
Oleh Ivashchenko, shefi i ri i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës (SZRU), emëruar nga Presidenti Zelensky në mars të vitit të kaluar, në një intervistë të detajuar për agjencinë shtetërore "Ukrinform", zbuloi planet afatgjata të Kremlinit dhe dha një vlerësim të rreziqeve që presin Europën nëse Rusia riorganizohet ushtarakisht.
Ai deklaroi se planet e Rusisë mbeten të pandryshuara dhe se thjesht po përpiqen të blejnë kohë me idenë e bisedimeve për paqe, në mënyrë që të marrin veten. Ivashchenko theksoi se Putin ka si synim të gjitha vendet e ish Bashkimit Sovjetik.
“Planet strategjike të Rusisë mbeten të pandryshuara, ajo kërkon kontroll të plotë mbi territorin tonë. Janë të rraskapitur teknologjikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht. Po përpiqen të fitojnë kohë për t’u riorganizuar, por kjo nuk garanton paqe. Në logjikën e Kremlinit, kjo është një luftë për të ringjallur Bashkimin Sovjetik. Sipas vlerësimeve tona, synimi i menjëhershëm është marrja nën kontroll e plotë e rajoneve të Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit. Objektivi i gjatë është rivendosja e ndikimit mbi të gjitha vendet e ish-BRSS-së”, tha ai.
Shefi i Inteligjencës Ukrainase dha detaje të mëtejshme për atë të cilin ai e quajti “Plani Kaliningrad”, i cili sipas tijm ka për synim për të sulmuar vendet baltike.
“Skenari rus përfshin një krizë të stisur në Kaliningrad apo Bjellorusi, që të justifikojë ndërhyrjen ushtarake. Armata e Blinduar dhe Armata janë përgatitur për të depërtuar nëpër korridorin Suwałki dhe për të kërcënuar shtetet baltike”, shtoi Ivashchenko.
Më tej, Ivashchenko tha se Ukraina nuk po luftonte vetëm për mbijetesën e saj, por edhe për Europën. Ai deklaroi se nëse hiqen sanksionet, Rusisë do t’i duhen 2-4 vite për t’u riarmatosur dhe për të sulmuar Europën.
“Ukraina nuk lufton vetëm për mbijetesën e saj, ne jemi mburoja e Europës. Po mbajmë linjën e parë dhe po i japim kohë Perëndimit të përgatitet. Nëse lufta ndalet, Rusia do t’i duhen 2 deri në 4 vite për të rindërtuar fuqinë ushtarake. Nëse hiqen sanksionet, rearmatimi do përshpejtohet dhe Rusia do të jetë gati për agresion kundër Europës. Ndërtimi i një distrikti të ri ushtarak në Leningrad, me baza të reja ushtarake deri në gadishullin Kola dhe kufirin me Finlandën, është sinjali më i qartë që po përgatiten për ofensivë, jo për mbrojtje”, u tha ai ndër të tjera.
Lini një Përgjigje