Katerina Tikhonova, 39 vjeç.
Kompania “The Boring Company” e Elon Musk do të merrte pjesë në gërmimin e tunelit, sipas Dmitriev, i cili është pjesë e delegacionit rus që dyshohet se po punon për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit.
"Imagjinoni të lidhni SHBA-në dhe Rusinë, Amerikën dhe Afro-Eurazinë, me tunelin Putin-Trump, një rrugë prej 70 milje që simbolizon unitetin", deklaroi Dmitriev, duke shpërfillur luftën e Kremlinit e cila ka shkatërruar unitetin.
Pika më e afërt midis dy kombeve shtrihet përtej Ngushticës së ashpër të Beringut. Në pjesën e saj më të ngushtë, vetëm 82 km ndan Kepin e Princit të Uellsit në Alaska nga Kepi Dezhnev, në territorin më të largët të Rusisë, Chukotka.
Megjithatë, ekziston një humnerë e madhe midis Alaskës, relativisht të begatë, dhe territorit të varfër të gjuetisë së balenave të Çukotkës.
"Duke përdorur teknologji moderne nga The Boring Company, ky mund të bëhet tuneli Putin-Trump që lidh Euroazinë dhe Amerikën, [dhe i ndërtuar] për më pak se 8 miliardë dollarë", deklaroi Dmitriev.
Me sa duket, Rusia po mbështetet në projektin ambicioz për të zgjuar interesin e Trump, ndërsa Putin përpiqet të parandalojë që raketat Tomahawk me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së të arrijnë në Ukrainë.
"RDIF ka investuar dhe ndërtuar tashmë urën e parë hekurudhore midis Rusisë dhe Kinës", deklaroi ai, duke shtuar "është koha për të bërë më shumë dhe për të lidhur kontinentet për herë të parë në historinë e njerëzimit. Është koha për të lidhur Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara".
Ai pohoi se "kjo jo vetëm që do të ndryshonte tregtinë globale, por do të ndryshonte gjithçka për mirë."
Në teori, një sipërmarrje e tillë mund ta zgjeronte Hekurudhën Trans-Siberiane me famë botërore deri në Amerikën e Veriut. Në fakt, këto plane nuk kanë dalë së fundmi; ekspansionisti amerikan William Gilpin dikur propozoi një hekurudhë globale që përfshinte një kalim për në Bering.
Joseph Strauss, i cili më vonë u bë kryeinxhinier i Urës Golden Gate, hartoi një projekt të urës hekurudhore dhe ia paraqiti atë Rusisë Perandorake.
Cari i fundit i Rusisë, Nikolla II, e kishte vënë syrin në këtë projekt të madh përpara përmbysjes së tij në vitin 1917 dhe ekzekutimit të mëvonshëm nga bolshevikët vitin pasardhës.
Ideja u ringjall nga SHBA-të në vitet 1960, gjatë Luftës së Ftohtë, dhe ishte parashikuar si Ura e Paqes Kennedy-Hrushov, por dështoi për shkak të rivalitetit të superfuqisë së SHBA-së me BRSS-në.
Dy ishuj përgjatë rrugës së propozuar, Ishulli Ratmanov i Rusisë dhe Ishulli Krusenstern i Amerikës, janë vetëm dy milje e gjysmë larg njëri-tjetrit.
Nëse të dy ishujt shërbejnë si pika urash, ndërtimi i tunelit mund të kryhet në disa faza.
Dmitriev vlerësoi se tuneli mund të përfundonte brenda tetë vjetësh, kohë në të cilën Trump do të ishte 87 vjeç dhe Putin 81. /Përshtatur nga Daily Star/
Lini një Përgjigje