TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Mars 2026, 16:01

Skenari: Nga do fillojë sulmi amerikan ndaj Iranit!

Shkruar nga Pamfleti
Skenari: Nga do fillojë sulmi amerikan ndaj Iranit!
Foto ilustruese

Gazetari libanez Hasan Illaik ka deklaruar se, sipas informacioneve që ai pretendon se disponon, një operacion i mundshëm ushtarak amerikan ndaj Iranit mund të nisë nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Illaik, i cili ka punuar për gazetën libaneze Al-Akhbar, e njohur për lidhjet e saj me Hezbollahun, tha se Irani ka marrë të dhëna inteligjence nga një “shtet i madh” lidhur me një ndërhyrje të mundshme ndaj ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit.

Në deklaratat e tij, ai paralajmëroi për pasoja të rënda në rast të një zhvillimi të tillë, duke iu referuar edhe një reagimi të mundshëm ushtarak nga Irani ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Të dhënat e inteligjencës që Irani ka marrë nga një shtet i madh tregojnë për fillimin e afërt të një pushtimi amerikan ndaj ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, i cili do të zhvillohet nga territoret nën kontrollin e regjimit të Emirateve. Këshillë për miqtë në EBA: Kur të fillojë ky invazion, largohuni shpejt nga vendi, në rrugë tokësore, drejt Omanit ose Arabisë Saudite. Fillimi i këtij pushtimi do ta bëjë përgjigjen iraniane ndaj regjimit të Emirateve diçka që asnjë sy nuk e ka parë, asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë mendje e Bin Zayed nuk e ka imagjinuar. Dimri po vjen për shtëpinë Nahyan”, ka deklaruar gazetari, duke iu referuar familjes sunduese në Emirate.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga burime zyrtare dhe vijnë në një kontekst tensionesh të larta në rajon.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë në proces bisedimesh me Iranin dhe se ka vendosur të shtyjë përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.

“Bisedimet janë duke vazhduar dhe po ecin shumë mirë”, tha Trump, duke njoftuar pezullimin për 10 ditë të veprimeve ushtarake të planifikuara.

Sipas raportimeve, SHBA pritet gjithashtu të dërgojë mbi 10 mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, në kuadër të përforcimit të pranisë së saj në rajon.

shba lufta

Lini një Përgjigje