
Dështimi i Barnier, ishte se ai nuk komunikoi mjaftueshëm me zonjën Le Pen, duke bërë që partia e saj t’i bashkohej koalicionit të krahut të majtë javën e kaluar një votimi mosbesimi ndaj qeverisë së tij. Por ndryshe nga sa spekulojnë mediat, vendimi i Le Pen për të rrëzuar Barnier nuk e ka dëmtuar popullaritetin e saj.
Emmanuel Macron ka emëruar centristin veteran Francois Bayrou si kryeministrin e tij të katërt. I zgjedhur për herë të parë si deputet në vitin 1986, Bayrou ka mbajtur postin e Ministrit të Arsimit në vitet 1990, si nën qeverinë socialiste të presidentit Francois Mitterrand, ashtu edhe atë të qendrës së djathtë të Jacques Chirac.
Në vitin 2007 ai themeloi një parti të qendrës, Mouvement Démocrate (Lëvizja Demokrate), e cila e mbështeti Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. Edhe pse në fillim të fushatës Bayrou e cilësoi Macron si kandidatin e “e të pasurve”.
73-vjeçari Bayrou u njoftua mesditën e të premtes, pas një takimi “të tensionuar” më herët në mëngjes me Macron në Elize. Çfarëdolloj gjëje që u tha midis dy burrave, dukej se i dha fund shansit të Bayrou për t’u bërë kryeministër. Por sipas raporteve, presidenti ndryshoi mendje pasi Bayou u largua nga Elize dhe i rihapi negociatat.
Bayrou zëvendëson në këtë detyrë Michel Barnier, me të cilin ai ka shumë të përbashkëta. Jo vetëm që ata janë burrat të të njëjtit brez, por kanë një pikëpamje të ngjashme centriste, dhe janë mendje-hapur në lidhje me bashkëpunimin me Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen.
Dështimi i Barnier, ishte se ai nuk komunikoi mjaftueshëm me zonjën Le Pen, duke bërë që partia e saj t’i bashkohej koalicionit të krahut të majtë javën e kaluar një votimi mosbesimi ndaj qeverisë së tij. Por ndryshe nga sa spekulojnë mediat, vendimi i Le Pen për të rrëzuar Barnier nuk e ka dëmtuar popullaritetin e saj.
Përkundrazi, një sondazh i kësaj jave në Le Figaro, e vendos atë të parën në fushatën presidenciale të vitit 2027. Nga ana tjetër popullariteti i Macron vazhdon të bjerë, dhe tani është vetëm 21 për qind, niveli më e ulët që kur mori këtë detyrë në vitin 2017. Të martën ai premtoi se kryeministri i ri do të emërohej maksimumi të enjten.
Por e enjtja erdhi dhe iku, dhe në fund të ditës Elize deklaroi se emri do të mësohej të premten në mëngjes. Më në fund u zbulua pak para orës 1 të drekës. Megjithatë ka një ndjesi se Macron e zgjati vetë këtë moment, për t’i kujtuar francezëve se kush është bosi.
“Atij i pëlqen të qëndrojë në qendër të lojës për aq kohë sa është e mundur”, u shpreh Boris Vallaud, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Duke folur përpara emërimit të Bayrou, Vallaud e këshilloi presidentin që të mos e bënte këtë, sepse “do të rrezikonte të përkeqësonte krizën politike dhe institucionale, të krijuar nga ai vetë”.
Ndërkohë duke folur pas emërimit të Bayrou, Mathilde Panot nga partia e majtë La France Insoumise, tha se partia e saj do të paraqesë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit të ri sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe Le Pen reagoi menjëherë ndaj emërimit të Bayrou.
“Duke pasur parasysh nevojën akute për të mbrojtur interesat e francezëve, ne po i kërkojmë atij të bëjë atë që nuk qenë të gatshëm ta bëjnë paraardhësit e tij: të dëgjojë edhe opozitën, për të hartuar një buxhet të arsyeshëm dhe të kënaqshëm për të gjithë”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
“Çdo politikë tjetër, do të ishte thjesht një zgjatje e makronizmit, e refuzuar 2 herë në kutinë e votimit, dhe kjo mund të çojë vetëm në ngërçe dhe dështime të reja”, nënvizoi ajo. Tre muaj më parë, Barnier pozoi në shkallët e Matignon, rezidenca zyrtare e kryeministrit, së bashku me paraardhësin e tij Gabriel Attal.
Sot Barnier ka zënë vendin e Attal, duke ia dorëzuar stafetën burrit të radhës, që është aq i guximshëm sa pranoi punën sot më të pa lakmueshme në Francë. Po sa do të rezistojë qeveria Bayrou? Sipas të gjitha gjasave jo për shumë kohë.
Ai ka tashmë kundër të majtën, ndërsa edhe Le Pen po lëviz në prapavijë, e gatshme ta sulmojë, nëse do të kuptojë se Bayrou është kukulla e fundit në duart e presidentit. Në fillim Bayrou duhet të krijojë një kabinet të ri qeveritar, dhe më pas duhet të përpiqet të miratojë sa më shpejt që të jetë e mundur buxhetin për vitin ardhshëm.
Por koha nuk është në anën e tij. Mëngjesin e të premtes guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, dha një interviste televizive ku foli me tone të zymta. Ai përshkroi gjendjen e keqe ekonomike që po i shkakton vendit kriza politike.
“Ekziston rreziku që Franca të fundoset gradualisht. Pra Franca, që ishte ndër vendet udhëheqëse në Evropë, po rrëshqet drejt fundit të renditjes në bllok”- theksoi ai.
Ai i kërkoi kryeministrit të ri, të mos e braktisë synimin për ta rikthyer deficitin buxhetor në nivelin 3 për qind të PBB-së deri në vitin 2029 (aktualisht është 6.2 për qind). Po ashtu De Galhau nënvizoi se buxheti i vitit 2025 duhet të hedhë një “hap të rëndësishëm” drejt ri-ekuilibrimit të shpenzimeve publike. Paç fat zoti Bayrou!/Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje