TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Tetor 2024, 10:20

Si Rusia, Kina dhe Irani po përhapin informacione të rreme dhe kaos në Shtetet e Bashkuara

Shkruar nga David R.Shedd & Ivana Stradner

Irani dhe Rusia i kanë shpallur luftë demokracisë amerikane. Ndaj pa një politikë të besueshme parandaluese, këta armiq do të vazhdojnë të synojnë të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara...

Si Rusia, Kina dhe Irani po përhapin informacione të rreme dhe kaos

Në shtator të këtij viti, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi dy punonjës të televizionit shtetëror rus Russia Today, në lidhje me transferimin e 10 milionë dollarëve për themelimin e një media të re me qendër në shtetin e Tenesit. Zyrtarët amerikanë i akuzuan ata për pastrim parash dhe mos-regjistrimin si agjentë të huaj.

Megjithatë rasti i tyre zbuloi një kërcënim shumë më të gjerë: përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë të SHBA-së, për të helmuar mjedisin informativ në Shtetet e Bashkuara. Fushatat e zgjedhjeve presidenciale të viteve 2016 dhe 2020, u shoqëruan me përpjekje të ngjashme nga Rusia dhe aktorë të tjerë për të futur keqinformimet në “dietat mediatike” të amerikanëve.

Edhe ky vit nuk ka qenë ndryshe. Sipas aktakuzës së Departamentit të Drejtësisë, me përfshirjen edhe të ndikuesve dhe analistëve të njohur të krahut të djathtë, kompania në Tenesi prodhoi dhe publikoi video në gjuhën angleze në platformat e mediave sociale, si TikTok dhe YouTube, të cilat promovonin pikëpamje në përputhje me “interesin e Moskës për të thelluar ndarjet brenda SHBA-së”.

Operacionet ruse të ndikimit, por edhe ato të ndërmarra nga Kina dhe Irani, përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë amerikane. Sipas Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, fuqitë e huaja mund të mos përpiqen të “sulmojnë integritetin e sistemeve të votimit”, por ato po e përdorin keqinformimin për të “dëmtuar besimin tek integriteti i proceseve zgjedhore, si dhe për të thelluar më tej ndarjet midis amerikanëve”.

Sipas një raporti të korrikut të Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Rusia është “kërcënimi kryesor për zgjedhjet në SHBA”, dhe ajo “po punon aktivisht për të fshehur më mirë gjurmët e saj në këtë veprimtari”. Presidenti rus Vladimir Putin, beson se duke thelluar polarizimin dhe ndarjet në Shtetet e Bashkuara, ai mund të dobësojë edhe dominimin amerikan në botë, dhe ta rivendosë Rusinë si një fuqi globale.

Në funksion të këtij qëllimi, operativët rusë kanë përhapur mesazhe nxitëse në mediat sociale për çështje shumë të nxehta në politikën amerikane, si aborti, e drejta për të pasur armë, emigracioni apo edhe mbështetja e SHBA-së për Ukrainën.

Po ashtu Kremlini ka ndërmarrë fushata shpifjesh për kandidaten presidenciale të demokratëve, zv/presidenten aktuale Kamala Harris, ka manipuluar video për ta denigruar atë, si dhe ka nxitur narrativa që hedhin dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve në SHBA, siç është një video që tregon në mënyrë të rreme një person që gris fletëvotimet në Pensilvani.

Ndërhyrja e Moskës në mediat sociale amerikane, përfshin edhe reklamat me pagesë, profilet e rreme që promovojnë përmbajtje të krijuar nga AI, dhe lidhjet me faqet e internetit që imitojnë mediat legjitime për të përhapur narrativa miqësore me Rusinë.

Këto përpjekje nuk duhet të jenë aspak befasuese. Rusia e ka konceptuar prej kohësh informacionin si një armë. Ajo beson se ndodhet në një luftë informative me Perëndimin, dhe sipas një eseje të botuar në revistën “Military Thought” të Ministrisë ruse së Mbrojtjes Ruse, “në revolucionin e vazhdueshëm në teknologjitë e informacionit, informacioni dhe lufta psikologjike do të hedhin bazat e fitores”.

Strategët ushtarakë rusë, duan që ta përdorin “manipulim masiv psikologjik të popullsisë për të destabilizuar shtetin dhe shoqërinë” e kundërshtarëve të tyre. Sigurisht, Rusia nuk është e vetme në përdorimin e metodave të tilla për të përhapur konfuzion dhe përçarje në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët e inteligjencës, kanë paralajmëruar se edhe Irani është përpjekur të ndikojë mbi zgjedhjet e fundit në SHBA. Teherani, ashtu si Moska, synon të nxisë trazira midis amerikanëve, me qëllimin madhor dobësimin e hegjemonisë globale amerikane.

Ndërsa Rusia preferon Trumpin, Irani preferon Harrisin. Në fillim të këtij viti, hakerët iranianë dyshohet se arritën të vidhnin dhe më pas të zbulonin të dhëna nga shtabi elektoral  i Trump. Sipas Microsoft, një grup hakerash iranianë ka shpërndarë mesazhe në mediat sociale në mbështetje të bojkotit të zgjedhjeve presidenciale, si një formë proteste kundër luftës në Gaza.

