
Koreja e Jugut ka lajmëruar se Koreja e Veriut ka gjuajtur 60 predha të artilerisë afër ishullit Jeonpeong më 6 janar. Ky njoftim vjen një ditë pasi dy Koretë kryen stërvitje ushtarake në zonën e njëjtë afër kufirit detar mes dy shteteve.
Stërvitjet e Phenianit vijnë menjëherë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un bëri thirrje për gatishmëri më të fortë luftarake për të përballuar atë që ai e quajti konfrontim të thelluar të udhëhequr nga SHBA.
Sipas ekspertëve Koreja e Veriut ka të ngjarë të vazhdojë testet e saj provokuese të armëve bërthamore dhe predhave për të rritur ndikimin e saj në negociatat e mundshme të ardhshme me Uashingtonin, ndërsa SHBA-ja shkon në zgjedhjet e nëntorit.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut tha në një deklaratë se Veriu qëlloi më shumë se 60 predha artilerie pranë kufirit detar perëndimor pasditen e së shtunës. Koreja e Jugut i kërkoi menjëherë Koresë së Veriut të ndalojë aktet që rrisin tensionet dhe paralajmëroi se do të ppërgjigjet “në mënyrë serioze” ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut.
“Koreja e Jugut do të ndërmarrë hapat përkatës ushtarake nëse Koreja e Veriut vazhdon stërvitjet e artilerisë që përbëjnë një kërcënim për shtetasit e Koresë së Jugut”, deklaroi Shefi i Shtabit të Përbashkët, por nuk dha asnjë informacion nëse do t’i përgjigjej këtij provokimi.
Stërvitjet e Koresë ishin një shkelje e një marrëveshjeje ndër-koreane të vitit 2018 që kishte për qëllim të lehtësonte tensionet ushtarake të vijës së parë. E arritur gjatë një periudhe të shkurtër afrimi, marrëveshja kërkon ndalimin e ushtrimeve me zjarrin e drejtpërdrejtë në zonat e vijës së parë. Por armiqësitë në rritje pas lëshimit të satelitit të parë spiun ushtarak të Veriut në nëntor e kanë lënë marrëveshjen ushtarake në prishje. Pas këtij veprimi të dyja Koretë kanë ndërmarrë hapa për të shkelur marrëveshjen.
Të premten, Koreja e Veriut gjuajti rreth 200 predha artilerie pranë zonës në stërvitjen e saj të parë detare. Stërvitje kjo e cila ishte mbajtur pezull për një vit.
Në përgjigje, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se trupat në dy ishuj kufitarë qëlluan me artileri në jug të kufirit detar. Mediat lokale thanë se Koreja e Jugut qëlloi 400 predha artilerie.
Përpara stërvitjeve të Koresë së Jugut, autoritetet e Seulit u kërkuan banorëve të pesë ishujve të mëdhenj pranë kufirit të detit perëndimor që të evakuohen në vende të sigurta për shkak të shqetësimeve se Koreja e Veriut do të kundërpërgjigjet. Urdhri i evakuimit u hoq disa orë më vonë.
Ushtria e Koresë së Veriut tha të premten se stërvitjet e saj ishin në përgjigje të stërvitjes ushtarake të Koresë së Jugut në fillim të kësaj jave. Pheniani paralajmëroi se Koreja e Veriut do të nisë "kundërveprim të ashpër në një nivel të paprecedentë" nëse Koreja e Jugut angazhohet në provokime.
Kufiri detar perëndimor mes dy Koreve ishte vendi i përleshjeve të përgjakshme detare midis dy shteteve në 1999, 2002 dhe 2009. Sipas Koresë së Veriut, siluimi i supozuar i një luftanijeje të Koresë së Jugut vrau 46 marinarë të Phenianit në mars 2010. Koreja e Veriut u hakmor dhe bombardimet vranë katër koreano-jugorë në nëntor 2010.
Në një takim të fundit të partisë në pushtet, Kim hodhi një retorikë të ashpër dhe tallëse kundër Koresë së Jugut, duke thënë se Koreja e Jugut nuk duhet të konsiderohet si një partner për pajtim ose bashkim. Ai urdhëroi ushtrinë të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme, përfshirë armët bërthamore, për të pushtuar Korenë e Jugut në rast të një konflikti.
Që nga viti 2022, Koreja e Veriut ka kryer më shumë se 100 teste raketash, shumë prej të cilave armë me kapacitet bërthamor që synojnë territorin e SHBA-së dhe Korenë e Jugut. SHBA dhe Koreja e Jugut janë përgjigjur duke zgjeruar stërvitjen e tyre ushtarake, të cilën Koreja e Veriut e quan një provë pushtimi. /Përshtati “Pamfleti” nga “ Associated Press”
Lini një Përgjigje