
E dimë se ka mbështetës të Trump, të cilat janë të armatosur dhe që i gëzohen stilit militarist të politikës. Ndaj nëse Trump dhe njerëzit e tij nisin të flasin për këtë ngjarje në një mënyrë nxitëse, mund të shohim jo vetëm sulme sporadike - siç duket të ketë qenë edhe sulmi i 13 korrikut - por forma më kolektive dhe më të organizuara të dhunës.
Atentati i 13 korrikut ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, shënoi herën e parë në më shumë se 40 vjet që dikush qëllon me armë një president në detyrë apo ish-president. Nuk është e qartë se çfarë e motivoi autorin, por është fakt që sulmi ndodhi një moment të tensioneve politike të larta në mbarë SHBA-në.
Për të kuptuar se çfarë domethënie ka kjo ngjarje si për fushatën presidenciale ashtu edhe për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara, ne biseduam me Robert Lieberman, profesor i shkencave politike në Universitetin Xhon Hopkins. “Historia na tregon se demokracia amerikane ka qenë gjithmonë e cenueshme”- shkroi Lieberman në një artikull të vitit 2020 në këtë revistë.
I tronditur nga presidenca përçarëse e Trump, pandemia e Covid -19 dhe trazirat e shkaktuara nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd nga një punonjës policie, Lieberman theksoi se “vendi nuk është përballur kurrë me një sprovë kaq të rëndë”. Por tani ai përballet me një sprovë tjetër shumë më të vështirë.
-Gjatë këtyre orëve, a ju ka shkuar në mendje ndonjë periudhë apo episod i veçantë i ngjashëm në historinë e SHBA?
Kam menduar shumë për 1968-ën, i cili ishte një vit i vrasjeve politike. Së pari i Martin Luther King, Jr. dhe më pas i Robert F.Kennedy, në mesin e një fushate presidenciale shumë të trazuar, në të cilën ishte në telashe presidenti në detyrë Lyndon B. Johnson. Sot kemi një fushatë tjetër të trazuar, nën kërcënimin e dhunës politike.
-Cilat janë disa nga mësimet kryesore që duhet të nxjerrim nga viti 1968, teksa po mendojmë se çfarë do të ndodhë më pas?
Në vitin 1968, gjërat nuk shkuan mirë për Partinë Demokratike. Zëvendëspresidenti Hubert Humphrey u emërua pasardhës i Johnson, dhe ai i humbi zgjedhjet. Fituesi, republikani Richard Nixon, nuk ishte figura qetësuese dhe unifikuese që i duhej vendit në atë moment. Dhe as Trump nuk do të jetë një figurë e tillë nëse fiton në nëntor.
-A ka ndonjë dallim kyç midis 2 periudhave?
Në vitin 1968, vendi ishte dukshëm më pak i polarizuar nga sa është sot. Sulmi ndaj Trump ndodhi në një moment kur polarizimi është aq i madh, sa është bërë tejet shqetësues. Sepse kur polarizimi bëhet shumë ekstrem, mes kundërshtarëve nuk ka më një garë demokratike. Përkundrazi, gara shndërrohet në një lloj beteje vdekjeprurëse, ku njerëzit besojnë se nëse fiton pala tjetër, atëherë ky është një kërcënim vdekjeprurës për vlerat e tyre dhe për vetë ekzistencën e vendit siç e kuptojnë ata. Dhe nuk e largët distanca mes politikës shumtë të polarizuar dhe dhunës serioze.
-Ndërkohë, ka pasur edhe momente të tjera kur Shtetet e Bashkuara janë përballur me kriza demokratike, përfshirë fushatën presidenciale të vitit 1798, Luftën Civile dhe skandalin Watergate. Cilët faktorë i nxitën këto incidente, dhe sa prej tre janë sot të pranishëm?
Katër faktorë ndihmojnë në shkaktimin e krizave demokratike. I pari është polarizimi politik, i dyti është konflikti se kush i përket komunitetit politik, i treti është pabarazia ekonomike e lartë dhe në rritje të vazhdueshme, dhe i katërti është pushteti ekzekutiv me përmasa të zgjeruara.
Të paktën një nga këto forca, ka qenë e pranishme në çdo moment të trazirave demokratike në historinë e SHBA-së. Ajo që e dallon periudhën e 4 viteve të fundit, është se janë të pranishëm të kartërt faktorët. Ato ndihmuan në zgjedhjet president të Donald Trump, dhe ishin pjesë e arsyes pse vendi ishte i prekshëm ndaj një incidenti si sulmi në Capitol Hill më 6 janar 2021. Mjerisht, çdo lloj ngjarje e tillë vetëm sa e dobëson më tej demokracinë e vendit. Kjo e bën atentatin ndaj Trump edhe më të rrezikshëm dhe më provokues, se sa do të ishte në rrethana të tjera.
