TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2025, 13:08

Tragjedia në Kanada, makina hyn mes turmës: 9 viktima dhe shumë të plagosur

Shkruar nga Pamfleti

Tragjedia në Kanada, makina hyn mes turmës: 9 viktima dhe shumë

Festivali kulturor në Vankuver shndërrohet në tragjedi, pasi një shofer 30-vjeçar përplasi makinën drejt turmës, duke lënë 9 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Autoritetet përjashtojnë terrorizmin, por dyshohet për probleme të shëndetit mendor...

Një shofer përplasi makinën në mes të turmës gjatë një festivali që kremtonte trashëgiminë filipinase në Vankuver të shtunën mbrëma, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe plagosur shumë të tjerë.

Disa nga pjesëmarrësit e festivalit ndihmuan në arrestimin e menjëhershëm të shoferit, i cili u identifikua nga policia si një 30-vjeçar.

"Derimë tani, konfirmojmë se nëntë persona kanë humbur jetën pasi një burrë drejtoi makinën drejt turmës në Festivalin Lapu Lapu mbrëmjen e kaluar. Mendimet tona janë me të prekurit nga ky incident tragjik", tha Policia e Vankuverit.

Festivali kishte për qëllim festimin e kulturës dhe diversitetit, duke përkujtuar Ditën e Lapu Lapu-t, një festë vjetore e organizuar nga komuniteti filipinas në British Columbia, për nder të një lideri indigjen që luftoi kundër kolonizimit spanjoll.

Kamionët e ushqimit ishin vendosur përgjatë rrugës, ndërsa interpretuesit kërcenin vallet tradicionale filipinase në një atmosferë festive nën diellin e pranverës. Megjithatë, festa familjare u shndërrua në tmerr: një dëshmitar e përshkroi si "një zonë lufte".

Policia nuk ka dhënë ende asnjë motiv, por u shpreh "e sigurt" se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist. Autoritetet kanadeze po hetojnë mundësinë që incidenti të jetë i lidhur me probleme të shëndetit mendor, sipas një burimi policor për CNN.

"Rreth orës 20:14 të datës 26 prill, një burrë drejtoi automjetin drejt turmës në festivalin Lapu Lapu pranë East 43rd Avenue dhe Fraser Street. Një i dyshuar 30-vjeçar, banues i Vankuverit, u arrestua në vendngjarje," thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Shefi i përkohshëm i Policisë së Vankuverit, Steve Rai, tha në konferencë për mediat të dielën se i dyshuari ishte "i njohur për policinë në disa rrethana", por nuk dha detaje mbi të kaluarën e tij kriminale.

Rai konfirmoi se sulmi u krye vetëm nga një person dhe me një automjet të vetëm. Hetimi, i udhëhequr nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë së Vankuverit, vazhdon, dhe autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e publikut.

Dëshmitarët në vendngjarje përshkruan pamje kaotike dhe dramatike.

"Është diçka që nuk pret ta shohësh ndonjëherë në jetën tënde," tha Kris Pangilinan, gazetar nga Toronto, për CBC. "[Shoferi] vetëm shtypi gazin dhe u fut në mes të qindra njerëzve. Ishte si një top bowling-u që përplas dhe fluturon gjithë birilat në ajër."

Video të publikuara pas incidentit tregojnë rrugën e mbushur me mbetje, njerëz të shtrirë në tokë, ndërsa punonjësit e emergjencës përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit.

Organizatorët e festivalit, "Filipino BC", në një reagim në Instagram shprehën dhimbjen e thellë për tragjedinë e ndodhur: "Ende nuk gjejmë fjalët për të shprehur zemërthyerjen e shkaktuar nga kjo tragjedi absurde. Jemi pranë familjeve dhe viktimave."

Incidenti ndodhi vetëm pak orë para zgjedhjeve federale të së hënës. Lideri i Partisë së Re Demokratike të Kanadasë, Jagmeet Singh, ishte prezent në festival, por u largua vetëm pak momente para tragjedisë.

Kryeministri Mark Carney reagoi në rrjetet sociale duke shprehur pikëllim të thellë: "U shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, komunitetit filipinas dhe gjithë qytetit të Vankuverit. Jemi të gjithë në zi bashkë me ju."

Hetimet për ngjarjen vijojnë./Përgatiti Pamfleti

vankuver tragjedia

Lini një Përgjigje