Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se dëshiron të përfshihet personalisht në procesin e zgjedhjes së udhëheqësit të ardhshëm të Iranit, pas zhvillimeve të fundit në vend. Deklarata u bë gjatë një interviste të dhënë për median amerikane Axios.
Trump tha se e konsideron të nevojshme një rol personal në këtë proces, duke bërë krahasim me ndërhyrjet politike që, sipas tij, ka mbështetur më parë në Venezuelë.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu Mojtaba Khamenei, djalin e udhëheqësit suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei, i cili nga disa analistë konsiderohet një nga kandidatët e mundshëm për ta pasuar atë.
Sipas Trump, një udhëheqje e Iranit nga Mojtaba Khamenei do të rrezikonte të rikthente tensionet me Shtetet e Bashkuara. Ai argumentoi se nëse do të vazhdonin të njëjtat politika si në të kaluarën, Uashingtoni mund të përballej sërish me një konflikt me Iranin brenda disa viteve.
Trump tha se synon të mbështesë një figurë që, sipas tij, do të mund të sillte “harmoni dhe paqe” në Iran, duke lënë të kuptohet se nuk mbështet një tranzicion të pushtetit brenda strukturave aktuale të sistemit politik iranian.
Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan e minimizoi rolin e mundshëm të Mojtaba Khameneit, duke deklaruar se ai “nuk është një figurë e rëndësishme”, dhe përsëriti se dëshiron të ketë ndikim në procesin e zgjedhjes së udhëheqjes së ardhshme në Teheran.
Lini një Përgjigje