
Rritja e madhe në shpenzimet për mbrojtje, mund t’i japë një nxitje afatshkurtër Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), por sanksionet po i rrisin kostot për bizneset ruse dhe po e kufizojnë qasjen e tyre në teknologjitë më të fundit, duke e dëmtuar kësisoj produktivitetin afatgjatë të Rusisë...
Ka ardhur koha që ta ri-përqendrojmë qasjen tonë ne lidhje me sanksionet ndaj Rusisë. Kanë kaluar thuajse 2 vjet që kur kjo e fundit nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, nëpërmjet një sulmi të paprecedentë, i cili çoi në një përgjigje po aq të paprecedentë nga bota demokratike.
Brenda pak javësh, vende si Koreja e Jugut, Australia dhe Japonia iu bashkuan BE-së, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në zbatimin e sanksioneve ndaj Moskës. Rusia e kaloi me shpejtësi Iranin si vendi më i sanksionuar në botë, dhe deri në fund të vitit të kaluar, ndaj saj kishte më shumë se 18.000 masa aktive që synonin individë apo kompani ruse.
Menjëherë pas pushtimit, Rusia u shkëput nga sistemi financiar global, SWIFT, dhe u privua nga më shumë se 300 miliardë dollarë nga asetet e saj në mbarë botën, të cilat u ngrinë. Shpresohej që këto masa drastike do të dëmtonin ekonominë e Rusisë, do ta dobësonin aftësinë e saj për të financuar luftën dhe në fund do ta detyronin presidentin Vladimir Putin që të ulej në tryezën e bisedimeve.
Mjerisht, diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Ekonomia ruse u degradua, por nuk u shkatërrua.
Tani konflikti është kthyer në një luftë rrënuese pa një fund në horizont. Fitorja do të varet kryesisht nga fakti nëse Ukraina dhe aleatët e saj mund ta dominojnë Rusinë në fushën e betejës.
Ne duhet ta rishikojmë politikën tonë të sanksioneve bazuar pikërisht tek ky objektiv. Duhet të pranojmë se megjithëse masat nuk do ta detyrojnë Moskën t’i japë fund luftës brenda natës, ato janë një mjet tjetër për të sabotuar dhe degraduar mjetet e prodhimit. Çdo tank rus që ne pengojmë të ndërtohet, është një tank më pak që duhet të shkatërrojnë në terren forcat ukrainase.
Në këtë kuadër, ne duhet të fokusohemi në tre fusha kryesore. Së pari, duhet të forcojmë zbatimin e sanksioneve ekzistuese, për të penguar që pjesët e këmbimit perëndimore të mbërrijnë në kompleksin industrial ushtarak të Rusisë. Së dyti, të forcojmë akoma më shumë sanksionet kundër industrisë së rëndë ruse, e cila ka një rol kryesor në mbështetjen e luftës së Putinit.
Dhe së fundi, duhet të përdorim asetet e ngrira ruse për të financuar fitoren dhe rindërtimin e Ukrainës. Pavarësisht raundeve të shumta të sanksioneve, më shumë se 2.6 miliardë euro komponentë të prodhimit perëndimor që mund të përdoren për prodhim ushtarak, hynë në Rusi vetëm në vitin 2023.
Analiza e Shkollës Ekonomike të Kievit, zbuloi thuajse 2800 komponentë të huaj në armët ruse të shkatërruara ose të kapura, përfshirë raketa hipersonike që janë përdorur për të goditur qytetet kryesore të Ukrainës dhe infrastrukturën më të rëndësishme.
Ndaj ne duhet të ushtrojmë një presion shumë më të madh mbi kompanitë perëndimore për të siguruar që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen. Duhet të hetohen rritjet e dyshimta të shitjeve në vendet që dihet se i kanë rritur këto kohë eksportet drejt Rusisë, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakistani ose Kirgistani.
Dhe kur është e nevojshme ato duhet të bllokohen. Synimi ynë duhet të jetë ndërprerja ose dëmtimi i linjave të furnizimit për kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë. Gjatë vitit të kaluar, Rusia e përgatiti ekonominë e saj për një konflikt të gjatë. Ajo i është rikthyer strategjive të vjetra sovjetike dhe ka zgjedhur industrinë e rëndë për të mbështetur luftën në Ukrainë. Qeveritë perëndimore duhet të kundërpërgjigjen duke rritur sanksionet ndaj mjeteve të saj të prodhimit. Në shënjestër të sanksioneve duhet të jetë industria bërthamore, por edhe kompanitë që prodhojnë çelik dhe alumin apo gazra si heliumi. Lufta e Rusisë po financohet ende nga të ardhurat që vijnë nga shitjet e hidrokarbureve.
Ndaj është shumë i rëndësishëm kufizimi dhe ndërprerja e mëtejshme e furnizimit me naftën dhe gazin rus. Ne duhet të shtrojmë presion ndaj Gazprom dhe filialeve të tij, dhe të godasim vendet që e ndihmojnë naftën ruse të mbërrijë në tregjet globale.
Së fundi, udhëheqësit perëndimorë duhet të kapërcejnë ngurrimin e tyre për të përdorur asetet e ngrira ruse në mbështetje të luftës por edhe rindërtimit të Ukrainës. Në ditët e para të luftës, qeveritë demokratike e bllokuan aksesin e Rusisë tek më shumë se 300 miliardë euro rezerva valutore.
Dhe në kushtet kur politikë-bërësit në të dy anët e Atlantikut, nuk po dinë se si të financojnë përpjekjet e Kievit për luftë, ky është një burim të ardhurash që ne s’mund ta shpërfillim më.
Deri më tani, qeveritë e G7 janë të shqetësuara se në kundërpërgjigje ndaj një lëvizjeje të tillë, vendet e tjera do të tërhiqnin rezervat e tyre nga vendet anëtare.
Por unë mendoj se kjo frikë është e tepruar. Një shqetësim më i madh, duhet të jetë që mosveprimi ynë, do të sillte me siguri suksesin e ushtrisë ruse në Ukrainë. Dhe kjo do të krijonte një precedent shumë më të rrezikshëm. Pra që kushdo mund të sulmojë një vend tjetër dhe rendin global, duke pësuar vetëm pasoja negative minimale.
Zhbllokimi i më shumë se 300 miliardë eurove, do të siguronte jo vetëm fondet që janë sot jetike për Ukrainën, por po ashtu do t’i dërgonte një mesazh të qartë Putinit, se ai nuk do t’i shpëtojë pasojave të rënda për shkak të luftës që ka nisur. Dy vite sanksione, mund të kenë dështuar ta gjunjëzojnë ekonominë e Rusisë, por kjo s’do të thotë se ato nuk po japin efektin e tyre.
Rritja e madhe në shpenzimet për mbrojtje, mund t’i japë një nxitje afatshkurtër Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), por sanksionet po i rrisin kostot për bizneset ruse dhe po e kufizojnë qasjen e tyre në teknologjitë më të fundit, duke e dëmtuar kësisoj produktivitetin afatgjatë të Rusisë.
Por tani ne duhet të shkojmë më tej. Sanksionet nuk do të jenë kurrë një armë 100 për qind efektive, por në një luftë të gjatë shkatërruese, ne duhet të përdorim gjithçka qe kemi në arsenalin tonë për t’i garantuar fitoren Ukrainës. /Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Shënim:Anders Fogh Rasmussen, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Lini një Përgjigje