
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mori pjesë në një ceremoni ushtarake në bazën ajrore Dover në Delaware, ku u pritën trupat e ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Në ceremoninë solemne, Trump u pa duke bërë salut ushtarak ndërsa ushtarët transportonin arkivolet e mbuluara me flamurin amerikan nga një avion transporti ushtarak drejt automjeteve mortore.

Në pamjet e publikuara nga ceremonia, disa ushtarë të ushtrisë amerikane mbajnë një nga arkivolet, ndërsa presidenti Trump qëndron përpara tyre duke përshëndetur. Pranë tij ndodhen edhe zyrtarë të tjerë dhe zonja e parë Melania Trump, e cila mban dorën mbi zemër gjatë ceremonisë.

Ceremonia në Dover Air Force Base është një nga momentet më solemne për ushtrinë amerikane dhe përdoret për pritjen zyrtare të trupave të ushtarëve që humbin jetën në operacione ushtarake jashtë vendit.
Ngjarja vjen në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme po intensifikohet, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Irani vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve në rajon.

Lini një Përgjigje