Sirena bastisjesh ajrore dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në kryeqytetin venezuelian, Karakas, me Presidentin Nicolas Maduro që shpalli vendin në gjendje të jashtëzakonshme.
Sipas raportimeve, një nga objektet që është goditur është Kalaja Tiuna në anën jugore të qytetit, kompleksi kryesor ushtarak i Venezuelës, ku ndodhen ndër të tjera Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake.
Bombardimet rezultuan gjithashtu në ndërprerjen e energjisë elektrike në zonë. Shpërthimi i parë u regjistrua afërsisht në orën 1:50 të mëngjesit sipas kohës lokale.
"Një shpërthim ishte aq i fuqishëm sa dritarja ime u drodh pas tij", tha korrespondenti i CNN.
Ndërkohë zyrtarët e administratës Trump janë në dijeni të raporteve për shpërthime dhe avionë mbi kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, herët në mëngjes të shtunën, thanë burimet për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.
Imazhet e zjarreve të mëdha me re tymi janë të dukshme në mediat sociale, shkruan AFP, por ende nuk është e mundur të përcaktohet vendi i saktë i këtyre shpërthimeve.
Banorët e disa lagjeve dolën në rrugë të alarmuar teksa shpërthimet ishin të dukshme në distancë nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Sipas CNN, disa lagje në kryeqytet mbetën pa energji elektrike.
Ky sulm vjen pas disa javësh presioni ndaj Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, nga administrata Trump.
Presidenti amerikan akuzon homologun e tij venezuelian për infiltrim në Amerikë me trafik droge dhe krim.
Lini një Përgjigje