
Barcelona ka vendosur të ndërpresë zyrtarisht marrëdhëniet institucionale me qeverinë izraelite dhe marrëveshjen e miqësisë me qytetin e Tel Avivit, si një akt politik në mbështetje të të drejtave të popullit palestinez. Vendimi u miratua nga Këshilli i Bashkisë me një dokument prej rreth 20 pikash, ku theksohet se pezullimi do të jetë në fuqi “derisa të rivendoset respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të popullit palestinez”.
Kryebashkiaku socialist i Barcelonës, Jaume Collboni, deklaroi se “niveli i vuajtjeve dhe vdekjeve që Gaza ka përjetuar gjatë një viti e gjysmë, si dhe sulmet e përsëritura nga qeveria izraelite, e bëjnë çdo marrëdhënie midis dy qyteteve të paqëndrueshme”. Marrëveshja e miqësisë e nënshkruar më 24 shtator 1998 me Tel Aviv-Jaffa është pezulluar zyrtarisht.
Në kuadër të masave të tjera të miratuara, këshilli i kërkon Ekspozitës së Barcelonës të mos presë pavione të qeverisë izraelite apo kompani armësh që përfitojnë nga “gjenocidi, pushtimi, aparteidi dhe kolonizimi i territoreve palestineze”. Një rekomandim i ngjashëm është duke u shqyrtuar edhe për portin e Barcelonës, për të bllokuar anijet që transportojnë armë drejt Izraelit.
Ky nuk është rasti i parë i një vendimi të tillë në Barcelonë; në shkurt të vitit 2023, ish-kryetarja e bashkisë Ada Colau pezulloi përkohësisht marrëdhëniet me Izraelin, por ato u rivendosën pak muaj më vonë me ardhjen në pushtet të Collboni.
Ky veprim i Barcelonës përkon me zhvillime të mëdha në diplomacinë spanjolle; më 28 maj 2024, qeveria e Pedro Sanchez njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë. Në muajt e fundit, Spanja është rreshtuar si një nga kundërshtarët më të fortë të qeverisë së Benjamin Netanyahut brenda Bashkimit Evropian.
Lini një Përgjigje