
Donald Trump ka kritikuar planet e Apple për të prodhuar më shumë iPhone në Indi, si një mënyrë për të shmangur tarifat amerikane për mallrat e prodhuara në Kinë, ndërsa vazhdon ta shtyjë grupin teknologjik të prodhojë pajisjen e tij më të shitur në Amerikë.
Duke folur në Katar në pjesën e fundit të turneut të tij në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan tha se kishte “një problem të vogël me Tim Cook dje” pasi drejtori ekzekutiv i Apple konfirmoi javën e kaluar se fabrikat indiane do të furnizonin “shumicën” e iPhone-ve të shitur në SHBA në muajt e ardhshëm.
Financial Times raportoi më parë se Apple planifikonte të furnizonte nga India mbi 60 milionë iPhone-ët e shitur çdo vit në SHBA deri në fund të vitit të ardhshëm, gjë që su prit mirë nga Trump.
“Cook, po të trajtojmë shumë mirë, i durojmë të gjitha fabrikat që ke ndërtuar në Kinë për vite me radhë. Nuk jemi të interesuar që ti të ndërtosh në Indi”, tha Trump.
Ai pretendoi se Apple do të rriste prodhimin e saj në Shtetet e Bashkuara pas bisedës. Apple nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Komentet e Trump janë shenja e fundit e një ftohjeje në marrëdhënien e presidentit me Apple, një nga kompanitë më të vlefshme të Amerikës.
Duke folur në një aktivitet në Riad këtë javë, pasi njoftoi një marrëveshje shumëmiliardëshe për të shitur qindra mijëra procesorë Nvidia për një projekt të ri të inteligjencës artificiale në Arabinë Saudite, Trump e lavdëroi nga skena drejtorin e prodhuesit të çipave, Jensen Huang, duke thënë: “Tim Cook nuk është këtu, por ti je”.
Në shkurt, Apple u zotua të shpenzojë 500 miliardë dollarë në SHBA gjatë katër viteve të Trump në detyrë, duke përfshirë prodhimin e çipave dhe serverëve për inteligjencën artificiale.
Por kompania përballet me sfida të mëdha në replikimin e zinxhirit të saj të gjerë të furnizimit dhe të impianteve të prodhimit kinez në SHBA, të cilat mbështeten në një fuqi punëtore prodhuese të kualifikuar të teknologjisë së lartë që tani është përqendruar kryesisht në Azi.
Lini një Përgjigje