
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pret që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të pranojë sot në planin trepikësh të BE-së për qetësimin e situatës në veri. Hovenier shprehet se kjo është mënyra e duhur për të ndalur tensionet.
“Është vështirë të them se çfarë presim, shpresa jonë është që të gjejmë një rrugë për përparim. BE-ja ka qenë e qartë dhe SHBA-ja e ka mbështetur pikëpamjen për planin tre-pikësh për të arritur deeaskalimin në veri, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrje të serbëve dhe të vazhdojmë me implementimin e plotë nga të dy palët të marrëveshjeve që janë arritur. Shpresa jonë është që kështu të dalim nga kjo situatë”, u shpreh ambasadori pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Hovenier vijoi duke thënë se zgjidhja afatshkurtër për normalizim të situatës është plani tre-pikësh i BE-së. Sipas tij, të gjithë aleatët perëndimorë e kanë përkrahur planin trepikësh dhe pret që Albin Kurti ta pranojë dhe të veprojë në mënyrë të duhur.
“Ai është kryeministër nga zgjedhje demokratike të vendit dhe ka përgjegjësi në atë drejtim. SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë në NATO dhe shumë të tjerë i kanë shprehur Kurtit pritjet tona se si ai do e menaxhojë situatën në veri. Siç e përmenda, ne të gjithë po e mbështetim planin tre-pikësh të BE-së dhe shpresa jonë është që ai ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrë të duhur”, deklaroi Hovenier për RTV21.
Pritet që Kurti dhe Vuçiç të takohen pasditen e sotme në Bruksel.
Lini një Përgjigje