TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Mars 2025, 18:53

Telefonata Trump-Putin/ Moska ndalon sulmet në Ukrainë për 30 ditë, çfarë marrëveshje u arrit mes SHBA dhe Rusisë?

Shkruar nga Pamfleti

Telefonata Trump-Putin/ Moska ndalon sulmet në Ukrainë për 30

Putin ka rënë dakord që me kërkesë të Trump, të ndalojë sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Një telefonatë 90 minutëshe mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin, duket se ka dhënë shenjat e para që tregojnë për një ecuri pozitive drejt arritjes së paqes në Ukrainë.

Sipas asaj që raportojnë mediat, Putin ka rënë dakord që me kërkesë të Trump, të ndalojë sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Mësohet se Putin ka urdhëruar ushtrinë që të ndalojë sulmet në ato objektiva për 30 ditët e ardhshme.

"Udhëheqësit ranë dakord që lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim energjetik dhe infrastrukturës, si dhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Rusia nga ana tjetër ka kërkuar si kusht për nisjen e bisedimeve të paqes, ndalimin total të ndihmës ushtarake të huaj dhe sigurimit të informacionit të inteligjencës për Kievin.

U theksua se kushti kryesor për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të punuar drejt zgjidhjes së tij me mjete politike dhe diplomatike duhet të jetë ndërprerja e plotë e ndihmës ushtarake të huaj dhe sigurimi i informacionit të inteligjencës për Kievin... Gjatë bisedës, Donald Trump bëri një propozim që palët në konflikt të përmbahen reciprokisht nga goditja e objekteve të infrastrukturës energjetike për 30 ditë. Vladimir Putin iu përgjigj pozitivisht kësaj nisme dhe menjëherë i dha ushtrisë ruse urdhrin përkatës”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Gjatë telefonatës mësohet se është arritur një dakordësi për një shkëmbim të burgosurish midis Moskës dhe Kievit, 175 të burgosur lufte nga secila palë. Gjithashtu thuhet se Moska pranoi të dorëzojë 23 ushtarë ukrainas të plagosur rëndë.

Në lidhje me thirrjen e fundit të Donald Trump për të shpëtuar jetën e ushtarakëve ukrainas të rrethuar në rajonin e Kurskut, Vladimir Putin konfirmoi se pala ruse është e gatshme të udhëhiqet nga konsideratat humanitare dhe, në rast dorëzimi, garanton jetën e ushtarëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe trajtim të denjë në përputhje me ligjet ruse dhe ligjin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Kur/ku do të zhvillohen negociatat?

“Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit folën gjerësisht për Lindjen e Mesme si një rajon bashkëpunimi të mundshëm për të parandaluar konfliktet e ardhshme", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Udhëheqësit konfirmuan synimin e tyre për të vazhduar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të Ukrainës në një mënyrë dypalëshe, duke përfshirë marrjen parasysh të propozimeve të lartpërmendura të Presidentit të SHBA. Për këtë qëllim po krijohen grupe ekspertësh rusë dhe amerikanë”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Armët bërthamore ishin gjithashtu në fokus të bisedimeve mes dy presidentëve. Ata diskutuan nevojën për të ndaluar përhapjen e armëve strategjike dhe vendosën të angazhohen dhe me aleatë të tjerët për këtë çështje.  

Putin dhe Trump folën edhe për çështje të tjera të agjendës ndërkombëtare, duke përfshirë situatën në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Detit të Kuq. Ata u dakordësuan që të bëhen përpjekje të përbashkëta për të stabilizuar situatën në zonat e krizës, për të vendosur bashkëpunimin për mospërhapjen bërthamore dhe sigurinë globale.

Në fund, Donald Trump mbështeti idenë e Vladimir Putin për të organizuar ndeshje hokej në SHBA dhe Rusi midis lojtarëve rusë dhe amerikanë që luajnë në NHL dhe KHL. Presidentët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt për të gjitha çështjet e ngritura./Pamfleti 

Lini një Përgjigje