TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Qershor 2025, 08:05

Trump dëshiron kaos, por Evropa do e ketë të vështirë të mbushë boshllëkun e lënë nga SHBA

Shkruar nga Paolo Gentiloni
Trump dëshiron kaos, por Evropa do e ketë të vështirë
Karol Nawrocki dhe Kristi Noem në Poloni

Vendi që 80 vjet më parë frymëzoi rendin botëror, dhe ishte përfituesi më i madh i atij rendi, duket se dëshiron ta çmontojë atë. Aleancat, tregtia, sundimi i ligjit, gjithçka është në rrëmujë...

Ndryshe nga ajo që ndodhi në Kanada dhe Rumani, zgjedhjet presidenciale të së dielës në Poloni u fituan nga kandidati i Donald Trump, duke rrëzuar sondazhet paraprake të publikuara pak minuta pas mbylljes së kutive të votimit.

Populisti polak Karol Nawrocki, ishte pritur në Zyrën Ovale vetëm disa ditë më parë. Ndërkaq, “Ministrja e Brendshme” e SHBA-së, Kristi Noem, shkoi enkas në Poloni për ta mbështetur në një tubim në aeroportin polak Jasionka, nga ku niset pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake për Ukrainën (dhe nga i cili ushtarët amerikanë kanë njoftuar se duan të tërhiqen nga Evropa).

Kështu erdhi suksesi i parë i rëndësishëm i ofensivës në shkallë të gjerë për të eksportuar vlerat e MAGA-s në Evropë. Objektivi ishte më se i qartë në manifestin ideologjik të lëvizjes, Projekti 2025: shkatërrimi i Bashkimit Evropian.

Tani aleanca globale e ultra-konservatorëve, do të dyfishojë përpjekjet dhe ambiciet e saj. Por nuk do të jetë aspak e lehtë që të eksportohen në Evropë vlera dhe parime që dëmtojnë evropianët, veçanërisht pas nisjes së një lufte tregtare. Kjo luftë, e përcaktuar si më idiotja në histori, vazhdon.

Çdo ditë shpallen tarifa të reja dhe pastaj pezullime, shtyrje dhe rifillim të tyre. Ne evropianët po mbajmë frymën pezull, dhe ashtu si të gjithë të tjerët jemi pjesë e lojës së madhe të gjeopolitikës. Presim njoftimi e një armëpushimi të afërt apo të një negociate vendimtare, pastaj tërheqjen prej tyre, deri në pritje të lajmit të radhës.

Pesëdhjetë vjet më parë, John Galbraith paralajmëroi epokën e pasigurisë; ndërkohë sot kemi hyrë në epokën e kaosit. Dhe origjina e kaosit janë Shtetet e Bashkuara. Vendi që 80 vjet më parë frymëzoi rendin botëror, dhe ishte përfituesi më i madh i atij rendi, duket se dëshiron ta çmontojë atë. Aleancat, tregtia, sundimi i ligjit: gjithçka është në rrëmujë.

Veprimet e Shtëpisë së Bardhë, nuk duket se janë të frymëzuara nga parime të mëdha strategjike. Në rastin më të mirë, ato kanë dy karakteristika konstante. E para është shpejtësia. Për të befasuar, për të diktuar axhendën mediatike. Por edhe për t’u ndërgjegjësuar për një kohë që mund të rezultojë e shkurtër, për një mundësi unike, por ndoshta të përkohshme, për të grumbulluar avantazhe të mëdha, madje edhe personale.

Konstantja e dytë: mesazhi për votuesit e tij. Trump po i drejtohet punëtorëve të çelikut, zonave të deindustrializuara, amerikanëve që e konsiderojnë veten viktima të emigracionit të pakontrolluar, dhe madje edhe familjeve që janë të shqetësuara me universitetet e hapura ndaj botës.

