
Një zjarr i madh shpërtheu në një kompleks industrial të naftës në Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një sulmi me dronë që autoritetet lokale e lidhin me Iranin.
Katari ka reaguar pas sulmit ndaj një anijeje të lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe në Ngushticën e Hormuzit. Katari ka dënuar ashpër sulmin dhe e ka cilësuar si shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare.
Ngjarja u raportua nga Fujairah, ku një tanker i lidhur me kompaninë shtetërore të naftës Adnoc dyshohet se është goditur.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Katarit e cilësoi sulmin si “një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe parimit të lirisë së lundrimit detar”.
Autoritetet në Doha kanë bërë gjithashtu thirrje për rikthimin e menjëhershëm të funksionimit normal të këtij korridori strategjik. Në deklaratë theksohet nevoja për “rihapjen pa kushte” të Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe vijojnë të raportojnë sulme me raketa, me paralajmërimin e fundit të lëshuar në orën 19:49 me kohën lokale.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Irani për të konfirmuar apo mohuar incidentin, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar dhe me shumë paqartësi.
Lini një Përgjigje