
Lufta në Lindjen e Mesme, që tani është pasuruar me elementë të paprecedentë si sulmet raketore të Iranit ndaj Izraelit, dhe radiomarrëset që shpërthejnë në duart e njerëzve, ka ringjallur natyrshëm frikën nga organizatat terroriste në Perëndim.
Duke bërë një analizë të viteve 1980, kur Republika Islamike e sapo themeluar e Iranit rrëmbeu dhjetëra perëndimorët në Bejrut dhe vrau kundërshtarë në kryeqytetet evropiane, agjencitë e inteligjencës në disa shtete evropiane dhe në Britaninë e Madhe paralajmëruan kohët e fundit qeveritë e tyre për një ringjallje të aktiviteteve terroriste të këtij regjimi në kontinent.
Ata ishin veçanërisht të shqetësuar nga shenjat e bashkëpunimit të mundshëm midis bandave kriminale dhe Njësisë 840 të Gardës Revolucionare Iraniane, një departament që thuhet se është përgjegjës për atentatet dhe sabotimet jashtë vendit.
Që nga viti 2020, agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë bërë përgjegjës Republikën Islamike për të paktën 33 incidente terroriste në të gjithë Evropën. Ndër to përfshihen sulme në rrugë ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian, përpjekjet për atentate me bombë apo të përmes të shtënave që kishin si shënjestër personalitete dhe institucione hebraike ose izraelite, siç ndodhi së fundmi në Danimarkë dhe Suedi.
Në të vërtetë, shërbimi shtetëror i sigurisë suedeze (SÄPO), ka arritur që t’i cilësojë bandat kriminale dhe ato të trafikut lokal si përfaqësuese efektive të qeverisë së Teheranit apo si “tentakula terrori” jo të ndryshme nga milicitë si Hezbollahu apo Hamasi.
Veprimtaria kriminale në Suedi është shumë e gjerë, pavarësisht mirëqenies së saj dhe standardeve të larta të jetesës. Në veçanti dy banda suedeze janë të lidhura me regjimin e Teheranit. Njëra është Foxtrot, e drejtuar nga shtetasi suedezo-irakian me dy shtetësi Rawa Majid.
Prej disa vitesh, agjencitë policore e kanë shpallur në kërkim, edhe pse thuhet se ai u burgos në Iran gjatë viteve 2023-2024. Besohet se ai mund të ketë arritur një marrëveshje me forcën Quds të Gardës Revolucionare, e cila drejton Njësinë 840, në këmbim të lirimit të tij.
Banda tjetër që dyshohet se ka ndihmuar forcën Quds është Rumba, e drejtuar nga Ismail Abdo. Ai u arrestua në qytetin turk Adana në vitin 2023, por u lirua shumë shpejt përkundrejt një pagese qesharake prej 600 dollarësh, edhe pse mbeten ende të pazbardhura pretendimet se si ai mund të jetë bërë bashkëpunëtor i Republikës Islamike.
Besohet se Njësia 840 drejtohet nga një oficer i quajtur Yazdan Mir, i cili ka treguar aftësitë e tij për të krijuar lidhje me krimin e organizuar dhe për t’i detyruar bandat të bëjnë punën e pistë të Iranit jashtë vendit. Aktivitetet e kësaj njësie ndahen në eliminimin e kundërshtarëve dhe punën me grupet kriminale, me 3 departamente që mbulojnë përkatësisht Lindjen e Mesme dhe Afrikën (duke përfshirë Izraelin), Azinë-Kaukazin dhe Evropën dhe Amerikën.
Ndërsa Irani nisi të përdorë shtetas të huaj për të vrarë kundërshtarët menjëherë pas revolucionit të vitit 1979, Njësia 840, i ka zhvilluar sistematikisht këto lidhje, veçanërisht me kriminelët. Për shembull, politikani katalanas Alejo Vidal-Quadras u qëllua dhe u plagos në Madrid në vitin 2023.
Besohet se ai kaloi para nga partia e ekstremit të djathtë Vox tek Mujahedin-e Khalq apo MKO iraniane, një grup opozitar marksisto-islamist i listuar me ndërprerje si terroriste nga BE dhe Shtetet e Bashkuara. I dyshuari i parë i arrestuar për të atentatin ndaj Vidal-Quadras ishte një kriminel franko-tunizian, Mehrez Ayari.