Ai u drejtohet qindra versioneve bashkëkohore të “njerëzve të harruar”, mobilizimi i të cilëve është vendimtar në një vend shumë të polarizuar. Moria e urdhrave ekzekutive, nuk ka arritur të japë deri tani efektet e dëshiruara. Jo në Gaza, ku Netanyahu nuk po ndalet, duke shkaktuar masakra të përditshme midis civilëve palestinezë, dhe dëme të papara ndaj besueshmërisë së Izraelit në skenën ndërkombëtare.

As në Ukrainë, ku “muaji i mjaltit” me Putinin nuk zgjati më shumë se 100 ditë dhe Trump duket tashmë i zhgënjyer, por gjithnjë e më shumë një rob i skemave manipulative të presidentit rus. Mbi të gjitha, epoka e kaosit po e dobëson ekonominë amerikane, e cila, pas një rritjeje prej gati 3 për qind në vitet 2023 dhe 2024, tani po ngadalësohet.

Madje bankat e mëdha amerikane, parashikojnë se ka një shans prej 30-50 për qind që ekonomia amerikane të zhytet në recesion. Inflacioni i lartë, duket shumë më kokëfortë sesa në Evropë. Madje po shkatërrohet edhe roli i dollarit si një strehë e sigurt.

Sigurisht, rritja e tarifave do ta dëmtojë edhe ekonominë evropiane, duke i hequr 0.2-0.7 për qind të rritjes ekonomik (në varësi të nivelit të tyre përfundimtar) nga një ekonomi që tashmë po rritet shumë pak, rreth 1 për qind në vit. Por sipas shumë vlerësimeve, kjo qasje e Trump mund t’i shkaktojë dyfish dëme rritjes së ekonomisë amerikane.

Megjithatë, sido që të përfundojnë mosmarrëveshjet ligjore - dhe disa prej tyre do të përfundojnë në Gjykatën Supreme - deri tani ligjshmëria e tarifave presidenciale është në dyshim. Ashtu siç janë rrëzuar edhe dy nga premtimet kryesore të shfaqura në 100 ditët e para të mandatit të dytë të Trump.

Ideja se tarifat synonin uljen e taksave në Amerikë: taksat u ulën (për të pasurit) por nëpërmjet thellimit të borxhit, dhe jo nëpërmjet të ardhurave nga tarifat. Dhe ideja e riindustrializimit të Amerikës duke rritur tarifat.

Në fakt do të ndodhë e kundërta, pasi anulimi i Aktit të Reduktimit të Inflacionit i epokës së Biden, nëse konfirmohet edhe nga Senati, do të zhdukë instrumentin që në fakt kishte nxitur disa kompani evropiane të zhvendoseshin në Shtetet e Bashkuara.

Duke vizituar vendet e Gjirit, Donald Trump deklaroi: “Ne nuk do të vijmë më që t’ju japim leksione se si të organizoni shoqëritë tuaja!”. Ditë më parë, ai kishte pohuar parimin napoleonik, se ata që mbrojnë vendin e tyre janë mbi ligjin.

Sigurisht, bota tani nuk ka nevojë për mësime nga Perëndimi, por asaj i duhen urgjentisht  mesazhe të qarta në mbrojtje të lirisë dhe sundimit të ligjit. Një Amerikë që nuk beson më në vlerat e veta, dhe madje promovon ato të kundërta, e ka humbur rrugën e saj.

Ajo nuk do të jetë më e madhe, por më e vetmuar. Boshllëkun që duhet të mbushë Evropa, e mësuar prej dekadash ta shohë veten në pasqyrën e Amerikës, është vërtet i madh. Dhe qeveria italiane do ta ketë gjithnjë e më e vështirë të ndajë afërsinë e saj ideologjike me Trumpin nga interesat tona kombëtare./Përshtati "Pamfleti", nga “La Repubblica”

Shënim: Paolo Gentiloni, kryeministër i Italisë në vitet 2016-2018.

Lini një Përgjigje