
Në sfondin e paradës madhështore në Pekin, organizuar për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Kinës nga pushtimi japonez, një skenë e pazakontë, madje e çuditshme, u regjistrua në mikrofonët e transmetimit zyrtar: Vladimir Putin dhe Xi Jinping duke diskutuar për transplantet e organeve dhe jetëgjatësinë njerëzore deri në 150 vjeç.
Ngjarja ndodhi ndërsa dy liderët, të shoqëruar nga Kim Jong Un, ecnin drejt tribunës së nderit në sheshin Tiananmen. Teksa kalonin përpara turmës së 50 mijë spektatorëve dhe batalioneve të uniformuara, një mikrofon i hapur i kap në një bisedë që për shumëkënd do të tingëllonte më e përshtatshme për një simpozium mjekësor se sa për një samit ndërkombëtar ushtarako-diplomatik.
Sipas një fragmenti të publikuar nga Bloomberg, në transmetim të drejtpërdrejtë nga CCTV dhe konfirmuar më pas nga vetë Putini, dëgjohet përkthyesja e presidentit rus që thotë në kinezçe: “Bioteknologjia po zhvillohet me shpejtësi. Organet njerëzore mund të transplantohen pa ndalim. Sa më shumë jeton, aq më i ri bëhesh. Madje mund të arrish edhe pavdekësinë”.
Më pas dëgjohet Xi Jinping që i përgjigjet jashtë kamere: “Disa parashikojnë se në këtë shekull, njeriu do të jetojë deri në 150 vjeç. Në të kaluarën ishte mrekulli të arrije 70, ndërsa sot, në atë moshë je ende fëmijë”.
Ndërkohë, Kim Jong Un shfaqet duke buzëqeshur në drejtim të bisedës, por nuk është e qartë nëse kupton temën e diskutimit. Pak sekonda më vonë, kamera kalon në një pamje të gjerë të sheshit dhe audio ndërpritet. Treshja e liderëve rishfaqet sërish ndërsa ngjisin shkallët drejt tribunës për të ndjekur paradën ushtarake dhe shfaqjen e fuqisë së Kinës përballë botës.
Biseda, që për shumë analistë është cilësuar si “jo rastësore”, vjen në një kohë kur Putini dhe Xi po forcojnë jo vetëm lidhjet strategjike ushtarake dhe ekonomike, por edhe bashkëpunimin në fushat e teknologjisë, shkencës dhe... jetëgjatësisë biologjike.
Për mediat perëndimore, kjo skenë është simbolike: teatri i një bote që ndan interesat midis përjetësisë personale dhe dominimit global, ndërsa Ukraina digjet, Tajvani kërcënohet, dhe Perëndimi përpiqet të ruajë ekuilibrin ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje