Ushtria ukrainase ka zmbrapsur sulme të shumta ruse në Donetskun lindor në 24 orët e fundit, sipas raporteve nga BBC. Forcat ruse pretenduan se janë afër kapjes së qytetit të Bakhmut, i cili ka qenë në qendër të luftimeve intensive prej muajsh. Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjeneral koloneli Oleksandr Syrskyi , vizitoi Bakhmut të premten. Sipas inteligjencës britanike, ukrainasit po përforcojnë zonën me njësi elitare.
Nënkryetari i bashkisë së Bakhmut, Oleksandr Marchenko duke folur në programin Today të BBC Radio, tha se luftimet po vazhdojnë në rrugët e qytetit. “Falë forcave të armatosura të Ukrainës, forcat ruse nuk e kanë marrë ende kontrollin e qytetit", shtoi ai, duke nënvizuar se qëllimi i vetëm i Moskës është të vrasë njerëz, gjenocidi i popullit ukrainas.
“Ata duan të shkatërrojnë Bakhmutin, duan të shkatërrojnë qytetin dhe sinqerisht nuk mund ta kuptoj pse po e bëjnë këtë. Numri i saktë i civilëve ukrainas që kanë mbetur në Bakhmut nuk dihet, vlerësohet në mes 4,000 dhe 4,500, tha nënkryetari i bashkisë.
"Ata jetojnë në strehimore, pa ujë, gaz apo rrymë. Qyteti është pothuajse i shkatërruar dhe nuk ka asnjë ndërtesë që ka mbetur e paprekur në këtë luftë. Ka lagje, ndërtesa dhe pallate të shkatërruara plotësisht," shtoi ai.
Lini një Përgjigje