
Aksionet mbeten pranë niveleve rekord pavarësisht kërcënimeve të Presidentit Trump për të shkarkuar kryetarin e Rezervës Federale...
Në prill të këtij viti, kur presidenti Donald Trump nisi të flirtonte me idenë e shkarkimit të kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, tregjet financiare reaguan menjëherë: aksionet dhe dollari pësuan rënie, ndërsa analistët e Wall Street-it u ngritën në këmbë duke e quajtur këtë një “vijë të kuqe” që nuk mund të shkelej. Pavarësia e bankës qendrore, thanë ata, është një nga shtyllat e shëndetit financiar të vendit, një temë për të cilën nuk bëhet shaka.
Vetë Powell deklaroi se një shkarkim i tillë është i palejueshëm me ligj, ndërsa një kor i tërë analistësh theksonte “shenjtërinë” e pavarësisë së Rezervës Federale.
Por le të kthehemi në korrik: Trump tund përpara ligjvënësve një draft-letër shkarkimi për Powell. Po tregjet? Ecin përpara pa ndonjë shqetësim të dukshëm.
Aksionet qëndrojnë pranë niveleve rekord. Dollari dhe obligacionet u lëkundën për pak çaste, por u stabilizuan menjëherë pasi Trump mohoi se kishte në plan ta shkarkonte zyrtarisht Powell.
Kjo situatë nxjerr në pah dy mundësi:
-Tregjet tashmë funksionojnë me filozofinë TACO, “Trump Always Chickens Out”, ku gjithçka që thotë presidenti pritet të zbehet apo të ndryshohet.
-“Vija e kuqe” për pavarësinë e bankës qendrore nuk është më shumë se një dogmë akademike, jo një ligj i hekurt financiar.
Dhe mënyra e vetme për ta zbuluar këtë është... ta kalosh vijën e kuqe.
Trump planifikoi shkarkimin për shkak të një rinovimi të kushtueshëm
Sipas një burimi të informuar që foli për CNN, gjatë një takimi të martën në mbrëmje me ligjvënës, Trump tha se do ta shkarkonte Powell, për shkak të një rinovimi të kushtueshëm në selinë e Rezervës Federale. Një person i pranishëm konfirmoi se Trump tregoi edhe një dokument që e quajti “letra e shkarkimit”.
Të nesërmen, Trump deklaroi publikisht se shkarkimi i Powell është “shumë pak i mundshëm... përveçse nëse ka mashtruar”. (Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Buxhetin të Trump-it e kishte akuzuar më herët Powell-in për gënjeshtra para Kongresit lidhur me këtë rinovim, gjë që presidenti e sheh si arsye për shkarkim.)
Thënë thjesht: Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më pranë një skenari ku presidenti tenton të rrëzojë kreun e bankës qendrore. Dhe Wall Street-i duket se nuk shqetësohet.
Një paralajmërim që askush nuk po e dëgjon
Vetëm pak ditë më parë, George Saravelos, kreu global i strategjisë valutore në Deutsche Bank, shkruante se “është e vetëkuptueshme që shkarkimi i Powell do të shihej si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së Fed-it”, një element thelbësor për ruajtjen e stabilitetit inflacionar.
“Në rastet ekstreme,” paralajmëron ai, “valuta dhe tregjet e obligacioneve mund të shemben, ndërsa pritshmëritë për inflacionin rriten dhe primet e rrezikut zgjerohen në sfondin e erozionit institucional.”
Modeli TACO
Megjithatë, asgjë nga kjo nuk po ndodh. Dhe ndoshta jemi duke parë provën që tregjet janë aq të mësuara me kaosin, sa rregullat e vjetra nuk vlejnë më.
“Po krijohet një model: administrata kërcënon me masa radikale, tregjet reagojnë negativisht, dhe më pas ajo tërhiqet,” thotë Jonathan Doh nga Villanova University. “Çdo herë, reagimi i tregjeve bëhet gjithnjë e më i dobët.”
Ky është modeli TACO: Trump gjithmonë tërhiqet. Investitorët shesin kur ai kërcënon, blejnë kur ai zbutet, dhe përfitojnë nga ringritja e tregjeve. Madje, tani ata nuk e presin më fazën e panikut, thjesht supozojnë se Trump nuk e ka seriozisht derisa ndodh diçka konkrete.
E megjithatë, edhe pse aksionet qëndruan të qeta, tregjet valutore dhe të obligacioneve reaguan. Para mohimit të Trump, të mërkurën në mëngjes, çmimi i arit dhe i bonove afatgjata u rrit, ndërsa dollari ra me gati 1%.
Steve Sosnick, strateg i lartë në Interactive Brokers, tha se këto lëvizje janë normale. Por theksoi: “Në teori, ‘vigjilentët e bonove’ duhet të kishin reaguar më fuqishëm.” (Këta janë investitorë që përdorin fuqinë e tyre blerëse për të sinjalizuar mosaprovimin ndaj politikave.)
Nuk u intereson më tregjeve pavarësia e Fed-it?
Sosnick ofron një hipotezë shqetësuese: ndoshta investitorët janë aq të entuziazmuar për normat më të ulëta të interesit, prioriteti kryesor i Trump, sa nuk u intereson më nëse këto norma vijnë si rezultat i ndërhyrjes politike.
“Është ide e çmendur. Unë besoj se pavarësia e bankës qendrore është thelbësore — dhe mendoj se nuk jam i vetmi. Por ndoshta nuk është më kështu”, thotë ai.
Edhe më shqetësues është perceptimi i vetë administratës.
“A ka qenë ky një balonë prove?” pyet Sosnick. “Një mënyrë për të testuar si do reagonin tregjet nëse Powell do të shkarkohej vërtet? E nëse po, reagimi i dobët i tregjeve mund ta ketë inkurajuar presidentin të veprojë. Sepse, të themi të drejtën, reagimi nuk ishte aspak katastrofik”, shton ai. /Përshtati "Pamfleti" nga "CNN"
Lini një Përgjigje