
Qeveria serbe ka shpallur se do të bëhet vendi i parë në botë që do të testojë vaksinën e re ruse kundër tumoreve, të quajtur Enteromix, e zhvilluar nga Qendra Kërkimore Mjekësore dhe Radiologjike e Moskës.
Ministri për Bashkëpunimin Ekonomik, Nenad Popovic, deklaroi se falë inteligjencës artificiale, vaksina do të jetë “e personalizueshme” dhe e thjeshtë për t’u prodhuar brenda territorit europian, përfshirë edhe në spitalet e Beogradit.
Sipas tij, brenda vetëm shtatë ditësh do të jetë e mundur kombinimi i materialit gjenetik të pacientit me inde tumorale dhe ndërhyrja mbi metastazat e melanomës apo të kancerit të zorrës së trashë.
Në sfond, qëndron një marrëveshje e drejtpërdrejtë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ndërsa një ekip specialistësh serbë pritet të udhëtojë drejt Moskës për trajnim në institucionet Gamaleja dhe Gertsen.
Dozat e para pritet të prodhohen në Spitalin Torlak të Beogradit që në vitin 2026, dhe do të përdoren edhe për pacientë nga vendet e tjera të Europës. Por komuniteti shkencor global mban rezerva të mëdha. Enteromix nuk është vaksinë parandaluese, por një trajtim eksperimental që përfshin injektimin e katër viruseve të padëmshëm për të reduktuar masën tumorale me 60–80%, sipas pretendimeve ruse. Deri tani, rezultatet kanë qenë të dukshme vetëm në kafshë dhe provat klinike te njerëzit (48 vullnetarë) kanë nisur vetëm në qershor.
Për më tepër, Rusia ka zgjedhur të paraqesë këtë produkt në një forum ekonomik, jo shkencor – duke shmangur komunitetin ndërkombëtar akademik dhe laboratorët perëndimorë që punojnë prej vitesh për vaksina kundër kancerit.
Kritikët flasin për një aksion propagandistik të drejtuar personalisht nga Putin, i cili u takua me ish-ministren e Shëndetësisë, Veronika Skvortsova, për të promovuar vaksinën. Për Moskën, Serbia mbetet partneri më besnik në Europë, vendi i vetëm që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, që refuzon reformat demokratike të kërkuara nga BE dhe që mban marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin.
Rusia ka financuar drejtpërdrejt nacionalistët serbë, veçanërisht në Republika Srpska, ndërkohë që dhjetëra mercenarë serbë janë përfshirë në luftën në Ukrainë. Në Loznicë, në qendër të Serbisë, është zbuluar së fundmi një kamp ku mbi 170 shtetas të Europës Lindore stërviteshin për luftë urbane, çka çoi në arrestimin e tre instruktorëve rusë të përfshirë edhe në trazira në Francë e Gjermani.
Krahas vaksinës, një tjetër faktor që e shtyn Vuçiqin drejt Putinit është varësia energjetike. Kompania kryesore e naftës në Serbi, NIS, ndodhet nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, ndërsa furnizimi me gaz nga Rusia, nëpërmjet Balkan Stream, rrezikon të ndërpritet për shkak të politikave të BE-së.
Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedovic-Handanovic, e përshkruan situatën si “gati të pashpresë”, ndërsa ministri i Financave Sinisa Mali paralajmëron për “katastrofë energjetike”. Për të shmangur krizën, Vuçiq ka shkuar në Budapest për të biseduar me Viktor Orban dhe ka ofruar një korridor të sigurt për Putinin përmes Turqisë, Mesdheut dhe Malit të Zi, në rast se Rusia do të marrë pjesë në një samit të ardhshëm me Trump për çështjen e Ukrainës.
Në këtë skemë të re të diplomacisë së vaksinave, Serbia duket e gatshme të bëhet laboratori rus i Europës, edhe pse shkenca, politika dhe interesat kombëtare janë përzier në një koktej që mund të ketë pasoja shumë më të gjera se sa duket në shikim të parë. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje