
Zelenskyy pret presion, por Trump vazhdon t’i japë oksigjen Kremlinit
Winston Churchill thuhet se ka thënë dikur: “Amerikanët mund të mbështeten për të bërë gjënë e duhur, pasi të kenë provuar çdo opsion tjetër.”
Por, nëse e ka thënë vërtet, sigurisht nuk kishte parasysh një president amerikan të lidhur pas një diktatori rus.
Kjo është sot dilema e diplomacisë që ndjek Ukraina dhe aleatët europianë përballë Donald Trump. Ata po përpiqen ta lodhin presidentin amerikan nga sjellja e tij e çuditshme, pothuajse servile, ndaj Vladimir Putinit, me shpresën se në fund do të detyrohet të bëjë “gjënë e duhur”: të ushtrojë presion të pakompromis mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës.
Në prapaskenë, llogaritë janë të qarta: sa më shumë Trump të shtyhet në qoshe, aq më pak mundësi ka t’i japë Putinit “çek të bardhë”.
Iluzionet e Nobelit dhe realiteti i Kremlinit
Trump shpreson që një takim mes Volodymyr Zelenskyy dhe Putinit, i ndjekur nga një samit ku të përfshihet edhe vetë, t’i hapë rrugën një çmimi Nobel për paqen. Por ky skenar duket gjithnjë e më i pamundur.
Moska tregoi se nuk është serioze kur propozoi vetë kryeqytetin rus si vend takimi. Një “shaka” diplomatike nga Putini, që sipas analistëve preferon “të shihet i vdekur sesa të ulet përballë një lider që e quan ilegjitim dhe një vend që, sipas tij, nuk ka të drejtë të ekzistojë, përveçse për të nënshkruar kapitullimin.”
Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ironizoi duke sugjeruar që Rusia duhet të jetë pjesë e çdo “garancie sigurie” për ta mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus në të ardhmen. Siç shkruajnë mediat perëndimore: “Dhelpra po kërkon të riparojë kotecin e pulave.”
Qëndrimi i Trump: një hap para, dy pas
Për momentin, Ukraina dhe aleatët mund të mburren me disa arritje: Amerika ende furnizon armë, edhe pse financimi mbulohet kryesisht nga Europa.
Rreziku që SHBA të tërheqë inteligjencën ushtarake është zbehur. Por nga ana tjetër, Trump nuk flet më për një armëpushim dhe nuk prek fare temën e ndjeshme të tregtisë së naftës ruse, burimi kryesor i të ardhurave të Kremlinit. Strategjia e tij duket e qartë: ta paraqesë gjithmonë palën tjetër si problem, duke ruajtur një lloj simpatie të pashpjegueshme ndaj Moskës.
Diplomatët europianë shprehen me kujdes se “Putini po humbet terren në narrativë”, por me një president amerikan që kthehet vazhdimisht në qëndrime të favorshme ndaj Rusisë, askush nuk guxon të marrë frymë i qetë.
Siç e përmblodhi analisti Sam Greene: “Rrotull kumbullës shkojmë, volumi i 238-të.”/Përshtatur nga “Sky News”
Lini një Përgjigje