
Pasojat e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, janë pak a shumë si pasojat e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Mbizotëronte dëshpërimi, frika por edhe etja për hakmarrje. Ashtu si atëherë, kishte pak oreks për një luftë të gjatë.
Gjatë Luftës Globale kundër Terrorizmit, e gjeja shpeshherë veten duke punuar ose për ata që i pëlqente t’i vrisnin kundërshtarët tanë, ose për ata që e kishin të vështirë të jepnin komandën “Lëshoni raketat!”.
Që të dyja këto grupe mbështetnin të njëjtën strategji të “prerjes së kokës së udhëheqjes”, që ndjekin ende Shtetet e Bashkuara, dhe e cila synon të përçajë apo çmontojë organizatat terroriste duke kapur apo eleminuar liderët e tyre kryesorë.
Megjithatë midis ekspertëve, nuk ka një konsensus të gjerë nëse funksionon kjo strategji. Një studim gjithëpërfshirës i Jenna Jordan në vitin 2019, arriti në përfundimin se në një periudhë afat gjatë, goditja e udhëheqjes së një grupi terrorist “ka qenë në përgjithësi joefektive”.
Megjithatë, ajo e pranoi se mungesa e dakordësisë mbi kriteret që duhet të përfshihen për këtë analizë, lejon “një variacion të madh në arritjen e përfundimeve”. Izraeli vazhdon të mbështetet tek kjo strategji kundër Hamasit, Hezbollahut libanez dhe Iranit, siç ka bërë për dekada me radhë.
Është e vështirë të thuhet se Izraeli është sot më i sigurt, teksa bota pret të mësojë nëse një luftë e gjithanshme rajonale do të pasojë përgjegjësinë e supozuar të Tel Avivit për vrasjen e udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Haniyeh muajin e kaluar në Teheran.
Pasojat e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, janë pak a shumë si pasojat e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Mbizotëronte dëshpërimi, frika por edhe etja për hakmarrje. Ashtu si atëherë, kishte pak oreks për një luftë të gjatë.
Pas suleve të 11 shtatorit, SHBA-së iu deshën vite të tëra për ta rafinuar qasjen anti-terror dhe për të ndërtuar mjetet që do të siguronin ato që qeveria quan “vrasje të shënjestruara të ligjshme”. Për shkak të punës, kam qenë dëshmitar i tranzicionit të metodologjisë amerikane në luftën kundër terrorizmit, nga operacionet e shënjestrimit specifik të objektivave me vlerë të madhe tek një fushatë vrasjesh me intensitet të lartë.
Mbështetësit e kësaj qasjeje u mrekulluan me aftësinë, metrikën dhe ndikimin e madh që perceptonin. Ata përmendin raketat që mund të eliminonin me saktësi një njeri të vetëm në një dritare, ndërsa të mos preknin të tjerët në dhomën ngjitur.
Argumentohet se megjithëse vrasje të tilla specifike, mund të mos i shkatërronin dot këto grupe dhe as të zhduknin kërcënimet e tyre, por mund t’i degradojnë ato në një gjendje gati të përgjumur, duke i shkaktuar një “disfatë strategjike”. Por për ta arritur këtë, kërkohej një fushatë e vazhdueshme, me intensitet të lartë, duke prodhuar kështu frazën popullore “presion i qëndrueshëm kundër terrorizmit”.
Të tjerët, përfshirë edhe mua, e panë panoramën nga të gjitha këndet. Aftësia është një mjet i paçmuar, por vetëm në një qasje domosdoshmërisht gjithëpërfshirëse. Përdorimi i tepërt i tyre mund të shkaktojë pasoja të rrezikshme, të ngjashme me ato që burojnë nga mbështetja jonë për muxhahidinët kundër sovjetikëve në Afganistan.
Shkatërrimi dhe jo degradimi i organizatave terroriste, nënkuptonte ndryshimin e kushteve që lehtësonin rekrutimin, dërgimin e mesazheve, financimin, logjistikën dhe trajnimin nga të cilat vareshin grupet terroriste. Suksesi në këtë luftë, kërkonte njohuri mbi planet dhe aftësitë terroriste, dhe një kombinim më të ekuilibruar të sulmeve kinetike selektive dhe operacioneve për kapjen e terroristëve, këto të fundit kryesisht në bashkëpunim me partnerët e huaj.
Të arrestuarit ofruan mundësi të konsiderueshme të zbulimit dhe marrjes së burimeve. Një fuqi e tillë e ashpër, kishte nevojë për kundër-mesazhe plotësuese, ndikim të fshehtë dhe politika publike konstruktive. Eksperti i njohur kundër terrorizmit, Colin Clarke, përshkroi në një studim të ri të vitit 2019 mbi Jordaninë, një nga arsyet pse ka dështuar qasja e eleminimit të krerëve kryesorë të grupeve terroriste.
“Një problem tjetër me këtë qasje, ka të bëjë me llogaritjet fitim-humbje nga komuniteti i inteligjencës, apo me vendimin nëse vlera e mbledhjes së informacionit nga një objektiv armik, është më e madhe se eliminimi i vetë objektivit”- thekson ai.
Por ajo që nuk mund të dinte Clarke, ishte rreziku politik të cilit i druheshin zyrtarët. Ata mund ta humbnin objektivin, ose grupi mund të kryente një sulm. Secili prej tyre do t’i jepte fund njëherë e mirë një karriere dikur premtuese.
Nga përvoja ime, them se eleminimi i krerëve të lidershipit, na solli disa përfitime taktike afatshkurtra, por më tepër probleme në terma afatgjatë. SHBA-ja vrau qindra liderë terroristë nga radhët e Al Kaedës, grupeve të saj partnere ekstremiste sunite dhe të Shtetit Islamik.
Eleminimi i tyre u shoqërua shpesh me ndërprerjen e sulmeve terroriste, sepse të vdekurit i morën me vete në varr planet e tyre, dhe pasardhësve të tyre u mungonte e njëjta përvojë, peshë apo lidhjet e duhura. Organizatat terroriste mund të zëvendësonin personelin, por ato u detyruan të kalonin në mbrojtje.
Megjithatë, eleminimi i krerëve të udhëheqjes i mësoi grupet terroriste të bëhen më elastike dhe më të decentralizuara për të siguruar mbijetesën e tyre. Kërcënimet sollën krijimin e metastazave në nivel global përmes degëve të tyre, të vetë-mjaftueshme dhe kryesisht autonome.
Grupet e ndara si ai i Abu Musab Al-Zarqawit në Irak dhe Shteti Islamik i Abu Bakr Al-Baghdadit, ishin më të shpërndara dhe ndoshta më të dhunshme, nuk bënin dallim në goditjet e tyre dhe ishin shumë të paparashikueshëm.
Mbjellja e kaosit dhe e frikës, duke frymëzuar “ujqërit e vetmuar” vendas, në vend të përdorimit të luftëtarëve që vinin nga jashtë, u bë një taktikë me kosto të ulët, me ndikim të lartë dhe padyshim më i vështirë për t’u ndalur. Zyrtarët amerikanë, ,po flasin hapur në lidhje me kërcënimin e rritur të sotëm nga terrorizmi i huaj dhe i brendshëm.
Në qershor, ish-zëvendësdrejtori i CIA-s, Michael Morell dhe Graham Allison, ish-ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për politikat dhe planet, publikuan një raport ku shprehnin shqetësim dhe kërkonin një kujdes të madh për kërcënimin e terrorizmit.
Për ata që argumentojnë se eleminimi i krerëve të udhëheqjes së grupeve terroriste na ka bërë më të sigurt, unë pyes veten nëse janë ata të ndërgjegjshëm se sa të pandjeshëm janë bërë amerikanët ndaj ndryshimeve tashmë të normalizuara në jetën tonë të përditshme, që kërkohen për t'u mbrojtur kundër terrorizmit.
Por siç më kujtohet sa herë që shkoj në një aeroport, apo marr pjesë në një ngjarje publike, dhe siç e dinë tani edhe fansat e këngëtares së njohur Taylor Swift, unë nuk ndihem më i sigurt./ Marrë nga “The Hill”, përshtati "Pamfleti"
Shënim:Douglas London, ka punuar për 34 vjet si oficer operacionesh të CIA-s në Azinë Jugore dhe Jugperëndimore. Ai është lektor mbi studimet e inteligjencës në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Xhorxhtaun.
Lini një Përgjigje