
Një rrjet i dytë spiunazhi, pas atij të bullgarëve, që komandohet nga Kremlini po kërkohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Rrjetet e spiunazhit kanë si detyrë të vëzhgojnë disidentët rusë të larguar nga Rusia. Shënjestër e rrjeteve të spiunazhit është edhe gazetari Roman Dobrokhotov , i cili pohoi se ishte informuar për përpjekje të reja për të vëzhguar familjen e tij.
Gazetari investigativ rus Roman Dobrokhotov u largua nga Rusia në vitin 2021 dhe që atëherë ka pasur frikë për jetën e tij.
Detajet e paralajmërimit të dhënë për Dobrokhotov, i cili u largua nga Moska në 2021, po fshihen me kërkesë të tij, ndërkohë që gjithashtu familja e tij, gruaja dhe dy fëmijët e mitur janë akomoduar në një vend që mbahet sekret.
Gjashtë shtetas bullgarë me status rezident në MB – Vanya Gaberova, 30, Katrin Ivanova, 33, Tihomir Ivanchev, 39, Orlin Roussev, 47, Biser Dzhambazov, 43 dhe Ivan Stoyanov, 34 vjeç, u dënuan për kryerjen e operacioneve të spiunazhit brenda dhe jashtë vendit.
Jan Marsalek, 44 vjeç, një shtetas austriak që besohet se punonte si agjent rus, organizoi operacionin nga Moska, pavarësisht se kërkohej për lidhjet e tij me një mashtrim të supozuar prej 1.6 miliardë paund në kompaninë financiare gjermane Ëirecard.
Dy nga objektivat e tyre ishin gazetarët Christo Grozev dhe Dobrokhotov, të cilët ishin përgjegjës për demaskimin e dy oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse që u përpoqën të vrisnin Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Yulia, në Salisbury në vitin 2018.
Mesazhet e zbuluara nga policia tregojnë se Dobrokhotov ishte vëzhguar aq nga afër, saqë numri i pinit të iPhone-it të tij u kap nga një prej spiunëve të ulur pranë tij në një avion.
Kishte pasur gjithashtu diskutime brenda grupit për helmimin e Dobrokhotov me ricin në rrugët e Londrës ose rrëmbimin e tij duke përdorur një varkë të vogël.
Dobrokhotov është kryeredaktori i faqes së internetit Insider, puna investigative e të cilit ka bërë që rreth 80 kompani dhe 60 persona të goditen me sanksione ekonomike nga perëndimi për rolin e tyre në lehtësimin e luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë.
Dobrokhotov tha se “e kuptova se pas arrestimit të bullgarëve duhet të ketë ende një vëmendje të vazhdueshme ndaj meje dhe Kristos, sepse ne nuk e ndalëm punën tonë. Gjithashtu, për shkak se burimi ynë na tha se, pasi u arrestua ky ekip i kontrolluar nga FSB [shërbimi i sigurisë ruse], e njëjta detyrë tani i është dhënë GRU-së [inteligjencës ushtarake]. Ne prisnim që do të kishte diçka të vazhdueshme. Kështu, pasi policia tha se ata dinë për disa përpjekje të reja, kjo nuk ishte shumë e habitshme, vetëm konfirmim i asaj që na tregonte burimi ynë rus.”
Dobrokhotov tha se aiduhet të lëvizë vazhdimisht për të shmangur vëmendjen e Kremlinit.
Një zëdhënës i policisë kundër terrorizmit tha se “policia kundër terrorizmit punon ngushtë me forcat e policisë, partnerët dhe komunitetet për të identifikuar çdo aktivitet represiv nga shtetet e huaja në MB dhe do të përpiqet të ndërpresë këtë aktivitet aty ku është e mundur. /Përshtati Pamfleti nga The Guardian/
Lini një Përgjigje