Rusia ka shkaktuar panik te qytetarët, pasi ka dhënë urdhër për evakuimin e një qyteti që ndodhet pranë termocentralit në Zaporizhja.
Njerëzve nga 18 zona të Zaporizhjas, përfshirë dhe Enerhodarin pranë uzinës u është kërkuar të largohen, përpara ofensivës së parashikuar të Kievit. Mijëra mjete u bllokuan në trafik për më shumë se pesë orë.
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka paralajmëruar se mund të ndodhë një “aksident i rëndë bërthamor”, raporton BBC.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi tha se evakuimi i banorëve pranë objektit bërthamor tregon mundësinë e luftimeve të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase rreth uzinës.
Më herët, IAEA paralajmëroi se situata në objektin e Zaporizhzhia po “bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”.
Të premten, kreu rajonal i instaluar nga Rusia, Yevgeny Balitsky tha se “në ditët e fundit, armiku ka shtuar sulmet me granata në vendbanimet afër vijës së frontit”.
“Prandaj kam marrë një vendim për të evakuuar fillimisht fëmijët dhe prindërit, të moshuarit, invalidët dhe pacientët e spitalit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Në mars, IAEA paralajmëroi se centrali punonte me gjeneratorë me naftë për të mbajtur në funksion sistemet jetike të ftohjes, pas dëmtimit të linjave të energjisë. Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt 2022, numri i personelit në uzinë ka rënë, thotë IAEA, “por menaxhimi i vendndodhjes ka deklaruar se ka mbetur i mjaftueshëm për funksionimin e sigurt të uzinës”.
Forcat ruse kanë pushtuar pjesën më të madhe të rajonit të Zaporizhzhia-s, por jo kryeqytetin rajonal Zaporizhzhia.
Lini një Përgjigje