
Prokurorja franceze mesazh grabitësve: Mos i shkrini bizhutë, do humbni vlerën
Dy ditë pas grabitjes spektakolare në muzeun më të famshëm të botës, Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, ka zbuluar se dëmi i vlerësuar nga vjedhja në Luvër kap shumën prej 88 milionë eurosh. Por siç paralajmëroi ajo, kjo shifër "nuk është asgjë përballë dëmit historik dhe simbolik" që kjo ngjarje ka shkaktuar.
Në një intervistë për RTL, Beccuau tha se shpreson që grabitësit “ta mendojnë mirë përpara se t’i shkatërrojnë këto objekte”, duke paralajmëruar se shkrirja e bizhuterive nuk do t’u sjellë atyre asnjë përfitim real, pasi ato janë të njohura dhe të pashitshme në tregun e zi ndërkombëtar.
Hetimi është duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Një grup prej mbi 100 hetuesish është mobilizuar në Paris, ndërsa ende nuk ka asnjë të arrestuar. Autoritetet janë në kërkim të katër autorëve, të cilët arritën të arratisen me tetë objekte të çmuara të kurorës franceze. Por hetuesit dyshojnë se pas tyre qëndron një rrjet më i gjerë bashkëpunëtorësh që ka ndihmuar në planifikimin dhe realizimin e këtij operacioni të përmasave të rralla.
Një detaj interesant nga hetimi është fakti se vinçi mekanik që u përdor për të depërtuar në katin e parë të muzeut, ishte marrë përmes një “qiraje të rreme”, duke përdorur një justifikim për një “zhvendosje shtëpie”. Një punonjës i kompanisë që lëshoi mjetin është përballur më pas me dy persona kërcënues, megjithëse nuk është ushtruar dhunë ndaj tij. Rasti është tashmë pjesë e dosjes hetimore.
Për sa i përket mundësisë së një bashkëpunimi nga brenda, prokurorja Beccuau nuk e përjashtoi: “Nuk mund të themi as po, as jo në këtë fazë”.
Pamjet e grabitjes, që kanë bërë xhiron e botës, kanë ngritur një stuhi reagimesh publike dhe kanë ndezur një debat politik në Francë mbi sigurinë në institucionet muzeale, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm masat teknike të sigurisë në Luvër, por edhe përgjegjësinë e strukturave shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.
Ngjarja e Luvrit nuk është më thjesht një akt kriminal spektakolar, është kthyer në një krizë institucionale, që po trondit autoritetin e Francës mbi ruajtjen e thesareve historike dhe artistike. /Le Parisien
Lini një Përgjigje