-Deri në çfarë mase mund të dalë jashtë kontrollit situata aktuale?
Është e vështirë të spekulosh. Nuk mendoj se shumë njerëz janë dakord me ngjarjet e 6 janarit, edhe duke marrë parasysh retorikën nxitëse të presidentit të atëhershëm për vjedhjen e zgjedhjeve. Por nga ana tjetër e dimë se ka mbështetës të Trump, të cilat janë të armatosur dhe që i gëzohen stilit militarist të politikës.
Ndaj nëse Trump dhe njerëzit e tij nisin të flasin për këtë ngjarje në një mënyrë nxitëse, mund të shohim jo vetëm sulme sporadike - siç duket të ketë qenë edhe sulmi i 13 korrikut - por forma më kolektive dhe më të organizuara të dhunës.
-Si mendoni që kjo ngjarje do të ndikojnë mbi pjesën e mbetur të kësaj fushate presidenciale? Si mund të reagojë Trump?
Trump nuk i është shmangur kurrë përqafimit apo lavdërimit të akteve të dhunës. Kujtoni pak komentet e tij mbi masakrën e Charlottesville. Apo gjithë retorikën rreth ngjarjeve të 6 janarit 2021, para, gjatë dhe pas tyre. Ai përdor një gjuhë çnjerëzore ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Ndaj kam vërtet frikë se Trump do ta shfrytëzojë këtë incident për të nxitur më tej dhunën midis ndjekësve të tij. Ne kemi parë tashmë disa përfaqësues të Trump të promovojnë idenë, se ishte retorika politike e presidentit Joe Biden, ajo që e provokoi sulmin me armë.
Ata theksojnë se Biden ka përhapur idenë se Trump është i rrezikshëm, se fitorja e tij do të ishte një goditje për demokracinë amerikane. Jam i shqetësuar se Trump dhe ekipi i tij do të vazhdojnë ta promovojnë këtë mesazh. Dhe sa më larg të përhapet ai në mesin e një popullate tashmë të zemëruar dhe të armatosur, aq më i madh është rreziku i sulmeve.
-Si mendoni se duhet të reagojë administrata Biden kësaj ngjarjeje?
Presidenti Biden ka bërë gjënë e duhur deri më tani, që është denoncimi i aktit. Ai shprehu ngushëllime për ata që u dëmtuan, duke përfshirë Donald Trump, për të cilin ne e dimë se nuk ka ndonjë simpati. Ai po përpiqet të bëjë thirrje për një farë uniteti. Por ka pak ndikim, sepse atentati shërben si një kushtrim dhune për Trump dhe mbështetësit e tij.
-A ka një precedent optimist mbi mënyrën se si mund të dalë vendi nga kjo krizë? Ç’duhet të ndodhë që të mbijetojë demokracia amerikane?
Skenari më optimist, është që kjo dhunë politike të çojë në më shumë unitet. Në javët që pësuan plagosjen e presidentit Ronald Reagan në një atentat në vitin 1981, vlerësimi i tij
në sondazhe u ngjit në pikën më të lartë të gjithë presidencës së tij. Dhe kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë nga spitali, lajmi u prit me entuziazëm edhe nga kundërshtarët e tij politikë. Por që vendi të ngrihet sot kundër dhunës politike, duhet të ketë vetëpërmbajtje nga të dyja palët. Dhe nuk jam i sigurt se kjo do të ndodhë.
-Atentati ndodhi jo shumë kohë pasi një vendim i Gjykatës së Lartë, u dha presidentëve një imunitet të gjerë nga veprimet që ata ndërmarrin kur janë në detyrë. Nëse Trump fiton, a mund të zgjerojë planet e tij apo të ndryshojë mënyrën se si qeveris?
Vendimi i Gjykatës së Lartë, ishte një hap tjetër drejt rritjes graduale dhe konsolidimit të pushtetit presidencial, duke e përqendruar autoritetin në një person, në vend se ta shpërndajë atë mes shumë njerëzve. Është një nga ato katër faktorët që nxisin krizat demokratike. Shembulli më i mirë është Watergate, kur Nixon përdori mjete që ishin grumbulluar në presidencë gjatë disa dekadave për ta përmbysur procesin demokratik.
Edhe përpara këtij atentati, ne kishim ndjesinë se një mandat i dytë i Trump do të nënkuptonte që dega ekzekutive mund të bëhej një instrument i ambicieve, obsesioneve ose hakmarrjeve të tij. Dhe ky incident vetëm sa do ta shtyjë atë në atë drejtim. Kjo ngjarje do ta nxisë Trumpin dhe rrethin e tij të ngushtë të keqpërdorë Departamentin e Drejtësisë ndaj kujtdo që do jetë në opozitë. /Përshtati "Pamfleti" nga “Foreign Affairs”
Lini një Përgjigje