
Më shumë se 10 mijë imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit.
Sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve “Caminando Fronteras”, kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentativë për të shkuar në Spanjë përmes anijeve.
Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.
Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanari të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.
Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.
Kjo organizatë mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.
Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Sipas raportit, Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës.
Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” në vitin 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.
Në shkurt, Spanja i dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet të nisen drejt ishujve të saj.
Ministria e Brendshme e Spanjës njofton se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike./REL
Lini një Përgjigje