
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë sot se nuk ka problem me Marrëveshjen e Ohrit, të arritur me Prishtinën me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, e cila nënkupton “disa obligime” edhe pse nuk është nënshkruar.
Në një fjalim të mbajtur sot para mediave, Vuçiç tha se Serbia është e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Ohrit, dhe se ai nuk di asgjë për “ndonjë letër” dërguar Bashkimit Evropian nga kryetarja aktuale e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, gjatë kohës që ajo ishte kryeministre.
Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se Serbia është pro dialogut me autoritetet në Prishtinë dhe se do të jetë gjithmonë, por se gjithkush duhet t'i kryejë obligimet e veta.
“Ne nuk kemi asnjë problem me Marrëveshjen e Ohrit dhe për këtë kam folur në Asamblenë Kombëtare. Fjalët e Presidentit të Republikës janë të detyrueshme, janë po aq të rëndësishme sa një dokument i shkruar. Nuk e kam idenë se çfarë letrash janë, as çfarë ka shkruar Ana Brnabiç, as nëse kanë sjellë ndonjë zgjidhje tjetër”, tha Vuçiç.
Kujtojmë se ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, gjatë një vizite të fundit në Prishtinë, u tha gazetarëve se letra nga Serbia e dërguar nga Ana Brnabiç në kohën kur ishte kryeministre, e cila i referohet "vijave të kuqe" për Kosovën, është tërhequr.
Lini një Përgjigje