Republika Islamike ka listën e saj të terroristëve dhe sponsorëve të terrorizmit, në të cilën përfshihet Vidal-Quadras për lidhjet e tij me kundërshtarët më të dhunshëm të Teheranit, MKO. Por siç e kanë theksuar agjencitë spanjolle të sigurisë, nuk ka prova të qarta që të lidhin atentatorët e dyshuar ndaj tij me Teheranin.
Në Britani, policia zbuloi një komplot për të vrarë dy gazetarë të kanalit televiziv Iran International, Sima Sabet dhe Fardad Farahzad, falë një informatori nga Evropa Lindore. Policia e kryeqytetit britanik ndaloi edhe një austriak me prejardhje çeçene në lidhje me kërcënimet e bëra ndaj kanalit televiziv me vendndodhje në Londër, akuza për të cilat ai u dënua më vonë me 3 vjet e gjysmë burg.
Një tjetër gazetar i kësaj media, Pouria Zeraati, u godit me thikë në një nga rrugët e Londrës më 30 mars, këtë herë nga shqiptarët. Policia e kryeqytetit britanik, thotë se ka parandaluar më shumë se 20 tentativa për akte terroriste në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2022, 5 prej të cilave vetëm këtë vit.
Një ndër masat e marra nga qeveria, ka qenë vendosja nën sanksione financiare e shumë emrave të anëtarëve të Gardës Revolucionare. Në prill të këtij viti, policia franceze arrestoi një çift franko-algjerian me një të shkuar të gjatë në aktivitetin e trafikimit drogës.
Tani ata mbahen si të dyshuar për planifikimin e sulmit me bombë ndaj objekteve hebraiko- izraelite në Francë dhe Gjermani. Agjencia franceze e sigurisë (DGSE) i konsideron këto arrestime si tregues të përpjekjes së Republikës Islamike për të sjellë në territorin evropian hakmarrjen e saj mbi atë që po ndodh në Lindjen e Mesme.
Kohët e fundit, gjykatat në Holandë dënuan me burgim të përjetshëm bosin e bandës marokeno-holandeze Ridouan Taqi, për krime të shumta që përfshinin vrasjen e 3 kundërshtarëve të regjimit iranian që vitet e fundit jetonin në Holandë.
Gjithashtu besohet se Njësia 840, ka bashkëpunuar për vite me radhë me kriminelët turq, të cilët mund të kenë ndihmuar në kapjen dhe dorëzimin në Iran të kundërshtarit suedezo-iraniano-arab dhe separatistit rajonal, Habib Chaab. Ai u ekzekutua me varje në litar në Iran në vitin 2023.
Chaab u kap falë ndihmës së trafikantit turko-iranian Naji Sharifi, që dyshohet se kërkonte të vriste të arratisurit iranianë në shtetin amerikan Maryland, dhe që mendohet se mund të ketë gisht në vrasjen e Saeed Karimian, një drejtues i televizionit iranian, në Stamboll në vitin 2017.
Kohët e fundit ka pasur edhe disa viktima të dyshimta brenda njësisë 840. Një ndër ta ishte koloneli i saj, Hassan (ose Husein) Sayyad Khodaei, i cili u qëllua për vdekje nga një motoçikletë e telekomanduar në Teheran në maj 2022. Thuhet se ai ishte i ngarkuar me misionin për të goditur hebrenjtë dhe shtetasit izraelitë në këtë Njësi.
Ndërkohë Irani fajësoi menjëherë Izraelin për vrasjen e tij. Gjashtë ditë më vonë, një tjetër komandant i njësisë, Ali Ismailzadeh, vdiq pasi u rrëzua nga ballkoni i tij në Karaj, në periferi të Teheranit. Në këtë rast vetëvrasje/vrasje, pati zëra se fajtori i dyshuar mund të mos ketë qenë Izraeli. Ky akt ishte një dënim për Ismailzadeh, që ndoshta bashkëpunoi me Izraelin në vdekjen e Khodaeit./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje