Në vitin 2003, pati një arsye pse Shtetet e Bashkuara dërguan trupa tokësore në Irak, dhe ajo nuk kishte të bënte me eksportimin e demokracisë atje.
Amerika, dikur një fener i botës së lirë, po shkon drejt rrugës së diktaturës. Metodat e Trump në politikën e brendshme, janë tashmë ato të një presidenti autoritar. Në rastin e një konflikti të hapur me një vend tjetër si Irani, pasojat do të ishin katastrofike.
Debati publik në SHBA mbi bombardimin e Iranit është surreal. Së pari, ai nuk ka gjasa të çojë në një rezultat të kënaqshëm. Nëse historia na ka mësuar diçka, kjo është pamundësia e arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme vetëm përmes bombardimeve.
Në vitin 2003, pati një arsye pse Shtetet e Bashkuara dërguan trupa tokësore në Irak, dhe ajo nuk kishte të bënte me eksportimin e demokracisë atje. Zyrtarët amerikanë, besonin se nuk mund ta zgjidhnin vetëm përmes bombardimeve problemin e programeve të armëve të shkatërrimit në masë të Saddam Huseinit.
Ata e kishin provuar edhe më parë këtë gjë. Administrata e Bill Clinton, e bombardoi Irakun për 4 ditë me radhë në vitin 1998. Dhe në fund, nuk e kishte idenë se çfarë kishte shkatërruar në të vërtetë dhe çfarë jo. Por dinte me siguri vetëm një gjë: nuk e kishte zhdukur përfundimisht atë program. Nëse George W.Bush do të kishte menduar në vitin 2003, se mund t’i eliminonte përgjithmonë programet ushtarake të Saddamit vetëm përmes bombardimeve, ai do ta kishte zgjedhur atë mundësi. Sot, Irani paraqet për SHBA-në të njëjtën dilemë.
Armët e Amerikës, mund të jenë më të përparuara se në vitin 2003. Aftësitë e saj të inteligjencës janë më të mira, dhe Irani mund të jetë edhe më i dobët se sa ishte një vit më parë. Por problemi mbetet i njëjtë: Vetëm bombardimet nuk do të sjellin një fund të verifikueshëm dhe të përhershëm të programit bërthamor të Iranit. Ato mund të përdoren për të blerë kohë, dhe sulmet e Izraelit e kanë bërë këtë. Sulmet e Amerikës e kanë zgjatur atë periudhë, por një regjim iranian kokëfortë ka të ngjarë të rifillojë kursin e tij bërthamor. Një zgjidhje e përhershme, do të kërkonte një regjim ndërkombëtar verifikimi shumë më ndërhyrës, që nga ana tjetër do të kërkonte një prani në terren për të garantuar sigurinë.
Megjithatë, nuk është kjo arsyeja kryesore pse unë e kundërshtoj bombardimin e Iranit. Duke lexuar artikujt e zakonshëm analitikë të New York Times mbi “opsionet e politikës së jashtme”, askush nuk do të mendonte se Shtetet e Bashkuara po shkojnë tashmë drejt diktaturës.
Ky është konteksti në të cilin po zhvillohet lufta me Iranin. Donald Trump, ka vendosur në një kontroll diktatorial të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në vend. Departamenti i Drejtësisë, policia, agjentët e doganave dhe migracionit (ICE) dhe Garda Kombëtare, janë qartësisht përgjegjës ndaj tij, dhe jo ndaj popullit apo Kushtetutës. Ai e ka neutralizuar Kongresin, duke marrë vetë nën kontroll çështjen e buxhetit. Dhe më e rëndësishmja në rastin e Iranit, ai po e transformon në mënyrë aktive dhe të hapur ushtrinë amerikane në ushtrinë e tij personale, e cila do të përdoret sipas dëshirës, madje edhe si një instrument të shtypjes së brendshme.
Çdo veprim i ndërmarrë kundër Iranit, i shërben këtyre qëllimeve. Kur ai feston për bombardimin e Iranit, ai është duke lavdëruar në fakt veten dhe pushtetin e tij. Presidenti urdhëroi organizimin e një paradë ushtarake me rastin e ditëlindjes së tij të 79-të. Po kështu bëri edhe kur shpalli suksesin ushtarak në Iran.
Presidenti po përpiqet të ngulisë tek ushtarakët një përkushtim të verbër vetëm ndaj tij. Dhe kjo marrëdhënie u forcua pas urdhrit për të nisur atë që u paraqit si një mision ushtarak i suksesshëm. Në fakt, në këtë kohë nuk mund të mendoj ndonjë gjë tjetër më të rrezikshme për demokracinë amerikane se sa lufta. Trump mund ta përdorë këtë skenar për të forcuar sundimin e tij diktatorial në SHBA. Tek e fundit, ai ka shpallur tashmë një emergjencë kombëtare në kundërpërgjigje të
një “pushtimi” jo ekzistent nga bandat kriminale venezueliane.
A do ta toleronte ai kundërshtimin në kohë lufte? Woodrow Wilson i burgosi dikur aktivistët e paqes, përfshirë Eugene V.Debs. A mendoni se Trump nuk do ta bënte këtë? Ai po burgos njerëz edhe në kohë paqeje, dhe me motive akoma më të dobëta. Edhe presidentët që nuk aspironin të vendosnin diktaturën, kanë marrë në kohë lufte masa që në rrethana të tjera do dukeshin paimagjinueshme.
Pastaj është çështja e terrorizmit. Po sikur Irani të kryente një sulm terrorist në territorin amerikan në kundërpërgjigje të sulmit ajror të SHBA-së? Apo të përpiqej dhe të dështonte? Pas një sulmi të tillë, gjykatat do t'i jepnin presidentit liri të plotë.
Do të zhdukej çdo kufizimi ndaj Trump. Administrata mund të argumentonte se ligjet antiterror, e lejojnë atë të shkelë të drejtat e qytetarëve amerikanë në të njëjtën mënyrë siç po shkel tani të drejtat e qytetarëve jo amerikanë, që ndodhen ilegalisht në vendin tonë dhe që po kapen në rrugë nga burra të maskuar. Prokurorja e Përgjithshme, ka kërcënuar se do të përdorë ligjet kundër terrorizmit ndaj njerëzve që hedhin gurë mbi pikat e shitjes së makinave Tesla. Imagjinoni se çfarë do
t’u bëjë ajo protestuesve kundër luftës, nëse mund ta justifikojë këtë me një kërcënim të vërtetë terrorist.
Së fundmi, kjo qasje ka edhe pasoja globale. Shtetet e Bashkuara, qeverisen aktualisht nga forca anti-liberale që synojnë të përmbysin idealet universale dhe liberale të Etërve Themelues të vendit, dhe t'i zëvendësojnë ato me një identitet kombëtar të bardhë, të krishterë dhe etnofetar.
Zyrtarët amerikanë, po mbështesin në mënyrë aktive forca të ngjashme në të gjithë botën, përfshirë qeverinë aktuale anti-liberale dhe etnofetare të Izraelit. Suksesi i pretenduar i Trump në Iran, pavarësisht pasojave, është një fitore për aleancën anti-liberale, dhe i shërben interesave të anti-liberalizmit në të gjithë botën.
Kjo është e vërtetë, edhe nëse regjimi aktual iranian është vetë anti-liberal. Nëse do të bien mullahët në Iran, Trump dhe Izraeli ka të ngjarë të mbështesin një lider të fortë ushtarak, në vend të ndonjë force demokratike në zhvillim.
Kjo ka qenë gjithmonë politika izraelite në rajon, dhe presidentët edhe më pak miqësorë ndaj diktatorëve, si Barack Obama, janë përshtatur me të. Unë nuk do të doja që fuqia ushtarake amerikane të përdorej për ta bërë botën më të sigurt për diktaturat.
Ndoshta do të mendoja ndryshe, në rast se Irani do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara. Në fakt nuk është i tillë. Politika e Amerikës për frenimin e Iranit, ka qenë gjithmonë pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbrojtur një sistem botëror liberal, me në qendër të saj Amerikën liberale.
Nën dritën e asaj që po ndodh në vend, amerikanët duhet të nisin të mendojnë ndryshe për politikën tonë të jashtme. Ne s’mund të besojmë më se çdo vendim i politikës së jashtme që merr Trump, nuk do të përdoret për qëllime anti-liberale jashtë vendit apo për të forcuar pushtetin e tij brenda SHBA-së. Sot, vetë Shtetet e Bashkuara janë në rrezik të transformohen në një diktaturë ushtarake.
Institucionet e saj liberale demokratike pothuajse janë shembur. Eksperimenti i Etërve Themelues, mund të jetë duke iu afruar fundit. Jo se përbën ndonjë ndryshim, por unë distancohem plotësisht nga kjo që po ndodh./Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”
*Shënim: Robert Kagan, studiues dhe ish-këshilltar për politikën e jashtme për kandidatët republikanë për presidentë të SHBA-së, si dhe për administratat demokrate nëpërmjet Bordit të Politikës së Punëve të Jashtme.
Lini një Përgjigje