Në shkurt të këtij viti, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare paralajmëroi se edhe Kina i ka shtuar operacionet e saj të informacionit në internet, duke synuar “të mbjellë dyshime mbi udhëheqjen e SHBA, të dëmtojë demokracinë dhe të zgjerojë ndikimin e Pekinit”.

Përmes mediave sociale, kinezët janë përqendruar tek votimet me postë, duke u përpjekur që të sulmojnë republikanët që janë në përgjithësi më kritikë ndaj Kinës. Një operacion tjetër goxha i suksesshëm i ndikimit kinez, i njohur si Spamouflage, shfrytëzon përdorues të sajuar amerikanë në mediat sociale për të nxitur pakënaqësi me zgjedhjet presidenciale.

Këta “përdorues” kritikojnë të dy kandidatët, dhe kanë bërë postime mbi çështje të diskutueshme, si të drejtat riprodhuese dhe mbështetja e SHBA-së për Izraelin. Është e vështirë të maten efektet e plota të operacioneve të ndikimit gjatë kohës që ato janë duke u zhvilluar, apo edhe pas përfundimit të tyre.

Për nga natyra e tyre, aktivitete të tilla janë afatgjata, me synim nxitjen e kaosit, pakënaqësive dhe dyshimeve brenda një popullate të synuar për një periudhë të gjatë. Asnjë mesazh i vetëm, nuk mund të anojë zgjedhjet në favor të një kandidati apo tjetri. Është efekti kumulativ i operacioneve të ndikimit, ai që jep rezultat në ndryshimin e pikëpamjeve të njerëzve për një çështje apo person të caktuar.

Që nga viti 2016, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për të mbrojtur hapësirën e informacionit. Për shembull, Komanda Kibernetike e SHBA-së ka vënë në shënjestër trollët dhe hakerët rusë për t’i penguar ata të kërcënojnë zgjedhjet në vend. Zyrtarët e inteligjencës, kanë demaskuar vazhdimisht operacionet e ndikimit të huaj dhe qeveria amerikane ka vendosur nën sanksione individë dhe media të përfshira në aktivitete keqdashëse. Këto masa mund të jenë hapa në drejtimin e duhur, por ato nuk mjaftojnë.

Përgjigja e qeverisë amerikane ndaj operacioneve të ndikimit të huaj, është shpesh e shkëputur dhe jo shumë e zhdërvjellët. Uashingtoni i sheh aktivitete të tilla si çështje që duhen trajtuar kryesisht nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Në fakt, ky sulm ndaj jetës publike kërkon një përgjigje shumë më gjithëpërfshirëse dhe më vendimtare nga administrata.

Së pari, organet qeveritare mund të koordinohen më mirë për të kundërshtuar operacionet e ndikimit të huaj. Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duhet të hartojë një plan veprimi për të gjithë qeverisë, që të ekspozohet ndërhyrja në zgjedhje nga ana e kundërshtarëve të SHBA-së dhe të ndërmarrin kundërmasa specifike.

Ndërkohë presidenti duhet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv, që udhëzon të gjitha departamentet dhe agjencitë të krijojnë task-forca të brendshme për të identifikuar fushatat e mundshme të informacionit keqdashës të huaja që synojnë të minojnë punën e tyre.

Një nga sfidat më të mëdha në luftimin e një lufte informative ka qenë dhe do të mbetet, Amendamenti i Parë, i cili garanton të drejtën e fjalës së lirë. Edhe pse i lejon qytetarët amerikanë të shprehen lirisht, ai e bën demokracinë amerikane të prekshme ndaj makinacioneve të autokracive dhe aktorëve të tjerë të këqij.

Kur Departamenti i Drejtësisë akuzoi dy punonjësit e Russia Today, Moska pretendoi se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur “luftë lirisë së fjalës”. Edhe Ministria e Jashtme kineze e fajësoi SHBA-në për shtypjen e fjalës së lirë, për shkak të përpjekjes për të ndaluar aplikacionin popullor kinez të mediave sociale TikTok.

Në këto kushte, si demokratët ashtu edhe republikanët duhet t’i rezistojnë polarizimit dhe ndarjes në rritje, dhe ta trajtojnë ndërhyrjen në zgjedhje si një çështje dypartiake. SHBA-ja nuk duhet të shmangë vetëm kundërshtarët e huaj duke ekspozuar publikisht veprimet e tyre. Ajo duhet të hidhet në sulm.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara u përpoqën të fitonin zemrat dhe mendjet e njerëzve nën sundimin sovjetik përmes muzikës, artit modern dhe letërsisë. Ajo krijoi media të shumta si Radio Evropa e Lirë dhe Radio Liberty, që ndihmuan të përçimin e mesazheve pas Perdes së Hekurt, duke u kujtuar njerëzve atje liritë e natyrshme në Ëndrrën Amerikane.

Për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA-së, Uashingtoni duhet të nisë sërish operacionet e tij të ndikimit. Kina, Irani dhe Rusia i kanë shpallur luftë demokracisë amerikane. Ndaj pa një politikë të besueshme parandaluese, këta armiq do të vazhdojnë të synojnë të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Shënim: Devid R. Shedd, ish-drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Mbrojtëse të SHBA-së. Ivana Stradner, studiuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive

rusia kina irani shba informacione të rreme kaos

Lini një Përgjigje