TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Janar 2026, 09:42

Thellohet kriza në Venezuelë, Rodriguez shkarkon aleatin kyç të Maduro-s

Shkruar nga Pamfleti
Thellohet kriza në Venezuelë, Rodriguez shkarkon aleatin kyç
Rodriguez shkarkon aleatin kyç të Maduro-s

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, shkarkoi të premten, 16 janar, biznesmenin Alex Saab. Ky i fundit ishte një aleat i ngushtë i ish-presidentit Nicolas Maduro dhe mbante postin e ministrit të industrisë.

Në një mesazh në Telegram, Rodriguez njoftoi se ministria e Saab do të bashkohej me ministrinë e tregtisë dhe e falenderoi atë për “shërbimin ndaj atdheut”, duke shtuar se do të marrë përgjegjësi të reja.

Ky ndryshim vjen pas operacionit ushtarak të SHBA-ve më 3 janar, që rrëzoi Maduro-n dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe është pjesë e një serie ndryshimesh kyçe në qeverinë e Venezuelës nën Rodriguez.

Liderja opozitare Maria Corina Machado përshëndeti zhvillimet, duke thënë se vendi po nis “hapat e parë të një tranzicioni të vërtetë drejt demokracisë” dhe se Venezuela do të bëhet e lirë me mbështetjen e SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump.

Megjithatë, Trump ka vendosur të mbështesë Rodriguez si udhëheqëse të përkohshme, duke i dhënë përparësi sigurisë së aksesit amerikan ndaj rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës, dhe jo Machado-s.

Machado kritikoi Rodriguez, duke thënë se ajo “vepron mbi urdhra” dhe jo sipas vullnetit të saj.

Mediat e huaja shkruajnë se dje drejtuesi i CIA-së, John Ratcliffe, takoi Rodriguez në Caracas për të “dërguar mesazhin se SHBA-të presin një bashkëpunim më të mirë me Venezuelën”.

Si shenjë e këtij bashkëpunimi, një fluturim i SHBA-ve me 231 venezuelanë u ul në Caracas të premten, fluturimi i parë që prej rrëzimit të Maduro-s.

Në një tjetër zhvillim, Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqe në 2024, i dorëzoi medaljen e saj Trump-it në një përpjekje për të fituar mbështetjen e tij, duke e quajtur momentin “shumë emocional”.

Rodriguez gjithashtu theksoi se qeveria e saj do të qëndrojë e gatshme për të mbajtur qëndrim diplomatik ndaj Washington-it.

“E dimë që janë shumë të fuqishëm… nuk kemi frikë t’u përballemi diplomatikisht, përmes dialogut politik”, tha ajo, duke mbajtur fjalimin për gjendjen e vendit në parlamentin venezuelian, ndërsa Maduro mbetet i burgosur në New York për akuza të trafikimit të drogës.

Ndërkohë, mbështetësit e Machado-s festuan në Washington, duke treguar një kontrast të qartë me qetësinë e Rodriguez.

Lini një Përgjigje