TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Maj 2024, 21:41

Trazirat në Kaledoninë e Re: Pse Franca akuzon Azerbajxhanin dhe Turqinë?

Shkruar nga Andrea Muratore

Trazirat në Kaledoninë e Re: Pse Franca akuzon Azerbajxhanin dhe

Në lojë është kauza gjeopolitike e centralizimit të periferive. Sot ajo është shndërruar në një çelës për të kuptuar gjeopolitikën globale...

A po percepton Franca një rrethim politik të Azerbajxhanit dhe Turqisë në Kaledoninë e Re? Parisi dhe shërbimet e tij sekrete, kanë disa javë që paralajmërojnë mbi praninë e një “dore” të huaj në nxitjen e protestave, që po tronditin koloninë e saj në mesin e Paqësorit, dhe me një pozicion strategjik për burimet e mëdha të nikelit dhe projeksionin oqeanik të Gjashtëkëndëshit.

Dora azere (dhe turke) pas protestave në periferi të Francës globale

Flamujt azerë që u shfaqën në Numea në protestën e grupit etnik Kanaki shkaktuan bujë, pas modifikimit të të drejtës së votës nga Asambleja Kombëtare në Paris, e cila ringjalli ndjenjën e pavarësisë së Kaledonisë së Re, tashmë e vënë në provë në tre referendume (2018, 2020, 2021), të cilat konfirmuan lidhjet e forta me Parisin.

Pra në lojë është kauza gjeopolitike e centralizimit të periferive. Sot ajo është shndërruar në një çelës për të kuptuar gjeopolitikën globale. Asaj i shtohet edhe çështja e konfliktit hibrid, nga luftërat informative tek ato propagandistike, të cilat diktojnë shumë skenarë politikë dhe diplomatikë globalë.

Ministri i Brendshëm francez, Gerard Darmanin, e bëri shumë të qartë: Franca beson se Bakuja mund të ketë nxitur protestat në përgjigje të rreshtimit të Parisit në krah të Armeninë, mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, e sulmuar vjeshtën e vitit të kaluar nga Bakuja, teksa Parisi mbështeti një zgjidhje të negociuar dhe fundin e arbitrariteti të diktaturës së Ilham Alyiev mbi të.

Nga Kaukazi në Kaledoninë e Re, “luftëra hibride” pa kufi

Këta skenarë janë pjesë e konfliktit më të gjerë të gjithanshëm midis Turqisë dhe Francës për fusha të ndryshme ndikimi:

Bakuja akuzohet pasi shihet si krahu i gjatë i Turqisë, një aleate e Francës në NATO, por në thelb rivale me të.
Pra kemi një garë, që shtrihet nga Kaukazi në Niger, dhe ku ardhja e milicëve turq në vend të ushtarëve francezë po merret si diçka e mirëqenë. Pastaj shkojmë në Bririn e Afrikës, ku po rritet ndikimi i Ankarasë. Dhe nuk ka dyshim që rivaliteti kulmon në Ballkan, ku depërtimi turk bie ndesh me atë evropian të udhëhequr nga franko-gjermanët.

Këta të fundit synojnë të tërheqin drejt Brukselit shtetet e pasigurta, që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Shqipërinë, Bosnje Hercegovinë dhe Serbinë. Aq sa televizioni francez Europe 1, iu frikësua hapur mbështetjes turke për lëvizjet destabilizuese të Azerbajxhanit.

Nga ky këndvështrim, konflikti politik mund të zgjidhet në mënyra të ndryshme. Portali “Eurasianet”, na kujton se si vëmendja e Azerbajxhanit mbi manovrat e Kaledonisë së Re është çdo gjë tjetër përveçse jo e fshehtë: “Zemërimi i Azerbajxhanit për marrëdhëniet speciale franko-armene nisi që në vitin 2023, gjatë ripushtimit të Karabakut nga Bakuja.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, u përpoq ta përjashtonte Francën nga procesi i paqes në Karabak. Po ashtu u përpoq të ndikonte tek Franca në mënyra të tjera:duke denoncuar atë që ai e përshkroi si një neo-kolonializëm francez, duke e inkurajuar krijimin e “Grupit të Iniciativës Bakuja kundër kolonializmit francez”.

Grupi organizoi në shkurt një konferencë në Turqi me titull “Dekolonizimi: Zgjimi i Rilindjes”, ku morën pjesë politikanë nga kolonitë franceze. Ndaj, nga këndvështrimi i Bakusë dhe Ankarasë, çdo rol është i barabartë me një bllof të dyfishtë politik që synon të ndikojë tek Parisi, në projektimin e fuqisë diplomatike dhe informative. Kjo edhe duke kujtuar pranimin e qartë të objektivave politike siç është lufta moderne hibride, e cila mund të zhvillohet madje edhe midis aleatëve, në mes të ditës, dhe me deklarata dhe manovra përçarëse.
Centralizimi i periferive

Të dhënat strategjike që duhen vëzhguar, kanë të bëjnë me çështjen e centralizimit të periferive, dhe mundësinë e një destabilizimi të gjithanshëm të rajoneve të kontestuara edhe nga aktorët rajonalë apo lokalë në një distancë të madhe nga territori i tyre, me potencialin e nevojshëm për inteligjencë, ndikim dhe fuqi ekonomike.
Ndër kryeqytetet rivale të Perëndimit, sidomos Moska dhe Pekini, do të ketë nga ata që do të kenë mbajtur shënime në këtë fazë, dhe ku çdo periferi, mund të shndërrohet në qendër të një përballjeje destabilizuese.

Kjo vlen për manovrat e bllokut euroatlantike ndaj kundërshtarëve të tij (çështja e të drejtave të njeriut në provincën kineze të Xinjiang, periferia e periferisë, e përdorur si një armë politike)

Por vlen edhe për të kundërtën. Në rastet më radikale, nuk ka dallim nëse Perëndimi apo Lindja destabilizojnë një periferi. Synimi është gjithmonë i njëjti: t’i vihet flaka një ndërtese për të dërguar një paralajmërim për të gjithë lagjen, ndonjëherë me shpresë dhe pritshmëri që flakët të përfshijnë të gjithë bllokun.

Herë të tjera, vihet zjarri në oborr për t’i detyruar qiramarrësit të largohen nga shtëpia, duke përfituar nga shpërqendrimi i tyre për të kryer veprime të befasishme në pjesë të mbetur pa mbikëqyrje. Ose për ta shkëputur vëmendjen nga zonat e tjera.

Në këtë rast, përtej metaforës, kjo do të thotë ta detyrosh Francën të merret me situatën e trazuar në Kaledoninë e Re dhe të reduktosh vëmendjen e saj ndaj Armenisë (zonë interesi për Bakunë) apo mbi fqinjën e saj Turqinë. Por edhe të dërgosh një mesazh mbi mundësinë e aventurizmit të mëtejshëm gjeopolitik në zonat konfrontuese: Parisi do të gjejë rivalë të aftë për ta goditur në krahë. Pra në periferi. Gjithçka në dritë dhe diellit. Por duke mohuar faktet e ndërhyrjes. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Giornale”

Lini një Përgjigje